Dina përmes vokalit të saj dhe Mel në kitarë u kanë dhënë jetë këtyre këngëve të lashta, të kënduara në të folmen e rrezikuar arbanase, një përzierje magjepsëse e shqipes, italishtes dhe kroatishtes. Në fakt vokalistja me origjinë arbneshe ka realizuar hulumtimin etnologjik, ndërkohë që kitaristja këto rezultate i ka interpretuar bazuar në njohuritë e saja të gjera muzikore
Meloditë pothuajse të harruara të arbneshëve të Zarës janë prezantuar para audiencës në “Lumbardh” të Prizrenit nga dyshja muzikore Dina e Mel. Në fakt Dina Bushiq dhe Melita Ivkoviq kanë hulumtuar, aranzhuar dhe ringjallur këngët e moçme, nëpërmjet projektit artistik “Bërbili - Këngë të harruara të arbanasve të Zarës”.
Dina përmes vokalit të saj dhe Mel në kitarë u kanë dhënë jetë këtyre këngëve të lashta, të kënduara në të folmen e rrezikuar arbanase, një përzierje magjepsëse e shqipes, italishtes dhe kroatishtes. Në fakt, vokalistja me origjinë arbneshe ka realizuar hulumtimin etnologjik, ndërkohë që kitaristja këto rezultate i ka interpretuar bazuar në njohuritë e saja të gjera muzikore.
Si rrjedhojë, fotografitë e arbneshëve bashkë me fragmentet muzikore që Dina i ka dëgjuar nga familjarët e saj janë shfaqur për publikun në hapje të koncertit në kinemanë e hapur. Pas daljes në skenë, Dina Bushiq ka sqaruar nevojën për krijimin e albumit me këngët e harruara, në bashkëpunim me Melitën.
“Ka qenë fati i Zarës, nuk ka qenë e lehtë të jesh arbnesh në Zarë. Zara është një qytet me shumë diversitet, por po ashtu edhe me histori turbulente, shumë luftëra, shumë ndryshime. Prandaj gjuha ka filluar të venitet, gjithashtu edhe muzika. Me këtë projekt ne kemi shpëtuar copëza të trashëgimisë sonë nga fragmente të vogla që kishim dhe më e rëndësishmja është se e kemi ruajtur dhe ua kemi lënë gjeneratave të reja të Arbanasit”, ka thënë Bushiq, vokaliste dhe muzikologe.
Dyshja muzikore në vijim ka interpretuar këngët “Arbëneshi vendi tem”, “Bërbili”, “Ishjë një ditë të mojit majit”, “Me ofiçala / Jam Arbnesh”, “Moj e bukura More”, “Netët”, “Ni merje kam Vana”, “So e dua nanen”, “Zogu i verës”, “Pecat të muzikës per Arbneshit”. Ato për më shumë se një orë kanë krijuar atmosferë melankolie në kopshtin e “Lumbardhit”, teksa në raste të caktuara edhe publiku e ka shoqëruar ritmin. Disa nga këto këngë të mbijetuara janë autentike dhe disa kanë qenë kompozime origjinale të muzikantëve arbëreshë, derisa njëra është edhe produkt i ndikimeve të fqinjëve ballkanikë.
Pas koncertit Dina Bushiq ka bërë të ditur se performanca në “Lumbardh” ka qenë prezantimi i parë në Kosovë, që është pritur bukur nga publiku i pranishëm.
“Publiku ka reaguar shumë bukur, në fakt shkëlqyeshëm dhe kam ndier energjinë e tyre dhe me rëndësi është se jemi paraqitur në një vend të veçantë si ‘Lumbardhi’, që është hapësirë që ruan traditën në njëfarë mënyre, dhe ne jemi gardianet e kulturës dhe muzikës arbneshe. Na vjen mirë që gjithë atë që e kemi hulumtuar dhe përgatitur gjatë këtyre viteve kemi mundur që ta ndajmë me audiencën në Prizren”, ka thënë Bushiq.
Sipas saj, kjo trashëgimi shpirtërore është pjesë e identitetit të arbneshëve dhe prandaj duhet të ruhet.
dhe unë kemi organizatën tonë kulturore që quhet ‘Identitet’. Mendoj se të gjithë jemi në kërkim të copëzave të identitetit tonë dhe ai kurrë nuk është bardhezi. Ai përbëhet nga fragmente të ndryshme dhe aty qëndron bukuria. Gjithashtu është me rëndësi që gjithë atë që ne paraqesim në njëfarë mënyre t'ua lëmë gjeneratave të reja. Këto këngë pothuajse janë harruar në tërësi dhe unë i kam incizuar më shumë se 20 vjet më parë, apo saktë 23 vjet më parë, dhe tani që i kemi aranzhuar në këtë formë jemi të sigurta se ato do të mbijetojnë dhe se do të këndohen”, ka thënë ajo.
Ndërsa kitaristja Melita Ivkoviq ka theksuar se ka pranuar shumë komplimente nga kompozitorët e kolegët muzikantë, të cilët kanë vlerësuar se aranzhimi i këtyre këngëve është bërë me shumë shije dhe me respekt për origjinalen.
“Ka qenë një ndërmarrje e pazakontë, sepse ne nuk kemi pasë këngë të plota, por vetëm fragmente, ndonjëherë vetëm melodi të vogla. Nuk e kam pasur asnjë përfytyrim, asnjë ide se si është luajtur ajo dikur nga dikush apo nëse është luajtur. Pra, kam pasë një pëlhurë të zbrazët ku kam mundur të derdh gjithë dijen dhe përvojën e kitarës”, ka thënë Ivkoviq.
Paraqitja në Prizren, sipas saj, shërben për përtëritjen e lidhjeve me arbneshët e Zarës përmes magjisë së muzikës.
“Ky është koncerti ynë i parë në Kosovë. Kemi qenë tri herë në Shqipëri, dy herë në Tiranë dhe një herë në Shkodër. Është shumë bukur që në njëfarë forme të ripërtërihen lidhjet. Kam ndjenjën se arbëreshët në Kalabri në Sicili janë më të njohur, në raport me ata të Zarës, siç e tha Dina gjatë koncertit, për shkak të kaluarës turbulente, dhe disi arbneshët e Zarës e kanë humbur këtë lidhje, dhe ne jemi këtu që ta rikthejmë atë në mënyrën më të mirë, e kjo është përmes muzikës”, ka thënë ajo.
Dyshja Dina e Mel është krijuar para më shumë se një dekade. Në vitin 2020 ato kanë publikuar albumin “Bërbili - Këngë të harruara të arbanasve të Zarës”, një projekt etnomuzikor që ka arritur të ruajë këngët e arbneshëve, të cilët kishin migruar nga Shkodra në Zarë në fillim të shekullit XVIII.
Dina e Mel do të kenë edhe disa performanca në Kosovë.