Kulturë

Dyshja “Çivlaku” paraqitet me këngë të rralla të muzikës së vjetër qytetare

Vargjet e këngës “Vemi o vemi”, që i ka kënduar të shtunën Anton Çivlaku i shoqëruar në kitarë nga vëllai i tij, Eduard Çivlaku, e kanë hapur koncertin virtual, 30-minutësh të organizuar nga kinemaja “Jusuf Gervalla” në Pejë. Përveç kësaj kënge, vëllezërit që ndryshe njihen si dyshja “Çivlaku”, kanë kënduar edhe disa këngë të tjera të vjetra qytetare. Ato ishin përbërësi kryesor në repertorin e tyre të shtunën, që u dëgjua nga 5 mijë e 400 njerëz. Videoja e njëjtë u shpërnda nga 33 të tjerë nga faqja e kinemasë në “Facebook”.

Anton Çivlaku, i cili në koncert u paraqit edhe duke luajtur, ka thënë së përmes muzikës kanë dashur që t’i argëtojnë njerëzit dhe të largojnë vëmendjen e tyre nga pandemia. Dyshja solli edhe këngët si “Lamtumirë”, “Moj e bukura more”, “Hapi sytë”, “Kur hëna del”, “Shqipëria, mallëngjimi”, “A mban mend”, “Mori Maria”, “A e mban mend kitare e dashur”, “Plak me merak” e “Kjani trima”. I kanë interpretuar ato në hapësirë të hapur mbi lagjen “Asllan Qeshme” në Pejë dhe brenda në kinema.

“Një thënie thotë se: ‘Muzika shpreh edhe të pashprehurën’. Pra, muzika argëton njerëzit, i bën të lumtur dhe mendoj që ky koncert kishte për qëllim që të na largojë sadopak nga kjo gjendje monotone e pandemisë”, ka thënë Anton Çivlaku. Ai ka diplomuar në drejtimin "Edukim në muzikë" dhe ka interpretuar nëpër koncerte të ndryshme në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Gjermani, Belgjikë, Itali e vende të tjera. Çivlaku, po ashtu, është pjesë e disa orkestrave dhe ansambleve e po ashtu edhe koreve në Kosovë.

“Këngët qytetare që i kemi përzgjedhur siç dihet sot po janë të pranishme te disa rryma muzikore, ku për mendimin tim nuk kanë ndonjë vlerë artistike. Këto këngë i përzgjodhëm për arsye se disa nga to janë unike, të padëgjuara ose shumë pak të dëgjuara nga publiku. E disa të tjera më të dëgjuara i kemi zgjedhur për arsye se kemi menduar se janë të duhurat dhe se janë këngë të pastra shqip”, ka thënë Çivlaku.