Kulturë

Ekspozita e Ferrit – dozë optimizmi për mbi një mijë vizitorë në pandemi

Jakup Ferri nuk e sheh veten si optimist të madh, por gjallëria e personazheve që jetojnë në veprat e tij për dy muaj e zbehu zymtësinë e realitetit që po ndodhte jashtë mureve të galerisë. Vizatimet, tapiceritë e pikturat u dhanë ngjyrë mureve e dyshemesë së hapësirës kryesore ekspozuese në kryeqytet.

E nëpërmjet artit të tij, mbi një mijë e 100 vizitorë – shifër e dhënë nga stafi i Galerisë Kombëtare të Kosovës në ditën përmbyllëse të ekspozitës – morën me vete një dozë optimizmi e fije shprese. Pikërisht në vlugun e pandemisë. Ferri ka pritur 15 vjet që t’i sjellë në Prishtinë 100 vepra dhe ekspozita personale e tij në GKK nuk kaloi si një ngjarje e zakonshme, transmeton KOHA.

E hapur në kushte pandemie, ekspozita ngjalli interesim të vizitorëve që para se t’i rrekeshin botës shumëngjyrëshe të Ferrit ndaleshin për t’i dezinfektuar duart dhe të vendosnin maskën mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

Pasditen e së enjtes, një prej vizitorëve të fundit ishte vetë Ferri. Me modestinë e artistit që ka sfiduar thuajse të gjitha normat konvencionale të prezantimit në publik, ai shpreh mirënjohje e kënaqësi që puna e tij është vlerësuar.

“Definitivisht është ndjenjë e mirë të ketë interesim, sepse në njëfarë mënyre unë e kaloj ditën shumë i vetmuar, jo vetëm ditët, por vitet. Edhe kurrë nuk e di se kur po punoj dhe kur jam duke bërë diçka. Gjithmonë e kam atë ndjenjën që s’jam duke bërë sa duhet. Por kur u përmblodhën këto punë, që erdhën prej vendeve të ndryshme, e pata një ndjenjë që paskam bërë diçka. E aq më shumë kur ka komente të mira”, thotë Ferri.

Veprat e tij janë parë gjithandej nëpër galeri me nam, por në Prishtinë kjo qe hera e parë që artisti u prezantua në një ekspozitë të përmasave të tilla. Për ironi, rastisi që komunikimi i tij i parë kaq intim me publikun kosovar të ndodhte në një verë krejtësisht të pazakontë, kur kryetitujt e lajmeve alarmonin për shifra të larta të të infektuarve me virusin që e kapërtheu gjithë botën.

“Prishtina sado që ka kafe interesante, gjëra interesante, nuk ka shumë vende, nuk ka shumë librari, biblioteka, teatro. Kështu që ndoshta ka qenë ajo kohë që njerëzit s’kanë pasur çfarë të shohin diçka tjetër dhe kanë thënë ‘hajde ta shohim’”, thotë ai.

Pa kurator, pa katalog e pa një ceremoni tradicionale hapëse, ekspozita e Ferrit në GKK tërhoqi vizitorët sidomos nëpërmjet promovimit të madh që iu bë në rrjete sociale. Personalitete të skenës publike e politike – përfshirë ministren e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi, e liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti – pozuan para veprave të tij. Fotografitë e shoqëruara me lëvdata e thirrje për ta vizituar ekspozitën u shpërndanë nëpërmjet internetit.