Kulturë

Ekspres-konkurs për teatër opere: çmimi 50 milionë euro, akuza për kurdisje

E shpejtë ka qenë Ministria e Kulturës në rihapjen e konkursit për projektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, pas dështimit të atij të muajit të kaluar. Edhe më shpejt synon ta gjejë projektin për investimin më të madh kapital, e që ka prapa një histori dështimesh prej gati dy dekadash. Arkitektëve u ka dhënë 40 ditë afat, përderisa për herë të parë ka “zbuluar” edhe çmimin që e llogarit për ndërtimin e objektit – 50 milionë euro. Njëri prej konkurrentëve akuzon prerazi. Sipas tij, Ministria e Kulturës po ia shtron rrugën kompanisë që doli fituese në konkursin që u anulua për shkelje

Pa u bërë një muaj prej kur shkaku i shkeljeve të Ministrisë së Kulturës dështoi thirrja publike për Teatër të Operës dhe Baletit, ky institucion ka rihapur thirrjen për projektimin e kësaj ndërtese. Thirrjes për projekt ideor dhe të hollësishëm për investim më të madh kapital në kulturë që shteti synon, MKRS-ja kësaj radhe ia ka shtuar edhe një detaj të rëndësishëm: shumën prej 50 milionë eurosh. Në thirrje qartësohet se projektuesit duhet të llogarisin që të përgatisin projekt për të cilin shteti synon ta investojë këtë shumë. Në anën tjetër, për projekt janë paraparë 2.5 milionë euro. Përderisa për institucionet rihapja e tenderit është lajm i mirë, një prej pjesëmarrësve në konkursin e kaluar ka kritikuar qasjen e MKRS-së.

Paraprakisht, muajin e kaluar, dështimi i procesit të përzgjedhjes së projektit për objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit qe një kronikë e paralajmëruar. Pas më shumë se një viti procedurë, shkaku i shkeljeve ligjore të Ministrisë së Kulturës, ky institucion nuk ia kishte dalë që ta bënte hapin e parë për këtë projekt të cilin shteti synon tash e dy dekada. Nëpërmjet vendimit, paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik kishte anuluar procesin e nisur në tetor të vitit 2022.

40 ditë afat për projekt 2.5-milionësh me kosto 50 milionë

Sipas thirrjes publike të MKRS-së të hapur të hënën, afati i fundit për dorëzimin e projekteve është dita e 29 e marsit. Thirrja e titulluar “Zhvillimi i projektit ideor dhe të hollësishëm, të arkitekturës dhe të inxhinierisë, për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës – Ritenderim” jep edhe specifikat e konkursit, bëhet e ditur se prapë vlerësimi i projekteve do të bëhet pa u ditur autorët. Sikurse më 2022 edhe tash vlera e parashikuar e projektit është 2.5 milionë euro.

Por përderisa herën e kaluar konkursi ishte dyfazësh, kësaj radhe synimet janë që të përmbyllet në një fazë.

Pikërisht për këtë, arkitekti Bekim Ramku ka pasur kritika ndaj MKRS-në. Ai së bashku me bashkëpunëtorë ndërkombëtarë kishte aplikuar në konkursin e kaluar. Kishte zënë vendin e tretë. Ka thënë se pas një procesi të stërzgjatur e të diskredituar është për çudi se si MKRS-ja vendos ta rishpallë këtë tender.

“Për më shumë MKRS-ja vendos që këtë herë procesi të jetë njëfazësh. Nga njëra anë thonë se ky është një objekt i rëndësisë nacionale e nga ana tjetër e bëjnë të kundërtën”, ka thënë ai. Ka kritikuar edhe afatin e dorëzimit të projekteve.

“Për një objekt të tillë me këso kërkesash, 40 ditë afat për të dorëzuar koncept-dizajn është qesharake. Nuk besoj se do të konkurrojë dikush tjetër përpos atyre që veç kanë konkurruar në procesin e parë i cili është përcjellë me parregullsi të papara deri më tash në vendin tonë”, ka thënë Ramku. Sipas tij, qëllimi është te shpërblimi i një kompanie. Aludon te fituesi i konkursit të anuluar, kompania “Gerber Architektekten International GmbH” nga Dortmundi.

“Çka është edhe më shumë brengosëse është insistimi i MKRS-së për ta shpërblyer kompaninë e cila kishte bërë shkelje të panumërta në procesin e anuluar nga OSHP-ja”, ka thënë Ramku, i cili është në stafin e kompanisë së arkitektit japonez Kengo Kuma, që është fituese me projektin për sallën koncertale në objektin e ish-shtëpisë të mallrave “Gërmia”.

Image
Hapësira prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe Baletit (Foto: Driton Paçarada)

Zbulimi i kostos së ndërtimit – lajm i mirë për institucionet

MKRS-ja gjatë ditës së martë nuk është përgjigjur për ndryshimin e rregullave të lojës.

Por për institucionet rihapja e konkursit është lajm i mirë. Madje cekja që projektuesit duhet të kenë parasysh që të projektojnë ndërtesë në të cilën llogaritet të investohen 50 milionë është parë me entuziazëm.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se bëhet fjalë për një hap premtues.

“Me sa di më herët nuk ka pasur paralajmërim të tillë me këtë shumë. Ky është seriozisht një lajm i mirë. Është mirë që menjëherë pas dështimit ka nisur procesi i ri”, ka thënë ai. Sipas Jasharit, përmendja e shumës që planifikohet të investohet tregon se qëllimi është te një ndërtesë shumë komode.

