Kulturë

Ekipi i “Rrugës” aterron në Cannes, popullohet shtandi i Kosovës

TREGU I FILMIT NE CANNES

Shtandi i Kosovës në Tregun e Filmit në Cannes, të martën (Foto: FB/QKK)

Ndonëse ende nuk janë parë nëpër tapetin e kuq, pjesëtarë të ekipit të filmit “Rrugës” janë në qendër të vëmendjes dhe të martën në Cannes janë takuar me ata në mesin e të cilëve janë komodë: pjesëtarë festivalesh botërore. “Ishte një atmosferë e bukur, sepse pati shumë mysafirë të rëndësishëm të industrisë së filmit, sidomos kemi pasur frekuentim të madh të programerëve të disa prej festivaleve më të mëdha të botës dhe kjo ka qenë diçka që na ka gëzuar shumë. Kishte programerë nga ‘Sundance’, ‘Berlinale’, Venecie, Tallini, Sarajeva, Toronto dhe të tjerë”, ka thënë Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Ekipi i filmit “Rrugës”, filmit të Kosovës kandidat për “Palmën e Artë”, tashmë ka mbërritur në Festivalin e Filmit në Cannes dhe prania e pjesëtarëve të prirë prej regjisorit Samir Karahoda është bërë sebep që të martën shtandi i Qendrës Kinematografike të Kosovës të popullohet. Është organizuar një ndejë në nderim të ekipit dhe aty kanë qenë të pranishëm jo vetëm përfaqësues të “festivalit të festivaleve”, siç njihet ai i Cannes, që sivjet po mban edicionin e 77-të, por edhe ngjarjesh të tjera botërore. Aso të “kategorisë së rëndë”.

“Kemi mbajtur një event, të cilin e organizuam bashkë me Ambasadën e Kosovës në Francë. Ishte një pritje shumë e bukur që u bë për nder të filmit ‘Rrugës’, që është pjesë e garës zyrtare të Cannes për kategorinë e filmit të shkurtër. I gjithë organizimi u bë për ta respektuar regjisorin Samir Karahoda dhe aktorin kryesor të filmit, që është Miron Karahoda”, ka thënë të martën vonë Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, e cila ka vazhduar traditën e përfaqësimit në “Marché du Film”, që konsiderohet si më i madhi treg i filmit në botë. Zeqiri është atje qysh prej hapjes së Festivalit të martën e kaluar.

“Ishte një atmosferë e bukur, sepse pati shumë mysafirë të rëndësishëm të industrisë së filmit, sidomos kemi pasur frekuentim të madh të programerëve të disa prej festivaleve më të mëdha të botës dhe kjo ka qenë diçka që na ka gëzuar shumë”, ka përshkruar Zeqiri. E lista e mysafirëve vjen hiç më pas sesa prej festivaleve të kategorisë A.

Një pjesë e ekipit të “Rrugës” në shtandin e Kosovës në Festivalin e Filmit në Cannes (Foto: FB/QKK)

“Kishte programerë nga ‘Sundance’, ‘Berlinale’, Venecie, Tallini, Sarajeva, Toronto dhe të tjerë”, ka thënë Zeqiri.

Qysh javën e kaluar kur u hap shtandi nr.138 i përbashkët me Shqipërinë, Zeqiri e kishte “parashikuar” vëmendjen që do të marrë Kosova sivjet, pikërisht për shkak të “Rrugës”.

“Po presim që më 24 maj të shfaqet premiera botërore e filmit e pastaj më datë 25 bëhet ndarja e shpërblimeve ku po shpresojmë që do të kthehemi me ndonjë çmim. Por, edhe nëse nuk ndodh diçka e tillë, për të gjithë ne është një shpërblim i jashtëzakonshëm që jemi pjesë e këtij festivali, sepse është një garë e madhe dhe fuqishme”, ka thënë Zeqiri.

Premiera do të jetë në teatrin “Debussy”, auditorium emblematik i Pallatit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes me kapacitet prej 1068 karrigesh. Karahoda ka shkruar edhe skenarin e filmit tok me të birin Miron Karahoda, i cili luan në film. Në “trailerin” e “Rrugës” merret vesh se babai dhe i biri kanë një bisedë lufte. Është rrëfim nga një vend që luftën e ka të freskët, çerekshekulli më parë është përballur me të. Biseda midis dyshes nxjerr në pah shpresën e humbur dhe frikën për një tjetër luftë. I ati ngushëllon të birin se luftë zor të këtë shkaku i migrimit nga të dyja anët që potencialisht mund të luftojnë. Në rrugë nga Prishtina për në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, nëpërmjet diskutimit të dyshes pasqyrohen problematikat e Kosovës së vitit 2024, të cilat pa dyshim se përkojnë edhe me problemet globale përtej kontekstit lokal. 

Regjisori Samir Karahoda tok me bashkëproducentin Eroll Bilibani e me montazherin Enis Saraçi nuk janë emra të panjohur në Cannes, por edhe në festivale të tjera si “Berlinalja”, ai i Torontos dhe “Sundace”. Në qershor të vitit 2021 për herë të parë një film vendor ishte futur në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Karahodës “Pa vend” ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Por historia e tij nuk përfundoi këtu. Në shtatorin e vitit 2021 mori Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Iu hap rruga edhe për “Oscar”. “Ky sukses do të vazhdojë ta mbajë ritmin e promovimit të kinematografisë sonë”, do të thoshte asokohe Karahoda.

“Kemi arritur ta dërgojmë në Cannes dhe Toronto. Për ne ky ka qenë sukses. Samiri tash i ka tre bexhe të nderit: atë të ‘Berlinale’s, Cannes e Torontos. S’ka regjisor në botë që i ka bërë dy filma dhe ka këtë sukses”, do të thoshte producenti Eroll Biliobani. Por “bexhet” sa vinin e shtoheshin. Kur u mendua se me këto do ta përmbyllte rrugën e sukseseve, në janarin e vitit 2022 mori Çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër në “Sundance Film Festival”.

Tash Karahoda me shokë mbajnë ritmin edhe me “Rrugës”, i treti film i tij. Edhe i pari, “Në mes” ka një histori suksesesh historike. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A, ku u shfaq premierë në shkurt të 2019-s.

“Për krejt Kosovën si vend kaq i vogël është ngjarje e madhe fakti që jemi prezentë në Cannes, duke iu falënderuar punës së palodhshme të Samirit dhe gjithë ekipit të filmit ‘Rrugës’”, ka thënë Zeqiri. E ka përsëritur urimin për “Palmën e Artë”. Çmimin që e pret Kosova të premten.