Sukseseve të fundit të filmit kosovar u shtohen edhe ato të aktorëve nga Kosova. “The Van” nën regji të Erenik Beqirit nga Shqipëria, me aktorët Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj nga Kosova, është në listën e ngushtë për nominim në kategorinë e filmit të shkurtër. Garën drejt “Oscarit” për filmin më të mirë ndërkombëtar e vazhdon edhe “Qou vadis, Aida?”, ku luan aktori Alban Ukaj. Në bisedat për KOHËN, Bajraktaraj, Muçaj e Ukaj kanë thënë se rrugëtimi i këtyre filmave drejt çmimit të madh është sukses madhor
Pa u bërë një javë prej sukseseve historike të filmit nga Kosova – me triumfin e trefishtë të “Zgjoit” në “Sundance Film Festival” dhe atë të “Në kërkim të Venerës” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam – aktorët e këtij vendi kanë bërë një hap më tutje.
Në listën e ngushtë të “Academy Awards” janë dy filma me tre aktorë nga Kosova që ua kanë mësyrë çmimeve “Oscar”.
E mërkura është shënuar me lajmin se në garën për më të madhin çmim në botën e kinematografisë janë edhe “The Van” nën regji të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë aktorët nga Kosova, Arben Bajraktaraj dhe Afrim Muçaj. E vazhdon garën në kategorinë e filmit të shkurtër.
Ndërsa filmi boshnjak “Quo vadis, Aida?” nën regji të Jasmila Zhbaniqit, ku luan aktori Alban Ukaj, është në listë të ngushtë në kategorinë për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Arben Bajraktaraj: “Rrugëçelje për filmin e hapësirës shqiptare”
Erenik Beqiri nëpërmjet “The Van” (Furgonit) në “Academy Awards” çon Shqipërinë e viteve ’90. Shpalos rrëfimin e një djali rreth të 20-ve, i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Filmi u dha premierë botërore në maj të vitit 2019, në Festivalin e Filmit në Cannes.
Në rol kryesor është artisti francez Phénix Brossard, i cili luan Benin. Ai realizon duele brenda furgonit. Shpreson që më paratë të cilat do t’i grumbullojë nga fitoret, të arrijë të largohet nga Shqipëria dhe të marrë edhe babanë e tij. Filmi 15-minutësh është produksion shqiptaro-francez. “The Van”, dy vjet më parë u bë filmi i parë shqiptar në garë për “Palmën e Artë” në Cannes.
“Është pa dyshim një vlerësim i jashtëzakonshëm dhe krahëmbështetës për talentin krijues të Erenik Beqirit, si dhe punën shumë të vyeshme të tërë ekipit. Njëherësh është edhe një rrugëçelje për filmin e hapësirës shqiptare në përgjithësi, në vazhdën e lajmeve të mira, si me ‘Zgjoi’ të Blerta Bashollit apo atë të Norika Sefës dhe të tjerëve para tyre”, ka thënë aktori Arben Bajraktaraj për suksesin e “The Van” në të cilin luan
Aktori Arben Bajraktaraj, që luan të atin e personazhit kryesor, ka thënë se ky është suksesi i radhës i filmit shqiptar.
“Është pa dyshim një vlerësim i jashtëzakonshëm dhe krahëmbështetës për talentin krijues të Erenik Beqirit, si dhe punën shumë të vyeshme të tërë ekipit. Njëherësh është edhe një rrugëçelje për filmin e hapësirës shqiptare në përgjithësi, në vazhdën e lajmeve të mira, si me ‘Zgjoi’ të Blerta Bashollit apo atë të Norika Sefës dhe të tjerëve para tyre”, ka thënë ai teksa ka përmendur suksesin historik të filmit që shtjellon rrëfimin jetësor të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, sikurse edhe atë “Në kërkim të Venerës” të Sefës, me të cilin mori Çmimin e special të jurisë në “Tiger Competition” në Festivalin e Filmit në Rotterdam.
Bajraktaraj, i cili jeton e punon në Paris – i njohur për publikun ndërkombëtar edhe për filmat “Harry Potter and the Order of the Phoenix” (2007), “Taken” (2008), “Harry Potter and the Deathly Hallows” (2010) – është kthyer prapa në kohë kur për herë të parë takoi regjisorin Erenik Beqiri.
“Në qershor të 2014-s, pas premierës së ‘Radio Ilirisë’ në Teatrin Eksperimental të Tiranës, shfaqjes që kishim krijuar mbi një mijë e një të zezat që regjimi i Shqipërisë ‘mëmë’ u kishte bërë kosovarëve të shkretë që iknin nga mizoritë e Rankoviqit, një djalosh i ri m’u afrua dhe propozoi të takoheshim rreth një projekti të shkurtër filmik që po përgatiste”, ka kujtuar Bajraktaraj në një bisedë për KOHËN, të mërkurën. Ishte fjala për bashkëpunimin e tyre të parë “Bon Appetit”, një rrëfim për njeriun e etur për pushtet.
