Kulturë

Dy akademitë zyrtarizojnë bashkëpunimin për dy vjetët e ardhshëm

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës të mërkurën në Tiranë kanë nënshkruar marrëveshje në kuadër të protokollit dyvjeçar të veprimtarive të përbashkëta 2024-2025.

Marrëveshja e nënshkruar prej akademik Mehmet Krajës, kryetar i AShAK-ut, dhe homologut të tij në AShSh, Skënder Gjinushi, ka si qëllim bashkëpunimin në të gjitha fushat që të vazhdojë “të zhvillohet tradita e bashkëpunimit të frytshëm kërkimor-shkencor mes dy akademive pas bisedimeve dhe shkëmbimit tё mendimeve pёr zhvillimin e mëtejshëm tё marrëdhënieve ndërinstitucionale nё përfundim tё periudhës sё protokollit për vitet 2022-2023”.

Sipas njoftimit në ueb-faqen e AShAK-ut, akademik Gjinushi ka vënë në dukje se për përforcimin e këtij bashkëpunimi për periudhën 2024-2025, do të mbahet parasysh rëndësia e ndërmarrjes së nismave të përbashkëta shkencore nga të dyja palët, e shkëmbimit të kërkuesve, përvojave dhe informacionit shkencor, mbështetur në marrëveshjen-kuadër të nënshkruar ndërmjet dy akademive.

“Akad. Kraja, kryetar i ASHAK-ut, foli për përparësitë e këtij bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe shprehu sigurinë e tij se vështirësitë që dalin gjatë punës në realizimin e projekteve të përbashkëta do të përballohen me rritjen e efiçiencës dhe të ndikimit të kapaciteteve shkencore në mirëqeverisje, por edhe me mbështetjen e qeverive të të dyja vendeve”, shkruhet në njoftim.

Po aty shkruhet se veprimtaritë e përbashkëta që i bashkëngjiten marrëveshjes së nënshkruar konsistojnë në konferencat ndërkombëtare dhe mbarëkombëtare, tryezat shkencore, projektet, botimet dhe bashkëpunimet ndërmjet qendrave të kërkimit shkencor.

“Ndër veprimtaritë e përbashkëta janë edhe tri veprat madhore: Enciklopedia shqiptare; Fjalor i madh i gjuhës shqipe; Histori e shqiptarëve. Protokolli do të zbatohet duke lënë hapësirat për zgjerimin dhe shtimin e aktiviteteve gjatë punës së përbashkët të të dyja akademive”, shkruhet në njoftim.

© KOHA Ditore

Folegjenda: Akademik Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të mërkurën në Tiranë kanë nënshkruar marrëveshje në kuadër të protokollit dyvjeçar të veprimtarive të përbashkëta 2024-2025 (Foto: AShAK)