Kulturë

“E kaluara si strehë” gërmon në thellësitë e identitetit shqiptar

“E kaluara si strehë” gërmon në thellësitë e identitetit shqiptar

Në promovimin e librit “E kaluara si strehë” pasditen e së enjtes në librarinë “Dukagjini”, vepra e Janet Reineck është konsideruar si një studim i veçantë, i cili dokumenton e analizon jetën sociale, kulturore dhe gjendjen e popullit nën regjimin jugosllav

Me punën që ka bërë ndër vite, antropologia amerikane Janet Reineck nuk i ka përjetësuar vetëm traditat shqiptare që po shuhen. Ajo ka depërtuar thellë në identitetin shqiptar të Kosovës e studimet e saj, pos peshës shkencore, janë thirrje për ndërgjegjësim. Vepra e radhës, “E kaluara si strehë”, me nëntitull “Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës”, që bazohet në doktoratën e saj, është vetëm një konfirmim i punës, e cila tashmë ka marrë trajtën e misionit. Dhe, Raineck nuk ndalet

Trashëgimia kulturore e shpirtërore shqiptare vjen e dokumentuar nga antropologia amerikane Janet Reineck. “E kaluara si strehë” me nëntitull “Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës” është studim i thellë antropologjik ku shpalosen dimensionet e jetës në Kosovë duke u fokusuar në një regjion të caktuar – në Opojë. Në fakt, Reineck e ka bërë kaherë këtë kur studimet e saj e sollën në Kosovë në fund të viteve ’80. Vepra e radhës, që bazohet në doktoratën e saj, është vetëm një konfirmim i punës, e cila tashmë ka marrë trajtën e misionit. Dhe, Raineck nuk ndalet.

Në promovimin e librit, pasditen e së enjtes në librarinë “Dukagjini”, projekti i Reineck, që zë fill këtu e katër dekada më parë e tash merr formën e veprës studimore, u konsiderua si përjetësim i traditave që po shuhen, por edhe më shume sesa kaq.  

Autorja Janet Reineck ka thënë se hulumtimi i saj kishte nisur që në vitet ‘80 kur kishte biseduar me të gjithë njerëzit që takonte në atë zonë. Edhe me burrat të cilët i pyeste, sa për t’i ndërgjegjësuar po aq edhe për të krijuar botëkuptime, se pse nuk i shkollojnë vajzat.

“Në vitet 1986-1987, me Bajram Berishën, një njeri fjalëpakë, kemi nisur të shkojmë në katunde dhe të bëjmë debate me burrat, të rrimë në odë me ta dhe të debatojmë se pse nuk i çojnë çikat në shkollë, se ju doni të pavarësoheni, por nuk i shkolloni çikat, çfarë po mendoni, cili është mentaliteti? Ajo ka qenë metodë shumë interesante të nxjerrim botëkuptime”, është shprehur Reineck në fjalën e saj para të pranishmëve me rastin e promovimit të librit të saj. Reineck do të vinte në Kosovë në kohën e kthesave të mëdha historike. Fillimisht si antropologe, më pas edhe si punonjëse humanitare. Jetoi me shqiptarët deri në vitin 1997. Tash është rikthyer në mesin e tyre edhe si autore e emisionit “Amerikania përsëri në Kosovë” në KTV.  Është ligjëruese në Universitetin Amerikan të Kosovë, por mbi të gjitha një zë i veçantë në promovimin e kulturës shqiptare. Mësimi i valleve shqiptare gjithandej nëpër botë është vetëm një kapitull i aktivitetit të amerikanes së kosovarizuar.

Derisa ka folur para të pranishmëve në shqipen e pastër të saj, ka thënë se antropologët e rinj kanë aq shumë gjëra për të ndryshuar.

“E kaluara si strehë” është një vepër e çmuar jo vetëm për njohjen e identitetit shqiptar në zanafillë e kaluara, por edhe për zbërthimin e identitetit modern

“Gjithmonë u them studentëve të mi se fëmijët e tyre s’do të dinë asgjë për të kaluarën tuaj, kështu që sa më parë duhet të punojnë për të memorizuar dhe të shohin se ku është identiteti shqiptar. A është në gjuhë, në historinë e prekshme e të vështirë, në ushqim, në muzikë? Unë mendoj se njerëzit duhet të kuptojnë adetet, muhabetet, këngët e kurbetit, ato nuk guxojnë të humbin. Ai identiteti modern që ndërtoni është shumë i hollë, nuk e ka thellësinë që duhet ta ketë”, është shprehur Reineck.

Në “E kaluara si strehë...” kultura e Kosovës krahasohet më të tjera. Kësisoj e ka konsideruar të vështirë punën e përkthyeses së librit nga anglishtja.

“Nuk ka qenë përkthimi i lehtë, është goxha e vështirë të përkthehet. Është një diapazon prej teorive të ndryshme të antropologjisë sesi është në Greqi, në Arabi, në Itali, në vendet mesdhetare, në krahasim me kulturën shqiptare. Pra, në atë mënyrë është libër akademik. Në anën tjetër, flas me katundarë se çfarë mendojnë për jetën, pse nuk i çojnë çikat në shkollë. Ajo ka qenë temë e madhe”, është shprehur ajo derisa ka treguar edhe historinë se si ka vizituar vendet e Ballkanit në kohë të trazuara dhe ka vendosur përfundimisht të qëndrojë në Kosovë.

E lindur në vitin 1954 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fund të viteve ’70 ishte përcaktuar të studionte Etnologjinë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles. Pas diplomimit ishte e interesuar që për hulumtime të nivelit master të studionte vallet e ndonjë populli të Evropës Lindore. Qe njohur me vallet rumune, bullgare, hungareze, maqedonase e kroate, por në Festivalin e Folklorit në Zagreb, në vitin 1981, vallet e shqiptarëve të Kosovës do ta pushtonin kureshtjen e saj.

