Galeria “Qahili” hapi dyert për ekspozitën e titulluar “E kaluar e çmuar” si një kompozicion i dyzuar mes veprave të artistëve nga Gostivari, Burhan Ahmeti dhe Nevzat Kica. Hapësira e ndriçuar nga shkëlqimi i kujdesshëm i dritave, shërbeu si sfondi i përsosur për një gamë eklektike të pikturave, vizatimeve, printimeve, akuareleve e shumë mediumeve të tjera që për emërues të përbashkët kanë trashëgiminë kulturore shqiptare
Titulli i ekspozitës, “E kaluar e çmuar”, mjeshtërisht kap thelbin e veprave të shfaqura në të. Secila vepër shërben si një narrativë vizuale, duke eksploruar aspekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore, sa kolektive aq edhe personale të cilat ofrojnë një dritare në personalen e vetë artistëve.
Koleksioni i kuruar nga galeria “Qahili”, me veprat e Nevzat Kicës e Burhan Ahmetit shfaq emocione të ndryshme dhe aspekte të jetës përmes simbolikave duke filluar nga kuajt në vizatimet dhe pikturat e Kicës, e elementet e arkitekturës tradicionale, djepit, veshjet kombëtare e deri te grafikat e Ahmetit. Vëzhgimet e kujdesshme dhe ekspresiviteti i artistëve mbi këtë tematikë arrin të përçojë emocione si dashuria, hidhërimi, ndjenja e përkatësisë. Shfaqin udhëtimin si proces, paraqesin nëpërmjet artit. Mjeshtërisht e konceptuar nga galeria “Qahili”, kësaj ekspozite iu dha një përshkrim meritor, poetik ku siç shkruhet në poster, bëhet ndërthurja e veprave artistike të Ahmetit e Kicës me Sonetin e 30-të nga Shakespearei. Vjen si një reflektim mbi sfidat e jetës dhe kalimin e kohës, fillon me një njohje melankolike të hidhësirave të kaluara në jetë, por më pas gjendet një ngushëllim përmes kujtimeve. Metafora përmes së cilës zbulohet “thesari i së kaluarës” ilustron fuqinë ripërtëritëse të kujtesës, njëjtë si përpjekja e artistëve për të gjetur atë thesar në elementet etnografike shqiptare. Shekespearei thekson natyrën transformuese të dashurisë, ai përmes vargjeve sugjeron se mendimet për të kaluarën sjellin pasuri dhe një mënyrë të ballafaqimit me sfidat e jetës.
“Shakespearei flet për dashurinë dhe në ekspozitë paraqitet një dashuri në aspektin e trashëgimisë kulturore, shoqërisë, zhvillimin e saj si në aspektin akademik e profesional njëjtë dhe në mënyrat se si ndikohet zhvillimi i shoqërisë nga faktorët e jashtëm. Kjo ka qenë ideja, të vijmë me diçka që dallon nga ekspozitat e tjera dhe me sjellë artistë me stile që dallojnë nga njëri-tjetri dhe ata që vijnë të shohin ekspozitën, të shohin diçka të re”, ka thënë Nita Qahili, kuratore në galerinë “Qahili”, pas vernisazhit të ekspozitës, të premten mbrëma.
Veprat e dyshes një rrëfim të thellë emocionesh njerëzore duke udhëtuar në retrospektivë si indikacione të kujtimeve personale të artistëve, qofshin ato portretizime të figurave që kanë qenë pjesë e jetëve të artistëve apo elemente të tjera universale që përbëjnë një imazh të qartë motivesh shqiptare e nostalgjike.
Veprat e Kicës kapin esencën e traditave dhe zakoneve shqiptare në detaje të hollësishme, duke i vendosur elementet tradicionale herë në mënyrë diskrete e herë qartazi përmes thëngjillit në vizatim dhe paletës së ngarkuar mes nuancave të tërkizit në pikturë.
Në anën tjetër, Ahmeti shfaq elementet stilistike tradicionale përmes teknikave të ndryshme të shtypit, duke eksperimentuar në mediume të ndryshme që u japin veprave dimensione shtesë, si tentim për t’i përjetësuar këto simbolika kulturore në çdo pikturë e grafikë.

