Kulturë

Dy romane grafike flasin shqip dhe një rrugë që po hapet

Se “Anmiku n’gji” i Lili Sohn dhe “M’u desh me ta thanë” i Aude Mermilliod tash mund të lexohen edhe në shqip, do të mund të dukej diçka e zakonshme, por për romanin grafik në Kosovë çon goxha peshë. “GRANFesti” me përurimin e këtyre dy titujve e ka përmbyllur edicionin e dytë duke dëshmuar se ka për synim që këtij zhanri t’ia hapë dyert e të ftojë autorë të rinj në rrugëtim me artin e nëntë

Kosova mund të mos ketë traditë të gjatë të romanit grafik, siç kanë disa vende evropiane – në veçanti Franca – por është drejt trasimit të një rruge. Meritat i takojnë Festivalit Ndërkombëtar të Romanit Grafik që të dielën përfundoi edicionin e tij të dytë. “GranFest” përmes ilustrimeve të fuqishme bëri bashkë adhurues e profesionistë nga bota e stripave dhe romaneve grafike. Treditëshi u përmbyll me promovimin e dy librave në shqip: “Anmiku n’gji” i autores Lili Sohn dhe “M’u desh me ta thanë” e Aude Mermilliod. Pos autoreve, në teatrin “Oda” të dielën janë bërë bashkë edhe pjesëmarrësit e tjerë të “GRANFestit” dhe ngjarja s’ka qenë përurim i zakonshëm.

Platforma shprehëse

Image

Mermilliod gjatë promovimit të librit të saj ka treguar se që e vogël ka mbajtur ditar. Kjo e kishte lehtësuar në ngurrimin që mund të kenë njerëzit kur shkruajnë për jetën e tyre. Autorja nga Lyoni i Francës ka promovuar në Prishtinë librin e saj më të suksesshëm deri më tani.

Autorja, e cila ka jetuar e ka punuar edhe në Bruksel, nuk përton t’u qaset temave të vështira me guxim, ka thënë se përvoja me ditar e kishte bërë të mësojë duke e parë veten në tekste a vizatime.

Te “M’u desht me ta thanë” ajo kap eksperiencën e saj me abortin.

“I jap publikut një si lloj dëshmie të saj që kaloi kështu, që edhe ata mund të lidhen me atë që shkruaj”, ka thënë Mermilliod. Ishte 24-vjeçare kur abortoi. Një zgjedhje për të cilën, siç shkruan në libër, asnjëherë nuk u pendua. Por, kjo s’do të thotë që për të ishte e lehtë.

“Ky vendim ma ka trazuar jetën e më ka lënë të vetmuar përballë ndjenjave që nuk mund t’i shpjegosh. Vite më vonë kam vendosur me i shpreh në këtë libër. Me i thanë të tana ato që heshtazi i mbajmë për veti. Shpresoj që dëshmia ime të jetë e dobishme dhe qetësuese për të tjerët”, citohet ajo në botimin në gegërisht të librit të saj, përkthyer nga Gazmend Bërlajolli.

Rrëfimi bën bashkë dy zëra: atë të autores dhe të mjekut e shkrimtarit Martin Winckler. Të dy flasin për një temë që akoma nxit debate e konsiderohet tabu.

Arti i rrugëdaljes

Image

Tabu është tema që sjell edhe “Anmiku n’gji” i Lili Sohn, autore e pesë librave. I kishte hyrë rrugës së shkrimtares krejt rastësisht. Ishte 29-vjeçare kur ishte diagnostikuar me kancer në gji. Kishte nevojë për t’u shprehur dhe strehë gjeti te arti i nëntë dhe hapësira e tij e pakufishme. Internetin e kishte përdorur si platformë, larg fletëve të shtypura. Në fillim madje kishte dashur që identiteti i saj të mbetej anonim, pasi që nuk dëshironte të etiketohej si një vajzë që kishte pasur kancer në gji akoma pa i bërë 30 vjet. Por e kishte kuptuar që kjo përvojë do të ishte pjesë e jetës së saj përgjithmonë. “Prandaj më mirë ta pranoj”, kishte thënë ajo. Gjithë këtë eksperiencë Sohn, e lindur në vitin 1984 në Strasburg, e ka dokumentuar me nuanca humori në librin e saj.

“Në fillim kisha nisur që të vizatoja në një ueb-faqe, për të ndarë atë që po më ndodhte dhe njerëzit filluan të komentonin dhe të më jepnin forcë kështu që ishte më e lehtë për mua që të ndaja diçka kaq intime”, ka thënë ajo. Tani i gëzohet faktit që edhe lexuesit në Kosovë mund të kenë qasje në librin e saj, botuar nga “GRANFesti”, përkthyer nga Donjetë Sadiku.

“Mendoj se kjo është në rregull pasi që shumë gra kanë kancer në gji dhe ne duhet që flasim për tema të tilla që konsiderohen tabu, duhet t’u ndihmojmë njerëzve dhe ta bëjmë normale faktin se gratë duhet prekur trupin e tyre, gjinjtë, për të parë se a është gjithçka në rregull”, ka thënë ajo. Por, jo gjithçka kishte qenë e lehtë. Doza e frikës e dëshira për t’i ikur realitetit vërehen edhe në libër. Në jetën reale ishin edhe më të theksuara. Megjithëse, arti ishte një rrugëdalje.