“Film për mua vërtet shumë domethënës, dhe u kënaqa shumë me vizionin e qartë krijues të tij, por edhe me kulturën e gjerë filmike që kishte. Më kujtohet fjala e tij, pas disa shkëmbimeve që patëm kur më tha: ‘Unë dua të bëj filma’”, ka kujtuar Bajraktaraj.
Aktori i shquar ka shtuar se realizimi i filmave ishte si një domosdoshmëri, gati po aq e nevojshme sa frymëmarrja vetë.
“Jam habitur shumë kur herë pas here më informonte se ky apo ai projekt filmik që ai kishte propozuar nuk kishin marrë mbështetje nga Qendra Kombëtare e Filmit”, ka thënë ai duke mos e prekur këtë pjesë, mirëpo duke u rikthyer te rrugëtimi i “The Van” drejt çmimit të madh. Ka thënë se ai u realizua me punë e këmbëngulje të madhe, si dhe me mbështetjen e ‘Anima Productions’ nga Tirana dhe ‘Origine Films’ nga Franca, që besuan në talentin e Erenik Beqirit, bashkëpunimin me të cilin e ka cilësuar si shumë të bukur.
“Uroj si i tillë që rrugëtimi i këtij filmi po aq të fuqishëm dhe prekës rreth temës së emigrimit, ëndërr-rrugëdalje e vetme, plagë e thellë e shoqërisë shqiptare, të shkojë deri në ceremoninë e ‘Mekës’ së filmit”, ka thënë ai.
Afrim Muçaj: “Çmimi ‘Oscar’ do të ishte ëndrra më e bukur me sy hapur”
Afrim Muçaj në “The Van”
Aktori Afrim Muçaj ka rolin e gangsterit në “The Van”. Drejton personazhin kryesor në një rrugë jo të drejtë për të fituar para.
“Uroj që të ecim sigurt gjatë kësaj rrugë dhe të arrijmë në cakun që të gjithë ne kemi synuar. Uroj dhe besoj që shpejt të mbërrijmë në atë festival prestigjioz. Do të ishte ëndrra më e bukur me sy hapur”, ka thënë Muçaj, i cili në skenat e filmit shihet pas dueleve duke i dhënë para Benit.
Vetë aktori francez, Phénix Brossard, në një bisedë për KOHËN në majin e vitit 2019, kur filmi ishte futur në garë për “Palmën e Artë”, kishte thënë se nëpërmjet procesit të realizimit të tij kishte mësuar edhe për shtetin shqiptar. “Ishte një rol tepër fizik dhe brutal për t’u luajtur, dhe unë ndieja që stafi teknik dhe aktorët ishin tepër mbështetës. Isha i vetëdijshëm edhe para xhirimit, por unë mësova shumëçka mbi problemet e Shqipërisë nga Ereniku teksa po punonin mbi rolin”, kishte thënë ai.
“The Van” erdhi për publikun kosovar vitin e kaluar në kuadër të edicionit të 19-të të “DokuFestit”, që u mbajt online prej 6 deri më 14 gusht. Ishte në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtër, ku triumfoi “Sun Dog” nën regji të Dorian Jespers.
Alban Ukaj: Arritja e “Quo vadis, Aida?” – homazh për viktimat e Srebrenicës
Skenë nga filmi “Quo vadis, Aida?” nën regji të Jasmila Zhbaniqit, ku luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj
Parashikimet se “Quo vadis, Aida?” ka shanse të shumta për çmimin “Oscar”, së paku deri më tani dolën të sakta. Propozimi i Bosnjë-Hercegovinës për “Academy Awards” – që e vazhdon garën për “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar – është një homazh për viktimat e gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë. Premierën botërore e pati në Festivalin e Filmit në Venecie, në shtatorin e vitit të kaluar. Prej atëherë u prit mirë nga kritika.
Aida, të cilën e luan aktorja serbe, Jasna Gjuriçiq, është kryepersonazhi i filmit. Punon si përkthyese për Kombet e Bashkuara në kohën kur boshnjakët në Srebrenicë i pret masakra. Në mesin e turmës kërkon edhe familjen e saj. “Tarik, a e ke parë familjen time?”, i drejtohet ajo kolegut të saj përkthyes e të cilin e luan Alban Ukaj.
Aktori i njohur nga Kosova, i cili ka vite që jeton e punon në Sarajevë, ka qenë i mbërthyer nga emocionet kur ka folur për KOHËN edhe disa orë pas shpalljes së listës së ngushtë për “Oscar”.
