Një qilim i vjetër i vendosur në mes të sallës së Teatrit “Oda”, disa llamba që ndriçonin hapësirën, një piano e vjetër, disa poezi të shkruara në letrat e të varura nga muri që kërkonin të merrnin vëmendjen e publikut që ishte vendosur në formë rrethi e të cilët ndjeheshin sikur janë në shtëpi, në një mbrëmje mes miqve ku muzika Jazz do pushtojë shpirtrat e tyre.
“Tani është shumë vonë për të ikur nga kjo mbrëmje ku dashuria do u pushtojë” janë fjalët që dëgjohen para se të fillojnë tingujt e saksofonistit Hayden Chisholm që të bënin për vete, kurse disa sekonda më pas dëgjohen edhe tingujt e parë të pianos në të cilën interpretonte pianisti Ilir Bajri. E mbrëmja fillon të kompletohet kur Eda Zari sjell më zërin e saj të kristaltë këngën “Our Love is Here to Stay”, kështu mbrëmja nis të marrë sharmin e duhur, kurse dashuria mbretëron këtë natë.
Saksofonisti Hayden Chisholm nga Zelanda e Re i cili deri më tani ka qenë në Tiranë, në Berat dhe në Gjirokastër u shpreh i lumtur për mundësinë që iu ofrua që të vizitojë edhe Prishtinën.
“Është kënaqësi të jem këtu kurse çdo herë është bukur të luajë së bashku me Edën, çdo herë surprizuese dhe me elemente të reja. Një publikë shumë i bukur dhe i dashur. Është hera e parë që punojë në këtë formë si trio mirëpo së bashku me Eda Zarin në këto 10 vitet e fundit po luajmë çdo herë e më shumë së bashku, duke përfshirë edhe albumin dhe çdo herë kur ajo më thërret unë jam gati. Kurse falë saj kam mësuar edhe shume këngë të bukura shqiptare”, u shpreh ai për KultPlus, duke treguar se i pëlqen që të mbledhë melodi nga vendet që i viziton dhe tashmë ka zbuluar melodi të bukura shqiptare.
“Dashuria Supreme”, kështu thotë James Joyce dhe kjo ishte edhe motoja e gjithë kësaj mbrëmje në të cilën këngëtarja Eda Zari që në fillim inkuadroi publikun në përfomancat e saj e pyetjet e saja provokative e të ëmbla si: Kur i keni thënë njëri tjetrit të dua për herë të fundit?; Kush ka ardhur vetëm këtë natë?. Duke bërë për vete publikun i cili jepte komente dhe buzëqeshte. Mbrëmja pastaj vazhdoi duke sjellë këngët “Embracable You”, dhe “Once I Loved”. Kurse e veçantë e kësaj mbrëmje ishte edhe gërshetimi i poezisë së bashku me muzikën.

Kështu nga poezitë fillimisht u dëgjuan vargjet e poetit Clifton Gachagua “Ma ka ënda ta marr heshtjen tënde si letrat e dashurisë që nuk do m’i shkruash, si dy solo saksofonash që vijnë prej dy epokash përtej skenës, duke mësuar gjuhën e puthjeve symbyllur”. Për të vazhduar me ndërhyrje aty këtu edhe me poezi të Kerouac, Joyce, Whitman, Kavafis, e të tjerë dashnorë shpirtrash të cilat erdhën përmes zërit të Elsa Ymerit dhe Sokol Çungës.
“Publikë më mikpritës se ky i Prishtinës nuk më kishte ndodhur që të shoh, ishin shumë të mirë dhe bashkëpunues sepse u përfshinë në atmosferë dhe duke qenë se ishte hera ime e parë ishte një eksperiencë e bukur unë të paktën më mënyrën time e shijova mirëpo më erdhi edhe reagimi i ngrohtë nga publiku në anën tjetër”, u shpreh Elsa Ymeri për KultPlus, ku tregoi se poezi për të është shumë e veçantë prandaj edhe ajo solli strofa nga poetët që i dashuron duke e bërë këtë natë të paharruar.
Si një urëlidhëse për këtë mbrëmje me publikun, i cili këndoi e vallëzoi duke u bërë pjesë e këtij interaktiviteti , shërbyen edhe këngët e njohura shqiptare të cilat i solli Eda Zari si “Kroi i fshatit tonë”, “Pranvera”, “Qengji i vogël”, “Asamana” dhe “Dola n’penxhere”.
Kurse gjithë këtë mbrëmje e konsideroi si shume freskuese dhe të veçantë edhe Besa Luzha e cila ishte e pranishme.
“Nuk kemi pasur rast që të kemi koncerte të tilla shumë shpesh, natyrisht Eda e ka zërin, talentin dhe mënyrën e veçantë të këndimit dhe pastaj është edhe mënyra sesi ajo i përpunon këngët tona qoftë popullore apo artistike të krijuara me një ngjyrim të posaçëm të Jazz-it të cilën ajo e kultivon e që vërtetë i japin një përshtypje të veçantë interpretimit”, u shpreh ajo për KultPlus.
Për këngëtaren Eda Zari rikthimi në Prishtinë është çdo herë i veçantë e sidomos ngase ka një pritje shumë të ngrohtë nga publiku të cilët sipas saj ishin me të vërtet shumë i dashur dhe thjeshtë nuk dëshironin që të shkonin në shtëpi. Kjo u vërejt edhe nga duartrokitjet e tyre në fund të koncertit çka bëri që këngëtarja të sjellë edhe këngën e njohur “Fever”.
Këngëtarja Eda Zari tregoi për KultPlus, se meqenëse tashmë Shqipëria është pjesa e UNESCO-s dhe atje festohet Dita Ndërkombëtare e Jazz-it, ajo ka vendosur që një koncert të tillë ta mbajë edhe në Prishtinë.
Kështu ky koncert i ideuar nga Eda Zari, është zyrtarisht i regjistruar në listën e koncerteve të Ditës Jazz të UNESCO-s.

“Muzika është për të gjithë ajo nuk është diçka elitare, muzika dhe arti nuk edukon, ajo është aty për shpirtin dhe kënaqësinë tonë. Dhe ne menduam që këtë koncert ta bëjmë në Prishtinë dhe siç e pamë kemi një publik i cili e dashuron Jazz-in por edhe poezinë dhe i cili u involvua në gjithë këtë unazë të krijuar. Dëshiruam që të dalin nga natyra e zakonshme dhe jo se kemi bërë diçka të re apo se ne jemi më të mirët sepse ka çdoherë ide progresive mirëpo meqenëse poezia ishte shumë intime dhe atmosfera shumë mistike, dëshiruam që të mos ketë kod veshje mirëpo vetëm art, fjalë dhe le të themi vetëm ato që janë të mira për shpirtin”, theksoi ajo për KultPlus duke shtuar se largimi i skenës dhe ulja e publikut nëpër shilte dhe afër më njëri-tjetrin është bërë në mënyrë që ata ta ndjejnë publikun sa më afër dhe kështu të shpërndahet edhe dashuria.
Këngëtarja Eda Zari, do të rikthehet përsëri në Prishtinë në kuadër të Dokufest-it për të bërë edhe promovimin e albumit të saj “Entropy”, pas promovimit të albumit më 4 dhe 5 maj në Gjermani ku edhe do të mbajë koncert.