Prishtinë, 17 prill – Veprat e skulptorit të njohur kosovar, Agim Çavdarbasha, janë bërë pjesë e ngjarjes së madhe të artit bashkëkohor “Documenta”.
Ekspozita që sivjet shënon edicionin e 14-të ka mbledhur rreth 160 vepra të artistëve nga e gjithë bota, krahas së cilave edhe vepra të artistëve që nuk jetojnë më, shkruan sot “Koha Ditore”. Veprimtaria e Çavdarbashës në Athinë është prezantuar në kuadër të “In memoriam” me tri vizatime të skenografisë së shfaqjes të “Mallkuarit”, dy kolazhe me vizatime dhe një dokumentar.
Dokumentari është realizim i Radiotelevizionit të Prishtinës i vitit 1981 dhe flet për veprimtarinë e skulptorit. Ndërsa, në Kassel të Gjermanisë krijimtaria e tij do të prezantohet me dy kompozicione skulpturash. “Gratë e Lubeniqit”, e cila përbëhet nga shtatë figura dhe “Gratë e Prishtinës”, do të ekspozohen në mesin e shumë veprave të tjera të artistëve në kategorinë “Në kujtim”.
Ekspozita prestigjioze e artit bashkëkohor, që mbahet për çdo pesë vjet në Kassel të Gjermanisë, prej këtij viti është shtrirë edhe në Greqi që është hapur me datën 8 të muajit prill, ndërsa në Kassel do të hapet më 10 qershor. Por Çavdarbasha nuk është artisti i vetëm kosovar veprat e të cilit janë bërë pjesë e “Documenta 14”.
Aty janë prezantuar edhe artisti Sokol Beqiri, si dhe fotografja e njohur kosovare, Lala Meredith- Vula, e cila jeton në Angli... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.