“Kur isha e sëmurë nuk shkoja në punë, mendoj se në përgjithësi kur je e sëmurë nuk mban kontakte me shoqëri, nuk del jashtë, kështu që kjo po më ndihmonte, ishte si një lloj terapie, kisha një blog dhe njëkohësisht pra po bëja diçka në të mirë të shoqërisë”, ka thënë Sohn.

Ardhja e dy autoreve në Kosovë shkon përkrah temës së sivjetme të Festivalit që në qendër kishte gratë në novelën grafike, edhe si artiste, autore, por edhe si epiqendër e rrëfimeve të novelave grafike.

Nga perspektiva e grave

Kështu, Sohn por edhe Mermilliod sjellin rrëfime parë nga perspektiva e grave. “GranFest” për këtë edicion kishte planifikuar edhe promovimin e romanit grafik “Dy jetët e Penelopës” të autores Judith Vanistendael, por botimi është shtyrë për shkak të disa problemeve teknike. Është premtuar një promovim i veçantë sa më shpejt që të jetë e mundur edhe me prezencë të autores.

“Botuesit nuk kanë kuota, ata nuk marrin tri gra e pesë burra...Këto të gjitha janë gra që kanë luftuar për të marrë pozitën e vet”, ka thënë Gani Jakupi, organizatori dhe themeluesi i “GRANFestit”. E kishte fjalën për ato që u bënë pjesë e edicionit të sivjetmë. Përveç Sohn, Memilliod e Judith Vanistendael – që vjen nga Brukseli, fituese e disa çmimeve e nominuar tri herë për “Eisner Awards” në SHBA – pjesëmarrëse ishin edhe Edith – ndër vizatueset më të talentuara në lëmin e romanit grafik franko-bleg – Salome Joly – juriste zvicerane, skenariste dhe autore – Sonia Dechamps, e cila njëherësh është edhe bashkëdrejtore artistike e Festivalit në “Angouleme”, që është festivali më i njohur i novelës grafike në botë.

“Në fillim nuk mundesh me prit pagë të madhe edhe pse duhet të jetosh. Në fillim duhet vetëm me ia hap vetes dyert. Pra, edhe gratë duhet me ia çelë vetes rrugën, të bisedojnë për tema të cilat burrat nuk dinë t’i flasin”, ka thënë Jakupi.

Ai ka thënë se “GRANFest” do të ketë edhe për iniciativa, edhe për përkrahjen e autoreve kosovare, por edhe vetë ato duhet të ndërmarrin hapa.

Një vështrim nga bota

Gani Jakupi ka treguar se është politikë e Festivalit që të seleksionojnë artistë të ndryshëm. Duke u nisur nga Lili Sohn, që ka aftësi fillestare grafike, të Judith Vanistendael, që ka një teknikë pikturale ose David Prudhomme, që është ndër grafistët më të mirë francezë e që është shumë kompleks, ose Stefano Casini, që është më tradicional. Të gjithë këta ishin pjesëmarrës të edicionit të sivjetmë krahas Shpend Kadës e Dardan Lutës nga Kosova.

“Gjithkush mundet me e gjetë segmentin e vet të mënyrë të shprehjes, pra duhet vetëm me pasë talent, interesim, që me vu në pah atë imagjinatën e vet”, ka thënë Jakupi, teksa ka ritheksuar se “GRANFest” mund të shërbejë si urë lidhëse e autorëve vendorë me tregun e huaj. Shembull është Franca, ku çdo vit e më shumë botohen romane grafike. Nga 700 romane grafike në vit në të 90-at, tash ka deri në 5 mijë botime.

“Nuk njoh ndonjë industri tjetër kulturore që ka pasur këtë rritje”, kishte thënë për media Stéphane Beaujean, drejtor e artist i festivalit në Angouleme.

Madje, sipas një hulumtimi të prezantuar nga ky festival, në vitin 2018, në Francë dhe Belgjikë industria e romaneve grafike kishte pasur një fitim prej 510 milionë eurosh.

Autorja Mermilliod e di që zhanri që ajo aplikon në Kosovë s’e ka popullaritetin që e ka në vendlindje të saj. Por i ka lënë përshtypje kujdesi që tregojnë edhe zyrtarët e drejtuesit e kulturës për këtë zhanër e për Festivalin.

“Romani grafik është një biznes i vogël këtu, kështu që ishte shumë mirë që në një formë ta promovojmë këtë medium në Kosovë para njerëzve të rinj, të cilët dëshirojnë që ta provojnë”, ka thënë ajo.

Edhe Sohn i inkurajon të rinjtë që të ndjekin atë që duan.

“Përmes internetit keni mundësi që të gjeni njerëz që u pëlqen arti i juaj. Ndoshta jo gjeografikisht afër jush, por interneti e ka këtë anë të mirë. Unë kam publikuar gjerat online dhe më pas publiku ka ardhur te unë, kështu që tani kam pesë libra. Pra, gjithçka është e mundur, thjesht bëni atë që dëshironi”, ka thënë ajo.

Por përderisa dy autoret kanë gjetur rehati edhe te platformat digjitale, dikush si Jakupi mund ta dojë më shumë tradicionalen. Pak rëndësi ka mediumi. Me rëndësi mbetet dëshira për t’u bërë pjesë e këtij komuniteti.

Vetë Jakupi ka thënë se drejtuesit e Festivalit do të bëjnë çmos për t’ua siguruar mjetet të rinjve që do të jenë të interesuar për artin e nëntë.