Flautistja Nina Shala dhe kitaristi Drilon Çoçaj kanë një histori të gjatë me Festivalin që sivjet ka prekur edicionin e 17-të. Ata kanë qenë aty që nga fillimi. Edhe si instrumentistë, edhe si pjesë e stafit. Të dy tashmë emra të njohur për adhuruesit e festivalit “DAM” dhe për publikun prishtinas janë bërë bashkë për herë të parë në skenë me një program të veçantë.
Me veprën e kompozitorit argjentinas të tangos, Astor Piazzola, dyshja ka përcjellë tingujt melankolikë që tangon e bën më shumë si përjetim tingujsh sesa një stimulim për të vallëzuar. “Caffe 1930” mbërthen një epokë të re të tangos ku njerëzit e ndalën vallëzimin dhe e përjetuan më shumë si këngë. Tingujt romantikë erdhën në harmoni mes tingujve të pastër që nxjerrin të dy instrumentistët.
Loja e tyre përcillet me një vijueshmëri tingujsh që nxjerrin në pah kontrastet që i ndajnë dy instrumentet. Me tinguj po aq romantikë ka qenë kapërcimi i radhës te kompozimi i kompozitorit spanjoll Fernardo Sor. Mjeshtërinë në nota muzikore dyshja e ka shprehur edhe në interpretimin e “Danza espanola Nr.5” të Enrique Granados. Dyshja ia ka dalë që në mbrëmjen e tretë të festivalit “DAM” të përcjellë botën e pasur të tingujve muzikorë nga vallëzimet spanjolle. “Cavantina” e Stanlet Mayes që shpërfaq universin muzikor të kompozitorit anglez ka qenë ndalesa e radhës për publikun. Një version i veçantë i veprës shumë të dëgjuar në botë ka ardhur në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. “Kur më vjen burri nga stani” e ka bërë lojën e dyshes intensive, duke përcjellë meloditë e një prej veprave më të njohura shqiptare. Në kuadër të “DAM”-it ka ardhur në një version unik ku tingujt ndjekin me ritëm të shpejtë njëri-tjetrin.
“Ky program përmban kryesisht këngë dhe valle spanjolle, e kemi përzgjedhur bashkërisht sepse kemi dashur të luajmë diçka më interesant për publikun”, ka thënë flautistja Nina Shala. Shala ka ndjekur master-kurse me profesorë të njohur. Pjesëmarrja e saj në ansamble të ndryshme mundësoi mbajtjen e koncerteve në Zvicër, Itali, Francë, Spanjë, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Ajo është anëtare e trios “Entr’acte” me të cilën performon vazhdimisht që nga viti 2014.
Dyshja që ka gjetur harmoninë në skenën e “DAM”-it kanë një miqësi të gjatë që ua ka bërë edhe komunikimin muzikor më të lehtë. Çoçaj, që shquhet për lojën e tij në kitarë, këtë e ka dëshmuar me koncerte në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut e Suedi. Bashkëpunimet me të ndodhin rrallë e hiç. Por, loja e përbashkët me flautisten Shala është një përjetim më vete.
“Ky është koncerti im i parë me ndonjë duet, sepse kam luajtur vetëm solo dhe kjo për mua ka qenë eksperiencë shumë e veçantë. Në lojë me dikë i sheh të metat tua, të cilat mund t’i ndryshosh në të ardhmen”, ka treguar Çoçaj. Kitaristi që ka një rrugëtim të gjatë me festivalin “DAM” thotë se nëpërmjet këtij festivali është njoftuar me publikun edhe jashtë Prishtinës. E për të Festivali mbetet i veçantë pikërisht për faktin se u jep hapësirë muzikantëve të rinj në Kosovë dhe jashtë kufijve. Dhe me këtë, sipas tij, Festivali ia del gjithmonë të sjellë risi. Me këtë koncert organizatorët kanë shprehur edhe mirënjohjen e instrumentistëve që kanë besuar në festivalin që nga themelimi, edhe atëherë kur mbështetja për të ishte simbolike. Sipas drejtorit artistik të festivalit “DAM”, Dardan Selimaj, këta dy muzikantë kanë ndihmuar organizimin e Festivalit si muzikantë dhe në organizimin e në gjetjen e mbështetjes/ fondeve për ta nisur Festivalin në vitin 2006.
“Ata rikthehen si dyshe me një program jashtëzakonisht të veçantë edhe për koncertin. E ndiej të nevojshme t’ju falënderohem jo vetëm atyre, por edhe prindërve, sepse në atë kohë si studentë të rinj pa qenë shumë të vetëdijshëm se në çfarë jemi përfshirë i kemi bërë pjesë të organizimit edhe prindërit tanë qe kanë qenë mbështetës”, ka thënë Selimaj për KOHËN.
Shtatë këngë popullore spanjolle të kompozitorit Manuel de Falla kanë ardhur të përshtatura në kitarë e flaut në përmbyllje të koncertit. Këngët zbërthejnë tinguj kontrovers, pasi që ato vijnë nga vende të ndryshme të Spanjës. Këngët e krijuara në vitin 1914 i këndojnë një takimi të dashurisë nëpër etapa të ndryshme. Dyshja me një lojë kuintative e ka bërë gati se të pahetueshëm kalimin nga kënga në këngë, duke e prezantuar gjithë koncertin si një tërësi të gërshetimit muzikor. Flautistja Lule Ballata e ka vlerësuar këtë program në kombinimin e këtyre dy instrumenteve muzikore.
“Të dytë janë shumë të mirë, programi ishte shumë i mirë. Është një përzgjedhje shumë e bukur dhe ne nuk anojmë vazhdimisht te ky stil, te veprat e këtyre kompozitorëve, kështu që ishte një freski besoj për të gjithë”, ka thënë Ballata për KOHËN.
Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” do të vazhdojë edicionin e 17-të deri më 3 korrik.