Kulturë

Dymbëdhjetë projekte kinematografike synojnë buxhetin e shtetit

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore, për këtë vit, Qendra Kinematografike e Kosovës në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve do të ketë dy milionë euro

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore, për këtë vit, Qendra Kinematografike e Kosovës në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve do të ketë dy milionë euro

Janë gjithsej 12 projekte për filma të gjatë artistikë që ia kanë mësyrë thirrjes së pazakontë të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Për konkursin e hapur në dhjetorin e vitit të kaluar – veç në një kategori – pas hapjes së aplikacioneve, QKK-ja ka njoftuar për projektet aplikuese. 

“Gjurmë” nën regji të Rita Krasniqit, “Sa o Roma Babo” nën regji të Agim Sopit, “Dua” nën regji të Blerta Bashollit, “Dua të shkoj sërish në det” nën regji të Leart Ramës, “Zanushja” nën regji të Sabri Pajazitit,

“Babai dhe babai” nën regji të Besim Ugzmajlit dhe “Lule” nën regji të Edon Rizvanolliut janë midis aplikimeve. Në listë zënë vend edhe “Vajza” nën regji të Eki Rrahmanit, “Zëri që nuk dëgjohet” nën regji të Luan Kryeziut, “As numrat e telefonit nuk i shkëmbyem” nën regji të Genc Berishës, “Vezë mjellme” po ashtu nën regji të Berishës dhe “Lindur për të jetuar” nën regji të Kastriot Avdylit.

KOHA e ka pyetur drejtoreshën e QKK-së, Blerta Zeqiri se kur pritet të emërohet juria dhe kur do të hapet thirrja për kategoritë e tjera. Zeqiri ka treguar se juria do të emërohet brenda pesë ditësh, përderisa për thirrje tjetër nuk është përgjigjur. 

Më 2024,  QKK-ja s’ia kishte dalë që as në dhjetor të hapë konkurs të plotë, por vetëm për film të gjatë artistik, duke lënë jashtë 10 kategori. I dhjetorit dhe vetëm për film të gjatë qe konkursi i vetëm për krejt vitin. 

“Në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet përsëri thirrja për të gjitha kategoritë. Në janar ose në shkurt më së largu”, kishte thënë Zeqiri në dhjetor. 

Sa i përket konkursit aktual, ajo nuk kishte treguar se sa mjete planifikon të ndajë QKK-ja. 

“Sipas legjislacionit në fuqi, në mbledhjen e parë të jurisë ia komunikojmë jurisë buxhetin që duhet ta ndajmë. Do të thotë diku në fillim të muajit shkurt”, kishte thënë Zeqiri. 

Sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për këtë vit, QKK-ja në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve do të ketë dy milionë euro. Vjet i ka pasur 1.6 milion euro. 

Sipas Zeqirit, për kineastët është shumë me rëndësi të ketë thirrje të shpeshta dhe janë duke punuar në këtë drejtim. Sipas saj, fusha e filmit tash do të ndihmohet shumë edhe nga Rregullorja e rabatit që parasheh kthim të investimeve të produksioneve të huaja për 30 për qind. 

“Do të thotë shumë filma mund të përfitojnë prej rabatit edhe të sjellin fonde shumë më shumë në Kosovë për realizimin e filmave tanë. Veç po lajmërohen, e po bëjnë pyetje produksionet lokale, të cilat kanë gjetur mënyra që t’i rritin buxhetet e vogla të filmave të tyre përmes investimeve të huaja – me Rregulloren e rabatit”, kishte thënë Zeqiri. 

Sipas Zeqirit, për kineastët është shumë me rëndësi të ketë thirrje të shpeshta dhe janë duke punuar në këtë drejtim. Sipas saj, fusha e filmit tash do të ndihmohet shumë edhe nga Rregullorja e rabatit që parasheh kthim të investimeve të produksioneve të huaja për 30 për qind. Sipas saj, pothuajse të gjitha shtetet evropiane kanë zvogëluar buxhetet për filmin, kurse Kosova veç po e rrit atë.