Kulturë

Dy botë në një skenë me dekilatesë femërore e groteskë mashkullore

Baleti Kombëtar i Kosovës ia ka bërë sefte premierës së parë për sivjet me performim dybotësh: “Entre dos Aguas” i fali publikut një përjetim të paharrueshëm të magjisë së flamengos spanjolle dhe vallëzimeve nga toka iberiane; kurse “Troy Game”, duke ndërruar diskun, solli përmes lëvizjeve muskulore e akrobacioneve një anë groteske të mashkullorësisë. “Alternimi i pjesës teknike me atë të mendimeve dhe lojës aktoriale ishte në vendin e duhur”, ka vlerësuar profesori i koreografisë nga Tirana, Artan Ibershimi

Të rralla janë herët kur skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës shkëndijon nga një miriadë tingujsh, stilesh e lejlash klasike të flamengos. E mjeshtëruar deri në dromcat e fundit të përsosurisë nga koreografi amerikan Robert North, “Entre dos Aguas” (Midis dy ujërave) solli jehet e stilit vibrant spanjoll në një vazhdë ndërthurjesh tërheqëse që përfshinte edhe imazhe të stilizuara toreadorësh e valltarësh të flamengos.

Mbrëmjen e së enjtes, audienca e kufizuar në TKK ka shijuar për më shumë se një orë performancat e balerinëve në premierën e parë të sivjetshme të veprave “Entre dos Aguas” dhe “Troy Game”.

Me lojën subtile të 21 performuesve, klasikja spanjolle ka baraspeshuar artistikisht vallëzimin dhe muzikën: alegria, buleria, tango dhe rumba duke u ndërthurur me kërcime të tokës iberiane si jota aragonase dhe ajo sevilase. Kjo koreografi magjepsëse baleti ishte kopsitur më 1984 nga Robert North, mu atë kohë kur interesimi për flamengon spanjolle kishte arritur majat pas filmit të Carlos Sauras, “Carmen”.

Koreografja turke, Lale Balkan, nuk mund ta fshihte kënaqësinë që kjo pjesë ia doli mbanë synimit të saj. Me duartrokitjet e publikut, problemet e kaluara ndër prova, si ndriçimi e hapësira e vogël për performim, ngjanin si një “kosto” sfidash që veç e kalitën prodhimin e fundmë artistik.

“Jam shumë e lumtur. Balerinët e kanë performuar në mënyrë fantastike”, ka thënë Balkan për KOHËN.

E familjarizuar prej një dekadë në Kosovë e pranë balerinëve, ajo është shprehur e lumtur që shfaqja e vështirë doli me sukses.

“Koha e pandemisë po e vështirëson gjithçkanë, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë”, ka shtuar ajo.

E shija e flamengos i ka rikthyer në kujtesë tenorit, Luan Durmishi, i cili ishte i pranishëm në premierë, shfaqjen e dhënë para një dekade “Dashuria që vret”, nën koreografi të Ilir Kernit.

“Edhe kjo shfaqje më la përshtypje. Nuk i mungonte asgjë as anës teknike e asaj emocionale të balerinëve tanë të shkëlqyer”, ka thënë ai.

Me gëzimin për një performancë të kaluar me sukses, balerinës Leonora Rexhepi i kishte mbetur veç një peng: që plot të interesuar nuk mund të merrnin pjesë për shkak të kufizimit të numrit të audiencës në TKK.

“Është hera e parë që bëhet një shfaqje si kjo me një koncept spanjoll të flamengos e jazzit”, ka thënë ajo.

Image
Në kontrast me delikatesën femërore, “Troy Game” ka vënë në skenë temperamentet mashkullore

Duke rikujtuar sfidat gjatë provave në pandemi, balerina Rexhepi ka vlerësuar se “Entre dos Aguas” ishte një përvojë krejt e ndryshme si për shkak të muzikës, ashtu edhe për shkak të ndarjes në dy pjesë.

“Jemi kënaqur duke e performuar edhe në prova, edhe sonte, por edhe publiku u nda i kënaqur”, ka shtuar ajo.

Duke kontrastuar me delikatesën femërore të pjesës së parë, “Troy Game” ka vënë në skenë temperamentet mashkullore nëpërmjet një loje mbimesatarisht dinamike.

Nën udhëheqjen koreografike të artistit britanik, Julian Moss, ky balet i krijuar më 1974 në London Contemporary Dance Theatre, ishte një satirë e ngjeshur e qëndrimeve makiste që janë pjesë e pandarë e sporteve.

Në krye të herës ajo ishte ndikuar nga lojërat e mundjes lashtogrekëve por edhe sporteve luftarake si aikidoja japoneze dhe capoeira braziliane, por “Troy Game” tashmë është një balet i njohur tejendanë.

“Kjo pjesë fshikullon në mënyrë zbavitëse faktin që burrat janë burra, një shfaqje e burrave që pozojnë me muskuj”, ka thënë Moss, i cili këtë pjesë e kishte inskenuar plot pesëdhjetë herë gjithandej botës.

Koreografi i njohur anglez, i cili për herë të parë ka bashkëpunuar me BKK-në, e ka vlerësuar punën e jashtëzakonshme të ekipit balerinëve që nuk u ndalën gjatë kufizimeve të pandemisë.

“Për fat të mirë ia dolëm të bëjmë një performancë të mirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, shfaqja zbavitëse që zbulon anë groteske të mashkullores ka një vijë të vazhdueshme me të kaluarën.

“Në secilin ekip ka karaktere dhe është mirë që çdo herë të bëhen karaktere e valltarë të rinj”, ka shtuar Moss.

Vlerësime të larta për nivelin e lartë artistik të performuesve ka pasur edhe profesori i koreografisë në Fakultetin e Artit Skenik në Tiranë, Artan Ibershimi që kishte ardhur enkas për të parë premierën e Baletit të Kosovës.

“Është një premierë me cilësi të jashtëzakonshme dhe trupa ka arritur një nivel të lartë tekniko-profesional”, ka thënë ai teksa ka vënë në pah diferencën me kohën kur para dhjetë vjetësh kishte punuar me balerinët e Kosovës.

Derisa, sipas tij, pjesa e parë ishte shfaqje me shumë energji, pozitivitet dhe karakter, ajo e dyta ishte e një karakteri më grotesk që lidhet me natyrën njerëzore dhe mënyrën se si meshkujt sillen me njëri-tjetrin dhe shoqërinë.

“Alternimi i pjesës teknike me atë të mendimeve dhe lojës aktoriale ishte në vendin e duhur edhe në pikëpamje kompozicionale”, ka vlerësuar Ibershimi.

Ndryshe, për Baletin Kombëtar të Kosovës, “Entre dos Aguas & Troy Game” ishte premiera e parë për sivjet, që vjen pas “Sisters” me koreografi të Mehmet Balkanit. Vitin e kaluar BKK-ja solli premierën e parë, më 5 mars me inskenimin e “Pushimit të kalorësve” nën koreografi të Natalia Osipovas. Shumë shpejt pas saj, pas shpërthimit të pandemisë, u anuluan të gjitha aktivitetet, për t’u rikthyer në tetor me repriza shfaqjesh, e një muaj më vonë nisën përgatitjet për “Sisters”.