Një jelek me fije ari, këmishë mëndafshi dhe një pëlhurë po ashtu prej mëndafshi tashmë kanë zënë vend në Muzeun Etnologjik të Prishtinës. Tri eksponatet i takojnë mësimdhënëses së muzikës Seniha Spahiu, e cila vdiq në tetor të vitit të kaluar.
Familjarët e Spahiut kanë vendosur që qytetit të Prishtinës t’i dhurojnë diçka nga më e dashura e tyre. Bëhet fjalë për tri eksponate, jelekun me fije ari, këmishën dhe një pëlhurë prej mëndafshi, të cilat Spahiu i kishte marrë si pjesë e pajës nga nëna e saj, Hatixhe Pllana nga Ferizaj.
Ndonëse i shumë vjetëve më herët, jeleku me fije ari u ngjan shumë atyre të cilët mund t’i shohim ende sot nëpër dasma. Së bashku me këmishën e mëndafshtë dhe dimitë, një jelek i tillë përdoret zakonisht nëpër ceremonitë martesore. Për raste të tilla e kishte pasur edhe Seniha Spahiu, ndonëse ajo nuk e kishte veshur asnjëherë. Si pasojë e kësaj, eksponatet jenë të ruajtura mjaft mirë. Në jelekun me fije ari mund të vërejmë lehtësisht dekoret e krijuara përmes endjes së fijeve në formë të lakuara apo rrethore. Përveç ngjyrës së artë, aty-këtu mund të shohin edhe ca detaje të katërta. Jeleku qëndron në formë të ngurtë dhe nuk është lehtë i lakueshëm. Në anën tjetër këmisha e mëndafshtë ka ngjyrë qumështi, teksa në pjesë e qafës dhe të duarve ka të qëndisura ca lule bardhë dhe pembe. Nisur nga mënyra se si punohet, të tri eksponatet mund të konsiderohen punime dore.
Kuratori i Muzeut Etnologjik, Bekim Xhemili, ka folur për rëndësinë e këtyre tri eksponateve. Ai ka thënë se donacionet e tilla ndihmojnë në pasurimin e muzeut.
“Vlera besoj se është e shumëfishtë së pari për familjen e profesoreshës Spahiu, për arsye se lidhet edhe me një rrëfim e një histori personale dhe emocionale me familjen. Por kjo është e rëndësishme edhe për Muzeun, sepse po pasurohet koleksioni i tekstilit”, ka thënë ai. Në anën tjetër, sipas tij, një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës dhe Prishtinës e kanë njohur veprimtarinë, punën dhe kontributin e profesoreshës Spahiu ndër vite, si dhe edukimin e gjeneratave. “Por është një proces siç ndodh me secilin eksponat që e pranojmë nga muzeu. Fillimisht është trajtimi, konservimi, pastaj fillojmë me ekspozimin, interpretimin, si dhe edukimin e gjeneratave të ardhshme”, ka bërë të ditur Xhemili.
Profesoresha Spahiu ishte një emër jo pak i njohur në fushën e muzikës. Për gjysmëshekulli qe pedagoge në të gjitha nivelet arsimore. Ishte mësimdhënëse në shkollën fillore “Liria" në Prishtinë dhe drejtuese e korit të shkollës. Ajo punoi edhe si profesoreshë e metodikës së muzikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, pastaj në Fakultetin e Arteve si ligjëruese, e docente dhe profesoreshë nga viti 1987. Pas pensionimit vazhdoi punën në Fakultetin e Arteve dhe më 2002 u emërua “Profesore Emeritus”.
Në rolin e njeriut i cili është përherë në kontakt me qytetarët të cilët shprehin dëshirën për t’i dhuruar eksponate të ndryshme Muzeut, Xhemili ka përmendur edhe disa nga arsye që çojnë deri te një vendim i tillë.
“Me mijëra eksponate që i posedon Muzeu Etnologjik, por edhe ai Kombëtar i Kosovës janë dhuruar vullnetarisht, në formë donacioni për Muzeun. Në këto dy vitet e fundit, gjatë kohë së pandemisë për shkak se nuk kemi pasur shumë punë me vizitorët, jemi përqendruar në mbledhjen e eksponateve dhe secili postim në rrjetet sociale po i shtyn edhe familjet e tjera që t’i dhurojnë gjësende Muzeut”, ka thënë ai. Ka numëruar disa arsye pse e bëjnë këtë. “Së pari nuk kanë kujt t’ia trashëgojnë, pastaj një pjesë e madhe e gjeneratave të reja nuk duan t’i trashëgojnë, i kanë zëvendësuar me veshje të tjera, ndërsa dikush do që veshja të vazhdojë jetën në muze si rasti i eksponateve të familjes Spahiu dhe ka edhe njerëz të tjerë që duan thjesht të kontribuojnë, por edhe ta pasurojnë Muzeun”, është shprehur Xhemili.
Nga dhoma ku janë vendosur përkohësisht këto eksponate, kuratori Ilir Sopjani ka folur për historinë dhe karakteristikat e kësaj veshjeje. Ai ka përmendur se në Kosovë gjenden diku 140 lloje të ndryshme të këtij tipi të veshjeve, ndërsa përdorimi i tyre ka disa karakteristike.
“Këto veshje kanë ndikime të kulturës turke dhe janë njohur me emërtimin ‘allaturka’ për shkak të origjinës, ndërkaq janë përdorur në rastet specifike, në raste martesore. Ato kanë qenë të përhapura nëpër të gjitha qytetet diku kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX”, ka thënë ai. Ka treguar se dihet që secila nga veshjet ka dalluar nga njëra-tjetra. Veshje tradicionale që njihen edhe në traditën shqiptare dhe në të gjitha trevat, sipas tij, kanë qenë diku 140 tipe. “Dallimet kanë qenë në bazë të regjioneve, moshës, gjinisë, pastaj ka raste specifike mortore, martesore, kështu që këto veshje gjithashtu kanë vlerën e tyre për kah vjetërsia, për kah teknika dhe materiali me të cilin janë punuar gjatë asaj kohe”, ka shpjeguar etnologu Sopjani.
Seniha Spahiu është bashkautore dhe autore e teksteve për parashkollorë dhe e teksteve të muzikës për disa klasa të shkollës fillore, si dhe autore e tekstit universitar “Metodika e mësimit të muzikës” (2009). Është marrë me studime kërkimore-profesionale për çështjet nga fusha e mësimdhënies së muzikës, që përfshijnë një sërë punimesh, si dhe këngë korale dhe për fëmijë. Publikimet e saj profesionale janë botuar në revista të ndryshme profesionale-shkencore. Ishte anëtare e Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës (nga 1980) dhe kryesoi Shoqatën e Pedagogëve Muzikorë të Kosovës. Në vitin 2016 iu nda çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Niketë Dardani”.
Tri eksponatet e Spahiut janë vetëm disa nga shumë të tjera që te vizitorët bartin vlerat e kulturës shqiptare e të personaliteteve të shquara.