Harmonia e pianos dhe natyra melankolike e violinës bëjnë që të jetë kombinimi ideal në një koncert kamertal. Është prej përshtatjeve më të shpeshta. Sikurse ka ngjarë në koncertin e radhës në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest”. Dyshja Catalina Butcaru dhe Lucy Hall nga Austria kanë sjellë rrëfime nëpërmjet muzikës nga veprat romantike.
Pianistja Burcaru dhe violinistja Hall praktikisht kanë qenë të parat që kanë shpalosur programin në atë që ngjan si seri e koncerteve në të cilat pianoja vjen në dimensione të ndryshme. E ka nisur me violinë, ndërsa në koncerte të tjera tingujt i harmonizon me violonçel, zë, e madje edhe me orkestër. Por pianoja është e pazëvendësueshme në ngjarjen që ka në qendër instrumentin.
Të hënën, koncerti i pestë me radhë në program është hapur me “Three Romanzas op.22” për violinë dhe piano nga gjermania Clara Schumann. Harmonia e pianos dhe melankolia që vjen nga violina gjejnë gjuhën e përbashkët nëpërmjet tingujve. Tingujt delikatë të violinës e kanë bërë më komplekse veprën. Loja melankolike vjen më intensive në pjesën e fundit. Të dyja bashkohen për të sjellë vijën melodike paralele.
Pianistja rumune që jeton e vepron në Austri, Catalina Butcaru, ka thënë se veprat e Clara e Robert Schumann janë shpesh pjesë e repertorit të tyre për shkak të historive që kanë përbrenda.
“Kohëve të fund e kam goxha shumë në program Clara Schumann, e cila kishte bashkëpunuar ngushtë me Robert Schumann dhe ishin të lidhur jo vetëm personalisht, por edhe si kompozitorë. Qëkur ishin të rinj e njihnin njëri-tjetrin mirë dhe punonin shumë së bashku. Ajo ka shumë ndikim sidomos me veprat e saj që njihen si ‘Romanza’”, ka thënë pianistja Butcaru.
Këtë pjesë e veçuar edhe violinistja kanadeze, e cila po ashtu jeton dhe vepron në Austri.
“Mendoj se ishte program i vështirë. Clara Schumann ishte gruaja e Robert Schumann, i cili në fund të jetës së tij u çmend dhe kjo përfshihet në këtë muzikë që nuk është shumë melodike. Por ajo e Straussit ishte shumë operistike. Shumë e vështirë për t’u luajtur, sidomos pjesa e pianos”, ka thënë Hall.
Ka pasur “Sonata nr.1 in A-minor op.105” për violinë dhe piano nga kompozitori gjerman Robert Schumann. Tingujt ekspresivë vijnë mrekullueshëm nga pianoja. Ata romantikë marrin formë që në nisje të veprës. Notat qëndrojnë afër dhe larg. Ajo rrezaton butësi, guxim e ankth. Në nisje janë melodi tërheqëse që mbretërojnë, por edhe të zymta. Ndërthuren frenimi i tingujve e shpërthimi. Ngjan se është edhe një lloj dallimi në vepër midis harmonisë dhe romantikes në njërën anë e djallëzores në tjetrën.
Kohët e saj “With passionate expression”, Allegretto” dhe “Lively” sjellin ndryshime të njëpasnjëshme në temë. Por secila prej tyre shënohet nga një shprehje e ndryshme.
Në pjesën e fundit dyshja ka luajtur “Sonata in E-flat major op.18” nga Robert Schumann. Koha e parë, ““Allegro, ma non troppo” ngjan pasionante midis tingujsh. Siç vjen nga titulli, improvizuese ka ngjarë e dyta - “Improvisation: Andante cantabile” – derisa janë zhvilluar tema dramatike nga loja e pianos. Në anën tjetër ka kumbuar edhe violina që ka nisur zhvillimet me tingujt të dallueshëm. “Finale: Andante – Allegro” ka nisur melankolike në të cilën shkallë-shkallë zhvillohet dinamizmi nëpërmjet pianos.
Është luajtur gjithashtu edhe “Lo ci darem la mano” nga Chopin ndërsa krejt në fund, si shpërblim ndaj publikut për vlerësimin, dyshja ka interpretuar një “nocturno”, po ashtu nga Chopin.
Pianistja Butcaru është shprehur e nderuar të luajë në skenën e “Chopin Piano Fest”, siç ka thënë, aty ku kanë qenë të ftuar muzikantë të shquar.
“Jam shumë e prekur nga entuziazmi dhe konfirmimi i organizatorëve se gjithçka ka shkuar mirë. Kuptova se në këtë skenë ka pasur muzikantë të shquar dhe mund të ndjehet kjo gjë nga audienca. Është hera e parë që unë interpretoj këtu, por ishte publik shumë i vëmendshëm. Më pëlqen të interpretoj në një vend që është mësuar me këto lloj koncerte”, ka thënë Butcaru.