Nevzat Kica, artist nga Gostivari dhe profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës, e kurorëzoi rrugëtimin e tij akademik me diplomën e masterit nën drejtimin e akademikut Rexhep Ferri. Shkathtësia artistike e Kicës është vlerësuar lartë duke përfshirë çmimin “Petar Mazev” më 2006 dhe Artistin e Vitit në Osten në 2013. Ekspozitat e tij personale, të hapura në vende të ndryshme si në Paris, Boston dhe Lozanë, shfaqin talentin e tij të larmishëm dhe perspektivë unike artistike. Kica gjithashtu ka kontribuar në ekspozita të shumta grupore globalisht, duke eksploruar tema që variojnë nga globalizimi dhe identiteti deri te ndryshimet klimatike dhe evolucioni kulturor.
Ndërkaq, Burhan Ahmeti dikur student i Kicës, njashtu artist nga Gostivari, ka ndërtuar një rrugëtim të pasur, duke përfshirë dhe fushën e akademisë dhe të artit. Është profesor i asocuar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Ka qenë anëtar aktiv në Shoqatën e Artistëve të Maqedonisë së Veriut që nga viti 2007 dhe drejton Simpoziumin Ndërkombëtar të Artit në Strugë. Ai fokusohet kryesisht në eksplorimin e ndikimit të teknikave të shtypit dhe mediave të reja në shkollat fillore në Maqedoninë e Veriut. Krijimtaria e tij artistike ka shkelur salla të njohura nga Galeria Kombëtare e Maqedonisë deri te galeritë në Zürich, New York dhe më tej.
Nevzat Kica ka munguar në hapjen e ekspozitës e Burhan Ahmeti ka folur për lidhjen emocionale që ndien me temën e kësaj ekspozite.
“Vetë titulli i ekspozitës së flet shumë për të kaluarën tonë të çmuar. Kemi fatin që ne si komb të kemi një histori të begatë kulturore duke filluar nga etnografia e deri tek artefaktet arkeologjike”, ka thënë Ahmeti duke treguar se është munduar që t’i risjellë ato elemente si homazh për trashëgiminë kulturore.
“Jam munduar të paraqes ato elemente me kompozicione të grafikës përmes teknikave të ndryshme, kam përdorur si për shembull djepin si detaj, fragmente nga shtëpitë e vjetra të cilat fatkeqësisht nuk ekzistojnë më, por fotografitë apo kujtimet çdo herë do të mbesin”, ka thënë Ahmeti. Ka shtuar se teknikat që ka përdorur ishin kryesisht drugdhendja dhe litografia, përmes të cilave ai synon që këto pasuri t’u përcillen gjeneratave të reja për të vlerësuar të kaluarën e çmuar.
Kjo ekspozitë sjell për dashamirët e artit në Kosovë krijimtari që ka evoluar nga një raport mësimdhënës-student në një bashkëpunim të barabartë në skenën artistike. Nëpërmjet kësaj ekspozite të përbashkët, ata ndajnë me publikun një pjesë të rrugëtimit të tyre, duke shpalosur ndikimin reciprok që kanë pasur në zhvillimin e tyre artistik, por edhe autenticitetin e tyre artistik. Ky moment shënon një bashkëkohësi dhe përvetësim të trashëgimisë së tyre artistike nëpërmjet detajeve të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke sjellë një përvojë unike për ta dhe publikun.
Piktori Esat Valla i pranishëm në hapje të ekspozitës, u shpreh i kënaqur me atë se çfarë pa duke vlerësuar lart realizimin e veprave nga Kica dhe Ahmeti.
“Kjo ekspozitë e ka plotësuar një boshllëk të këtyre ditëve, ka ardhur si një diell pas shiut përmes pikturave të Kicës dhe grafikave të Burhan Ahmetit”, ka thënë ai duke shtuar se këto vepra përçojnë botë dhe emocione interesante. Aso që thërrasin “E kaluara e çmuar”, pikërisht si titulli i ekspozitës.