“Për autorin është e rëndësishme, sepse zgjerohet rrethi i lexuesve; bëhet një provë reale e vlerësimit të veprave në ato mese ku kultura e leximit ka një traditë të madhe. Mbase edhe serioziteti i botuesve është shumë larg nivelit të botuesve tanë, sepse e nderojnë shkrimtarin dhe bëjnë angazhime të mëdha për përhapjen e atyre botimeve”, ka thënë shkrimtari Ibrahim Kadriu për botimin e romaneve të tij “Vdekja e Anilës” dhe “Misioni rus” nga botues të njohur francezë
Romanet “Vdekja e Anilës” dhe “Misioni rus” të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, tashmë flasin edhe frëngjisht. Mustafë Jashari është ai që i ka përkthyer, kurse janë botuar nga dy botues me nam në Francë. “Les éditions Saint-Honoré”, që sipas përshkrimit në ueb-faqen e vet shkruan se ka për synime të mbështesë autorët në projektet e tyre është prapa publikimit të “Vdekjes së Anilës”. Shtëpia botuese “Éditions Baudelaire”, e themeluar në vitin 2007 me objektivin që t’u ofrojë shkrimtarëve një shtëpi për t’u dhënë mundësinë e ndikimit kombëtar, por edhe ndërkombëtar – është botuese e romanit “Misioni rus”.
E se përkthimi i veprave, përkatësisht botimi i tyre nga ndonjë botues i huaj, ka rëndësi të madhe për autorët, e thekson edhe vetë Kadriu. Sipas tij, në rend të parë veprat e përkthyera fitojnë peshë më të madhe, sidomos kur shohin dritën në gjuhët e mëdha, siç është anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja e kështu me radhë.
“Për autorin është e rëndësishme, sepse zgjerohet rrethi i lexuesve; bëhet një provë reale e vlerësimit të veprave në ato mese ku kultura e leximit ka një traditë të madhe. Mbase edhe serioziteti i botuesve është shumë larg nivelit të botuesve tanë, sepse e nderojnë shkrimtarin dhe bëjnë angazhime të mëdha për përhapjen e atyre botimeve”, ka thënë ai. Si për të vërtetuar këtë, ka treguar se “Édition Baudelaire” i ka dërguar një e-mail, ku i ka bërë të ditur se “Misionin rus” ua ka dërguar mbi tetëdhjetë gazetarëve, institucioneve e kanaleve televizive.
“Të them se për opinion francez, këto dy vepra edhe si përmbajtje mund të zgjojnë kërshërinë, meqë, siç dihet, ‘Misioni rus’ është frymëzuar nga ngjarjet reale historike të luftërave ballkanike dhe pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe... Ndërkaq, te romani ‘Vdekja e Anilës’ paraqiten kontradiktat sociale në mjedisin e një qyteti në epokën moniste me përqendrim te ndjekjet e organeve të shtetit policor...”, ka shkruar ai në përgjigjen për KOHËN.
Ka theksuar se duhet të ketë edhe angazhim institucional rreth botimeve në gjuhë të huaja.
“Në krye të institucioneve (siç është Ministria e Kulturës, për shembull) ndërrohen kryesorët, por asnjëri prej tyre nuk është i interesuar të kuptojë se libri i përkthyer (njësoj si sportistët e afirmuar jashtë, muzikantët, apo artistët e popullarizuar), e kanë rolin e ambasadorit atje ku publikohen”, ka shtuar ai. Për të është e çuditshme se si ekzistojnë komisionet e librave, “në kuadër të institucionit të kulturës, por ato nuk merren edhe me rëndësinë e botimeve në gjuhë të huaja, qoftë me përkrahje morale, apo edhe pse jo materiale”.
Sipas përshkrimit, “Vdekja e Anilës” paraqet kontradiktat sociale në mjedisin e një qyteti në epokën moniste ku secila lëvizja përqendrohej, studiohej dhe ndiqej nga organet e shtetit (policor), ku atmosfera e hidhur politike krijonte marrëdhënie njerëzore, kur në sistemin e përgjimit vëllai akuzon vëllain.
“Anila, një gjimnaziste, e bukur, e qetë, është viktimë e një atmosfere policore nën pretendimet sipas të cilave, ajo lexon libra të ndaluar nga sistemi. Anila, e gjetur e vdekur afër një lumi, përkatësisht e mbërthyer në degët e shelgut të zbritur gjer në sipërfaqen e ujit, ndikon në personazhet të karaktereve të ndryshme...”, është shkruar në rezymenë e librit.
Ndërkaq, për romanin “Misioni rus” – me të cilin Ibrahim Kadriu më 2016, mori shpërblimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë, pjesë e veprave të Botimeve KOHA – është shkruar se vepra është frymëzuar nga ngjarjet reale të luftërave ballkanike dhe pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe. Romani dëshmon përfshirjen e misionarëve rusë në ushtrinë serbe.
“Ky roman mbështetet në ngjarje të vërteta të kohës, përkatësisht të pushtimit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe në krye me gjeneralin Bozhidar Jankoviq, më 1912 dhe për depërtimin e ushtrisë serbe në Shqipëri drejt bregdetit Adriatik”, shkruhet në prezantimin e këtij romani.
Kadriut deri tani veprat i janë përkthyer në dhjetë gjuhë: “Koprena vremena” , serbokroatisht, poezi (Veli i kohës) – (1984), “Lekovit izvor”, roman, serbokroatisht (Kroi i Ilaçit) - (1987), “Na ramas timp pentru sarbatori” (S’mbet kohë për kremte), Bukuresht (poezi) rumanisht (2005) “Dreni dhe Drenusha”, novelë, ilustracion shqip-norvegjisht, (2005), “Narod je kriv” (Populli është fajtor) përzgjedhje e poezisë në gjuhën malazeze (2013), “Gloria ortada” (Gloria në mes) Stamboll, roman turqisht (2014), “Tempo incenerito nelle puçille” (poezi italisht) Pelegrini – Kozenca (2015), “Klemenos horos (Kohë e vjedhur) poezi greqisht, Athinë (2017), “Korsningar” (Udhëkryqe) poezi suedisht, Boras (2019), “Përtej binarëve” (roman, arabisht) Oman- Jordani (2020). Romani i përkthyer në arabisht, vitin e kaluar, pas prezantimeve nëpër disa media të njohura atje, ka bërë jehonë, sidomos pas prezantimit në pesë panaire të atjeshme.
Ibrahim Kadriu u lind në Zhegër më 8 janar të vitit 1945. Shkollën fillore e kreu ne vendlindje, kurse atë të mesmen në Gjilan. Studimet universitare i kreu në Prishtinë. Pas dy vjetëve të punës si pedagog, më 1968 ka filluar punën e rregullt të gazetarit në të përditshmen "Rilindja", gazetar e redaktor i kulturës dhe reporter i lirë. Në ”Rilindje” i ka vazhduar puna gjer në dhjetor të vitit 1999 kur (në detyrën e redaktorit) kalon në të përditshmen “Zëri”. Që nga vitet ‘60 ai ka qenë prezent më publikime të poezive dhe prozës dhe romaneve.