Derisa ka folur për programin ka thënë se kompozitorët e zgjedhur në repertorin – Schumann dhe Chopin janë bërë bashkë në koncertin e tyre për shkak se kishin lidhje të veçantë miqësore.
“Schumman ishte jo vetëm kompozitor, por edhe redaktor i muzikës. E kishte një gazetë ku diskutonte për kompozitorët e rinj. Ishte i pari që kishte shkruar për Chopin kur ky i fundit e kishte vlerësuar gjeni në moshën 17 vjeçare. Ishin të moshës së njëjtë. Ndërsa sonata e Strauss është pjesë e mrekullueshme, shumë romantike, edhe pse është e post-romantizmit”, ka thënë Catalina Butcarue, e cila ka studiuar në Akademinë e Muzikës në Vjenë dhe në Graz me pianistë të shquar të skenës muzikore.
Performancat si soliste dhe muzikante kamertale në serialin “Musica Juventutits” në “Wiener Konzerthaus” dhe në “ORF Radiokulturhaus” u pasuan me ftesa për Filharmoninë e Luksemburgut, “Atheneumin Rumun” dhe Sallën e Koncerteve të Transmetimeve në Bukuresht, Pallati Esterhazy”, “Salla Martinu” në Pragë dhe jo vetëm.
CD-ja e parë solo e Catalina Butcarus tërhoqi vëmendje ndërkombëtare dhe u vlerësua lart nga kritikët. Shumë projekte të suksesshme e sollën atë me muzikantë të shquar. Që nga viti 2019 ajo është anëtare themeluese e “Korngold Ansamble Wien”.
Ndërsa violinistja, Lucy Hall, ka thënë se në përgjithësi karakteristikë e koncertit kanë qenë vijat e gjata melodike si dhe harmonia që sjell pianoja.
“Ne mundohemi të imitojmë zëra. Nuk është instrument i lehtë, edhe pse luaj për shumë vjet. Karakteristikë kanë qenë vijat e gjata melodike. Pianoja luan pjesë harmonike dhe më shumë nota”, ka thënë Hall, derisa është shprehur e lumtur të shpalosë përvojën e saj në skenën muzikore të Kosovës për herë të parë.
“Për mua është shumë kënaqësi të luaj në vendet e Ballkanit perëndimor sepse njerëzit janë të dashur dhe e vlerësojnë muzikën. Kënaqësi të luaj për një publik që e njeh dhe e vlerëson muzikën’, ka thënë violinistja Hall e cila është paraqitur në festivale anembanë kontinentit dhe përtej.
Ajo mori edukimin muzikor në “Universitat fur Musik und Darstellende Kunst in Wien”. Hall ka interpretuar si soliste dhe muzikante kamertale në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Rusi në salla prestigjioze si “Bolshoi Saal”, “Kolner Philarmonie”, “Place des Arts” dhe “Konzerthaus” në Vjenë dhe jo vetëm.
Është fituese e çmimeve të disa konkursece kombëtare dhe ndërkombëtare si “Romano Romamimi” në Itali, “Brahms Wettbewerb” në Austri, “Festivali Ndërkombëtar i Mozartit për Artistët e Rinj” në ShBA si dhe “Çmimin e Audiencës” në konkursin ndërkombëtar të violinës “Tchaikovsky”. Ajo u nderua edhe nga Ministria e Kulturës dhe Arsimit në Austri pas diplomimit.
Drejtoresha artistike e festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, ka thënë se koncerti solli ngjyra të veçanta muzikore.
“Ishte një koncert me ngjyrë të veçantë. Një muzikim kamertal i përbashkët i duos vërtet fantastike me një zë të pastër, të ëmbël, delikat, të sofistikuar, ekspresiv. Të jashtëzakonshme, të dyja jetojnë mbi tridhjetë vite në Vjenë, aty koncertojnë, kanë kryer shkollimin. Ambasada e Austrisë dhe ne i kemi përkrahur”, ka thënë Pula që është edhe profesoreshë e pianos.
Sipas saj, publiku ka pasur rastin të dëgjojë vepra që rrallë interpretohen në skenën vendore të muzikës klasike, por edhe Sonatën e Straussit për të cilën ka thënë se është luajtur për herë të parë në kryeqytet.
“Publiku i ka shijuar disa vepra që nuk janë dëgjuar shumë herë në skenën tonë. Sonata e Straussit është luajtur në fakt për herë të parë në skenën e Prishtinës e të ‘Chopin Piano Fest’. Ne i falënderojmë që kanë gjetur mundësi dhe kanë shprehur dëshirë për të ardhur në Prishtinë. Edhe pse e dimë se artistët vërtet më me shumë vullnet shkojnë aty ku kanë kushte të shkëlqyeshme, por ato ishin shumë modeste”, ka thënë ajo më tej.
I pranishëm ka qenë edhe ambasadori austriak në Kosovë, Georg Schnetzer.
“Koncerti është rezultat i bashkëpunimit tonë si Ambasadë me festivalin. Çdo vit, për 14 vjet sjellim muzikantë nga Austria në këtë skenë”, ka thënë ai.