Kësisoj vendoset në vendin e trazuar politikisht të asaj kohe dhe përfundon tezën e masterit me titull “Wedding Dances from Kosovo, Yugoslavia: A Structural and Contextual Analysis (Vallet e dasmës nga Kosova, Jugosllavia: analizë strukturore dhe kontekstuale). Më pas vendos që edhe tezën e doktoratës, të mbrojtur më 1991 në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, pra këtë botim, ta bëjë në Kosovë. Njësoj sikurse këtë libër, shtëpia botuese “Cuneus” më 2022 botoi nga Reineck edhe “Një amerikane në Kosovë”.  

Vitin e kaluar ajo ka vendosur që të rikthehet e të jetojë në Kosovë, ku është bërë e njohur edhe me mbajtjen e kurseve të valleve në kuadër të organizatës “World Dance for Humanity”.

Përkthyesja e librit, studiuesja Lumnije Kadriu, ka theksuar në fjalën e saj në libër se autorja dëshmon se shqiptarët kanë jetuar qëmoti në kontekst të veçantë kulturor me kontekste të ndryshme historike. E në fjalën e saj shprehet se vepra është një antropologji e thellë dhe etnografi e ndjeshme.

“Aty shpërfaqen dimensione të ndryshme kulturore dhe sociale e të tjera të cilat ajo i sjell si njohuri që i ka mbledhur gjatë një qëndrimi të gjatë në Kosovë. Janë mbledhur duke bërë biseda të ndryshme, qoftë formale, nëpërmjet intervistave apo spontane, gjatë qëndrimeve të saj nëpër fshatra. Gjithashtu ka bërë vëzhgime të gjata sa ka qëndruar, mirëpo ajo që është e qenësishme për antropologjinë është se ajo e ka praktikuar kulturën dhe praktikat kulturore në Kosovë”, ka thënë antropologia Kadriu.

Sipas saj, titulli i librit ngjan në traditat e gjithë vendit.

“Duke marrë parasysh të përbashkëtat që ka popullata gjithandej dhe hulumtimin që e ka përfshirë edhe përtej krahinës së Opojës, e ka bërë që ta hetojë dhe të vërejë një mendësi, një ideologji, siç e quan Janet, të përbashkët e gjithëshqiptare. Kjo pastaj mund t’i kalojë këta kufij. Megjithatë Opoja mbetet krahinë e veçantë me veçori historike kulturore e sociale, të cilat e bëjnë atraktive për studiues vendorë dhe të jashtëm”, është shprehur Kadriu derisa zbulon se trajtimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit për të vendosur rend ka qenë i pashmangshëm.

“Për të kuptuar krejt këtë, Janet, përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit ka analizuar strukturimin shoqëror të shqiptarëve. Pra, ka qenë shumë dominues rregullimi sipas Kanunit dhe ajo na shpjegon të gjitha nivelet strukturore shoqërore duke nisur prej fisit, farefisit, kushërinjve, fqinjëve, e më pas kemi një numër të madh të akterëve të anëtarëve të familjes ku secili ka një pozitë të caktuar. I përshkruan ato pozita, marrëdhëniet brenda familjeve dhe midis tyre”, ka shpjeguar studiuesja Kadriu.

Tema të shumta preken në këtë libër. Hapet me një historik të vendit, me historinë e shkurtër politike. Për zonën të cilën antropologia shkruan, rrëfen për krahinën etnografike të Opojës, demografinë, infrastrukturën, llojet e shtëpive, agrikulturën e migrimin për punësim.

Në kapitullin e dytë të titulluar “Aspekte të peizazhit social” është e drejta zakonore sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, territori dhe fisi, kuptimi i fisit. Aty flitet për farefisin, kushërinjtë e familjen tjetër më të gjerë. Janë edhe marrëdhëniet me familjen e nënës e të babait, sikurse edhe rregullat e trashëgimit, ndarja e pasurisë, familja e madhe e kryefamiljari a kryefamiljarja.

Kapitulli i tretë “Martesa” përfshin rituale e zakone, shumë prej të cilave janë autoktone në vend. Martesa e dyfishtë, përzgjedhja e nuses, marrëveshja martesore e shumë të tjera janë në këtë kapitull të librit “E kaluara si strehë” me nëntitull “Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës”. Kapitujt e tjerë janë “Jeta e grave dhe perceptimi i roleve gjinore”, “Migrimi” dhe “Efektet e migrimit në jetën sociale të komunitetit dërgues”.

Antropologu Arsim Canolli ka thënë se Janet Reineck është një prej autorëve të dokumentimit të jetës sociale të kulturës e gjendjes së popullit nën regjimin jugosllav.

“Ne vetë nuk i kemi përshkruar marrëdhëniet tona familjare. Në këtë libër, faqe të tëra përshkruajnë rolin e vjehrrës në familje, mënyra sesi nuset kanë marrë dorë, kanë dalë në rend. Ato gjëra shpeshherë etnologëve tanë u kanë ikur, pasi u janë dukur pak banale, përderisa për etnologët e huaj, edhe për Janet, ato që neve na duken shumë të afërta dhe banale, atyre u duken unike, specifike e këtij populli. Ia vlen shumë ta lexoni. Kontributi kryesor është dokumentimi i kohës, sepse na jep një referencë shumë mirë për ta krahasuar me transformimet e tanishme”, ka thënë Canolli, ligjërues në Universitetin e Prishtinës.