Dy tenda përgjatë sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë janë bërë strehë e dhjetëra artizanëve, që në gjysmën e dytë të kësaj jave kanë ekspozuar produktet e tyre në Panair.
Në mesin e tyre janë edhe dy zonja, që po përthekojnë të 50-at. Të dyja kanë një jetë që punojnë punëdore. Kryesisht me grep e gjilpërë. Mes vete nuk kanë të përbashkët më shumë sesa puna që bëjnë e rrëfimi për to. Bedrie Shurdhani e Shukrie Osmani rrëfejnë për rrugëtimin e tyre me këtë zanat, bashkë me përditshmërinë që i përcjell, shkruan Koha Ditore.
Gjergjefët me mesazhe
Disa kasnakë apo gjergjefë, siç u thonë varësisht prej trevave, e që dikur kanë shërbyer vetëm për të qëndisur, janë kthyer në mjet dekori. Bedrie Shurdhanit i ka mjaftuar një fotografi në një faqe interneti për të shtuar në korpusin e gjërave që bën edhe këto dekore.
Kasnakët, si u thotë ajo, i punon me porosi në gjuhën shqipe. Mesazhet thotë se i bën vetë. Shumica e atyre që i ka të ekspozuara në tezgën e saj janë të dedikuara nënës.
“Shtëpia është e zbrazët kur mungon zëri i nënës”, “E mira që s’ka fund e ka emrin Nënë”, “Nënë ti je lumturia jonë”, janë disa nga mesazhet që ajo ka shkruar.
“Më tha njëri një ditë: S’paske për babë asgjë. I thashë: Po s’po rri në shtëpi baba. Qesha”, thotë ajo, teksa i vjen për të qeshur edhe tash... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)
