“Ju nuk keni një qendër qyteti. Ti mbërrin në këtë vend dhe je paksa i hutuar”, ka thënë prerazi Nicola Regusci nga rrjeti “Cities Connection Project”, i cili tok me kolegun e tij Xavier Bustos mbajtën prezantimin në kuadër të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, një ditë pas hapjes së edicionit të 11-të me ekspozitën e kuruar prej tyre. “Qytetit i duhet një plan urban ku janë të përfshira projektet”, ka thënë Busos
Interesante, kaotike ose e padefinuar, janë përshkrimet që rëndom ia bëjnë Prishtinës vizitorë të huaj. Ka edhe arkitektë me nam që gjejnë diçka unike, por arkitektët nga Barcelona, Nicola Regusci dhe Xavier Bustos, janë më specifikë në konstatimin e tyre. Të dy kanë ardhur për herë të parë në Kosovë, në kuadër të edicionit të 11-të të Festivalit të Arkitekturës, i cili u hap pikërisht me ekspozitën e tyre “Cities Connection Project”, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Një ditë pas vernisazhit, dyshja ka mbajtur një prezantim në kino “Armatë” dhe pos për rrjetin e themeluar prej tyre, ka folur edhe për qytetin nikoqir të Festivalit, që sivjet zbërthen temën “Pasiguritë e sigurta”.
“Ju nuk keni një qendër qyteti. Ti mbërrin në këtë vend dhe je paksa i hutuar. Mendoj që e vetmja qendër është kjo shëtitorja këtu, që është paksa më afër qendrës. Kur arrin në Barcelonë është e sigurt se ku është qendra. Ne erdhëm këtu me aeroplan dhe më pas morëm autostradën dhe gjatë tërë rrugës pamë lagjen e njëjtë dhe menduam ‘ku është qyteti i vjetër?”, ka thënë ai, teksa ka pohuar se dy ndërtesat që i kanë pëlqyer më së shumti janë Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Pallati i Rinisë.
Një gjë të tillë e ka pohuar edhe Bustos. Ka thënë se qytetit i mungojnë shumë gjëra, me theks të veçantë një plan urbanistik. Krijimi i një plani të mirëmenduar urbanistik, sipas Bustos, është i domosdoshëm.
“Qytetit i duhet një plan urban, ku janë të përfshira projektet. Plani urban gjithashtu nënkupton që të mendosh rreth asaj se si duhet të jetë qyteti në të ardhmen, por gjithashtu të mendohen edhe hapësirat publike dhe objektet. Ju keni nevojë për një qytet me dendësi të madhe, por me shtëpi të kombinuara dhe kjo nuk është e lehtë, mirëpo tejet e domosdoshme për qytetin”, ka thënë ai.
E festivali, tok me projektin e prezantimin e tyre synon të hapë tema të tilla, të ofrojë zgjidhje e të bëjë propozime. Si një çelës suksesi të dy arkitektët e konsiderojnë lidhjen e shkëmbimin midis arkitektëve gjithandej. Në këtë frymë janë ekspozita dhe rrjeti i tyre i themeluar para një dekade. Ka për synim të krijojë gjithashtu edhe lidhje midis arkitektëve, agjentëve kulturorë, qeverive dhe universiteteve të qyteteve evropiane.
“Ne zgjedhim njëzet arkitektë të rinj nga një qytet dhe i takojmë me njëzet arkitektë të tjerë të një qyteti tjetër, si për shembull nga Barcelona, por në qendër nuk qëndron gjithmonë Barcelona. Ne përpiqemi të ndërtojmë një rrjet në qytet, ku shkëmbejmë përvoja dhe njohuri me njëri -tjetrin”, ka qenë përshkrimi i shkurtër që Regusci ia ka bërë “Cities Connection Project”.
Me ndihmën e monitorit dy themeluesit e arkitektët e këtij rrjeti kanë shfaqur veprimtarinë e tyre, punën, qëllimet, diskutimet, ligjëratat dhe vizitat e shumta në shkëmbimin e përvojave. Kanë bërë të ditur se deri më tani kanë arritur numrin 265 të projekteve. Puna e tyre kishte krijuar lidhje midis arkitektëve të Barcelonës dhe atyre në Ticino të Zvicrës, për të vazhduar në Zürich, Gjenevë, Bruksel, Bazel e të tjera. Projektet e tyre përfshijnë ndërhyrje në hapësira publike, ringjallje të qytetit, hapësira të përbashkëta banimi e të tjera. Kur është pyetur se cili është projekti më i mirë, arkitekti Xavier Bustos ka dhënë një përgjigje të shpejtë.