“Nuk po arrij që të kanalizoj, ekonomizoj emocionet. Por është një nga ato momentet që ndodhin rrallë, e ndoshta vetëm një herë në jetë. Duke e ditur temën që e shtjellon filmi, rëndësinë dhe peshën që e ka gjenocidi i Srebrenicës, unë këtë film dhe këtë arritje të filmit e shoh si një lloj homazhi për viktimat e Srebrenicës”, ka thënë ai.
Ka falënderuar jo vetëm ekipin që realizoi filmin, por edhe ata që e përkrahën. E në mesin e tyre edhe artistë nga Kosova.
“Këtu vlen të ceket edhe përkrahja që e kemi marrë nga Dukagjin Lipa dhe Dua Lipa, nëpër rrjeteve sociale. Filmi vjen nga një vend i vogël që për herë të dytë është afër çmimit ‘Oscar’. Herën e parë me ‘No Man’s Land’ nën regji të Danis Tanoviqit dhe tani me ‘Quo vadis, Aida?’”, ka thënë ai. “No Man’s Land” e mori çmimin “Oscar” në vitin 2002 dhe qe një arritje historike jo vetëm për Bosnjën.
Ukaj ka thënë se ky sukses i “Quo vadis, Aida?” shpreson të ndikojë në sensibilizimin e botës për masakrën në Srebrenicë.
“Pres që në arenën ndërkombëtare të fillojë të bisedohet përsëri për gjenocidin e Srebrenicës, prej pikëpamjes tjetër, pak më thellë dhe pres që kinematografia në Bosnjë të ketë një kontinuitet më të mirë që qeveritarët me e kuptu që ambasadori më i mirë i një shteti ballkanik, është kultura”, ka thënë ai.
Në të njëjtën kategori të “Quo vadis, Aida?”, Kosova kandidoi me filmin “Exil” nën regji të Visar Morinës, i cili ka mbetur jashtë listës. Sidoqoftë, regjisori arriti që me këtë projekt kinematografik të shënonte suksese të tjera. “Exil”, drama e një të huaji që kërkon kuptimin e jetës, është i nominuari i katërfishtë për çmimin gjerman të kritikëve të filmit. Fituesit do të bëhen të ditur përmes një komunikate për media më 22 shkurt të këtij viti.
Suksesi historik i Kosovës në “Academy Awards” është ai i vitit 2016 me filmin “Shok” nën regji të Jamie Donoughue, me Lum Veselin e Andi Bajgorën në role kryesore, i cili u nominua në kategorinë e filmit të shkurtër.
Në pritje të nominimeve
Kategoria për filmim më të mirë ndërkombëtar ishte synuar nga 93 kandidatë nga po aq shtete. Të mërkurën janë bërë publike vetëm listat e ngushta për nëntë kategori të çmimeve “Oscar”, përderisa ato kryesoret do të bëhen publike në gjysmën e marsit, kur shpallen nominimet.
Për atë që dikur ishte “Oscar” për filmin më të mirë të huaj (joanglisht) e që prej vitit të kaluar quhet “kategori për filmin ndërkombëtar”, pos filmit të Bosnjë-Hercegovinës, në garën drejt nominimit janë edhe 14 të tjerë.
Drejt nominimit janë: “The mole agent” nga Kili, “Charlatan” nga Republika Çeke, “Another round” nga Danimarka, “Two of us” nga Franca, “La Llorona” nga Guatemala, “Better days” nga Hong-Kongu, “Sun children” nga Irani, “Night of the Kings” nga Bregu i Fildishtë, “I’m no longer here” nga Meksika, “Hope” nga Norvegjia, “Collective” nga Rumania, “Dear Comrades!” nga Rusia, “A sun” nga Tajvani dhe “The man who sold his skin” nga Tunizia.
“Duke e ditur temën që e shtjellon filmi, rëndësinë dhe peshën që e ka gjenocidi i Srebrenicës, unë këtë film dhe këtë arritje të filmit e shoh si një lloj homazhi për viktimat e Srebrenicës”, ka thënë aktori Alban Ukaj për “Quo vadis, Aida” në të cilin luan rolin e Tarikut
“The Van” ka konkurrentë filmat: “Bittu”, “Da Yie”, “Feeling Through”, “The Human Voice”, “The Kicksled Choir”, “The Letter Room”, “The Present”, “Two Distant Strangers” dhe “White Eye”.
Rregullat janë të ndryshme për çdo proces votues, por në shumicën e kategorive votat nga specialistë të fushave të caktuara merren parasysh për të krijuar listën e ngushtë dhe pastaj edhe pesë nominimet finale, me të gjithë anëtarët e Akademisë të cilët ftohen që të votojnë.
Edicioni i 93-të i “Academy Awards”, ngjarjes më të rëndësishme kinematografike në botë, është paralajmëruar të mbahet në “Dolby Theatre” në Hollywood, Los Angeles më 25 prill, dy muaj më vonë sesa zakonisht për shkak të situatës me pandeminë.