Kulturë

Edhe dy fjalë për Nexhmije Pagarushën

Foto: Ilustrim

Në qendrën kulturore “Tulla”, të cilën e drejton Alban Nimani, i biri i Shyqyri Nimanit, dhe nusja e tij tiranase, Klejda, u mbajt një mbrëmje përkujtimore kushtuar Nexhmije Pagarushës. Shkova bashkë me time bijë, Doruntinën, e cila i ka shokë Albanin dhe Klejdën, madje banojnë në të njëjtën lagje, te “Komuna e Parisit”, jo larg nga objekti ku u mbajt mbrëmja në fjalë: një shtëpi dykatëshe me tulla të kuqe, për ç’arsye duket edhe ia kanë vënë emrin “Tulla”.

Para të pranishmëve, kryesisht të rinj, djem e vajza, foli dirigjenti Zhani Ciko, njeri me një jetëshkrim të pasur në fushën e muzikës, i njohur brenda dhe jashtë vendit. Zhani foli relativisht gjatë. Një herë flet për familjen e tij korçare, gjyshërit, që paskëshin marrë rrugën e kurbetit në Rumani dhe paskëshin punuar për çështjen kombëtare, duke sjellë libra shqip nga Bukureshti në Shqipëri. Mësoj se babai i Zhanit, Mihal Ciko, kishte qenë këngëtar operistik, ndërsa e ëma profesore universiteti dhe se dajë e paskësh kompozitorin e njohur Nikolla Zoraqi, nga i cili mori mësimet për violinë qysh si fëmijë. (Në mbrëmjen për Nexhmijen, Zhani shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Rudina, pianiste), shkruan sot Koha Ditore.

Pastaj flet për marrëdhëniet kulturore Kosovë-Shqipëri në vitet ’70, me dashamirësi, por edhe me ndonjë pasaktësi. Në këtë kuadër, të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, flet edhe për Nexhmijen, për vizitën e saj të parë në Shqipëri dhe koncertin e mbajtur me atë rast në Tiranë; për njerëzit që e shoqëronin kur erdhi në “shtetin amë” (përmend instrumentistin Zef Tupeci, kompozitorin Severin Kajtazi dhe dirigjentin Mark Kaçinari).

“Ne prisnim një këngëtare me dajre e çitjane, tha, ndër të tjera, maestro Zhani Ciko, por doli diçka krejt tjetër: një artiste e vërtetë e veshur me kostumin me kadife të zezë të Lunxhërisë, që Nexhmija e zgjodhi vetë nga kostumografia e Teatrit të Operas dhe Baletit”. Të pranishmit dëgjojnë me vëmendje, duke absorbuar çdo fjalë. Pasi e kryen fjalën Zhani, Albani thotë: “Na nderon me pjesëmarrjen e tij edhe z. Vinca”. Dhe kërkon të them dy fjalë. Dal para publikut me gotën e verës në dorë dhe e filloj fjalën me fjalët: “Nexhmije Pagarushën e kam pasur komshie”, duke përdorur fjalën “komshie”, që përdoret në Tiranë për “fqinje”.

Banonim në të njëjtën lagje, në Ulpianë, jo më larg se dyqind metra largësi në vijë ajrore. Unë përmbi kishën katolike “Shën Ndou”, ajo përfundi. Nexhmija ishte e shoqërueshme dhe komunikuese. Në vitet ‘90, kur nuk ishte më aktive si këngëtare, rrinte shpesh te kioska e gazetave afër tregut, bisedonte me vajzat që punonin në atë kioskë dhe pinte duhan. Pinte shumë cigare. Shoqe të ngushta kishte Liliana Çavollin dhe Shpresa Gashin, po ashtu këngëtare, por shihej në shoqëri edhe me Fahri Beqirin, Sabri Fejzullahun, Ilir Shaqirin e të tjerë, miq dhe bashkëpunëtorë të saj. Edhe një njeri më vjen në mend kur flas për Nexhmije Pagarushën: violina e parë e Orkestrës së Radio-Prishtinës, Isak Muçolli, i cili nuk rron më.

(Të plotë e gjeni në gazetën “Koha Ditore”)