“Projekti më i bukur është gjithmonë ai i fundit, sepse gjithmonë shkon duke u rritur numri i pjesëmarrësve, gjë që është e mirë për ne. Gjatë këtyre viteve ne kemi prezantuar 265 projekte. Ajo çka ka ndodhur e që për ne është një gjë e mrekullueshme, është se kur ishim në Bazel, nuk pati arkitektë vetëm të Bazelit dhe Barcelonës, por erdhën edhe arkitektë nga Gjeneva, nga regjione të tjera të Barcelonës e shumë të tjerë. Ka shumë arkitektë që gjithmonë na ndjekin, për shkak të kësaj ne jemi duke punuar në një ekspozitë të re që pritet të hapet më 2026 në Barcelonë”, ka bërë të ditur ai.
Hapja e ekspozitës dhe ligjëratat lidhur me projektet e shumta, sipas Bustos, janë një mundësi e mirë për arkitektët e rinj në Kosovë. Sipas tij, një gjë e tillë mund ta shtyjë edhe qeverinë komunale në krijimin e një pamjeje më të mirë të qytetit.
“Mendoj se këtu ka ende shumë për t’u bërë dhe kjo është një mundësi për qytetin. Ne kemi ardhur nga Barcelona, dhe atje ka ndërtime të tëra arkitekture nëpër projekte shumë të mëdha. Kjo është hera e parë që jemi këtu dhe kjo është një mundësi e mirë për arkitektët e rinj, por jo vetëm për ta, mirëpo edhe për ta shtyrë qeverinë që të ndërtojë një arkitekturë më të mirë, të ndërtojë një qytet më të mirë”, ka thënë ai.
Ardhjen e dy themeluesve të “Cities Connection Project” e ka vlerësuar edhe vetë drejtori i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, Bekim Ramku. Ka thënë se projektet e tyre mund të shërbejnë si shembuj edhe për vendin.
“CCP-ja, në çdo qytet që e bën projektin, programin e vet, përzgjedh projekte të veçanta. Në rastin tonë, në ekspozitë, ne kemi shfaqur tri qytete që njihen për arkitekturë të veçantë: Bazelin, Brukselin dhe Barcelonën. Janë përzgjedhur projekte që kanë të bëjnë me mirëqenien shoqërore, sociale. Janë projekte publike, në sheshe, qendra të kulturës, banim social. Ka projekte që janë modele shumë të mira për Prishtinën dhe Kosovën në përgjithësi”, ka thënë ai.
E bashkëpunimi me këtë rrjet arkitektësh nuk do të përfundojë me kaq. Organizatorët janë në proces të përzgjedhjes së njëzet projekteve, të cilat do të kenë mundësi të bëhen pjesë e CCP-së.
“Ne jemi në procesin e përzgjedhjes së njëzet projekteve nga Kosova që sado pak kanë njëfarë kualiteti dhe kanë elementin e publikes dhe shoqërores në vete. Ka me qenë pak vështirë, por po mundohemi t’i përzgjedhim që më pas ato të mund të bëhen edhe pjesë e CCP-së dhe të bëjmë bashkëpunime të ndryshme mes arkitektëve dhe qyteteve”, ka bërë të ditur Ramku.
Arkitektët nga Kosova fillimisht do të kenë mundësi edhe t’i vizitojnë disa nga qendrat e tyre. Sipas Ramkut, një gjë e tillë mund të çojë në krijimin e bashkëpunimeve më të thella.
“Si hap tjetër neve veçse na kanë ftuar të shkojmë në Bazel të takohemi me shoqatën e arkitektëve. Përveçse do të shohim punën e arkitektëve të CCP-së, do ta prezantojmë edhe Prishtinën si qytet në kontekstin e Kosovës dhe do të hulumtojmë mundësitë për bashkëpunime më të mëdha. Më pas do të jemi në Barcelonë dhe qytete të tjera. Gjithmonë duke u munduar që të marrim arkitektë nga Kosova, me projekte sadopak të realizuara mirë apo të mirëmenduara edhe nëse realizimi i tyre nuk është i njëqind për qindtë”, ka shpjeguar Ramku.
Pas Reguscit dhe Bustos, përvojat e tij lidhur me projektet e ndryshme arkitekturale i ka shpalosur edhe arkitekti zviceran Jonathan Hermann, bashkëthemelues i “Stereo Architektur” me bazë në Bazel dhe Zürich. Projektet e tij fokusohen kryesisht ne ruajtjen e ambientit, gjë të cilën e bën duke përdorur sa më pak materiale që e ndotnin ajrin. Fillimisht ka shpjeguar se në qytetin ku jetonte, në Bazel, me kalimin e viteve çmimi i qirasë kishte pësuar rritje drastike. Nisur nga kjo, Hermann së bashku me grupin e arkitektëve të tjerë të “Stereo Architektur”, kishin krijuar ndërtesa me materiale tejet të thjeshta, të padëmshme për ambientin dhe tejet minimaliste në mënyrë që çmimi i tyre të ishte sa më i lirë, por që në të njëjtën kohë të ishin edhe të përshtatshme për banim.
Në vitin 2023, “Stereso Architektur” fitoi konkursin për banim kooperativ në “Walkenweg” në Bazel dhe momentalisht është duke planifikuar ndërtimin e 140 banesave dhe hapësirave të përbashkëta publike.