“Salla e Filharmonisë së Maqedonisë e dimë ka kushtuar diku 42 milionë euro. Pra, duket se synimi është për një ndërtesë me standarde evropiane. Shpresoj që të mos jenë prapë pengesë procedurat”, ka thënë ai. Sipas tij, bazuar në standardin e vendit të investohen 50 milionë euro në Teatër të Operës dhe Baletit duket shumë e mjaftueshme. Sipas Jasharit, përmendja e kësaj shume rrit shpresën pasi flitet me parametra konkretë.

“Mendoj që në projekt së paku duhet të jenë dy salla koncertale si në shumicën e ndërtesave të tilla nëpër botë. Kjo ndërtesë duhet të shërbejë edhe për Filharmoninë e për festivalet e muzikës të ne. Duhet t’i dedikohet muzikës artistike”, ka thënë ai. Ka shprehur habi se përse këto konkurse bëhen me procedurë ku nuk zbulohen projektet. Këtë pikë e ka përmendur edhe arkitekti Bekim Ramku. Ai ka thënë se nëse MKRS-ja e ka seriozisht organizimin e një procesi qysh i ka hije një objekti të tillë, duhet të mësojë nga shembuj hiç më larg sesa në regjion.

“Te gjitha konkurset e organizuara në regjion për objekte të tilla janë të organizuara në mënyrë transparente, ku gjatë shpalljes së konkursit publikohen edhe emrat e jurisë – jo si në rastin e Ministrisë me juri të përbërë nga punëtorët e Ministrisë e miq të ministrit e po ashtu të ketë afat të mjaftueshëm për të konceptuar dizajnin”, ka thënë Ramku. Ka sugjeruar që për korrektësi e proces kredibil për një shumë të arsyeshme kompani botërore do të angazhoheshin për të zhvilluar proces të tillë për një ndërtesë kombëtare.

Historia e përsëritur e dështimeve

MKRS-në po e përcjellin telashe në procese prokurimi. Zbulimi i identitetit të një prej kompanive pjesëmarrëse gjatë procesit të vlerësimit në konkursin e kaluar ka bërë që krejt lënda të bjerë poshtë.

“Paneli shqyrtues pas diskutimeve të palëve në këtë seancë dëgjimore dhe pas shtjellimit të provave dhe argumenteve të paraqitura ka ardhur te konstatimi se në këtë aktivitet të prokurimit, me rastin e hapjes dhe vlerësimit të ofertave tenderuese të operatorëve ekonomikë, ka pasur elemente identifikuese që kanë zbuluar identitetin e ofertuesve dhe ky fakt është në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit dhe Ligjit për Prokurim Publik”, shkruhet në arsyetim të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nëpërmjet të cilit u anulua krejt procesi. Sipas vendimit, është gjetur se pretendimet e operatorit ekonomik ankues janë pjesërisht të bazuara dhe “aktiviteti i tërësishëm i aktivitetit të prokurimit u përcoll me shkelje ligjore”. “Paneli shqyrtues konstaton se në këtë aktivitet prokurimi/konkurs projektimi ka pasur disa shkelje ligjore. Operatori Ekonomik i shpërblyer me çmimin e parë, me kodin 6842, ka shkelur nenin 80 të Ligjit për Prokurimin Publik, duke e zbuluar identitetin e tij në secilën faqe të pikës 1.5 Exhibition materials të ofertës...”, shkruhet në vendim.

Kanë qenë tri kompani në garë për projekt ideor: “Gerber Architektekten International GmbH” nga Dortmundi, “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-ARCHITECTS’ SH.P.K”, kompani holandeze me arkitektin nga Kosova, Bekim Ramku, dhe “Big Partners LTd” me seli në Londër. Kompania gjermane mori më së shumti pikë në vlerësim e në rivlerësim. Pasoi ankesa. Qe kompania londineze që e bëri këtë për ta përfshirë më pas OSHP-në. Para komisionit vlerësues – që po ashtu proceduralisht nuk bëhet publik – do të duhej të hapeshin zarfet pa u ditur emrat e kompanive, por vetëm nëpërmjet kodeve. Kështu edhe kishte ndodhur. Komisioni në përbërje të anëtarëve vendorë dhe një ndërkombëtar kishte bërë vlerësimin e vet. Me 71 pikë kishte vlerësuar kompaninë gjermane, kurse me 54.2 dhe 51.4 pikë dy të tjerat.

Por dy kompanitë me më pak pikë kanë kërkuar qasje në dokumentacion, kanë gjetur një vjegëz ligjore për të bërë ankesa. Në versionin online të kompanisë “Gerber Architektekten International GmbH”, projekti i së cilës është vlerësuar si më i miri, qëndronte edhe logoja e saj.

Tentativa për të pasur një projekt për këtë ndërtesë është e katërta me radhë pas luftës. Ky tentim vjen pas konkursit të 17 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009, dhe dy konkurseve të vitit 2019.

Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të rrumbullakohet me kosto prej 2.5 milionë eurosh. Kaq qenë paraparë në Ligjin e Buxhetit të vitit 2023. Sivjet janë paraparë 2.7 milionë. Por sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për tre vjetët e ardhshëm nuk është paraparë asnjë cent për këtë projekt.

Vendi i parë do të shpërblehej me kontratë, kurse i dyti me 30 mijë euro, ndërsa i treti me 20 mijë euro. Sipas konkursit, vendi i parë do të merrte edhe shërbimet për fazën e mëtutjeshme “të projektimit, përkatësisht të zhvillimit të projektit të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës”.

Më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.

Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.

Në prill të vitit 2022 shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe të Baletit. Në lokacionin paraprak – te Fakulteti Teknik në “Kodrën e Diellit” – është afër konkretizimit ndërtimi i vrazhdë i një kampusi të ri universitar për Universitetin e Prishtinës.

I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.

Prej asaj kohe deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve.