Nostalgjia për zhurmën e vegut dhe malli për aromën e artizanaleve në shtëpinë e nënës do ta kthenin Hana Zabelin në punë. Ka kohë që ajo ka nisur prodhimin e veshjeve kombëtare, të qilimave e të punëve të tjera. Misioni, më shumë sesa për të fituar për ekzistencë, është mbajtja gjallë e traditës, shkruan sot Koha Ditore.
Gruaja nga Skenderaj bën thirrje që vlerat kombëtare të ruhen me xhelozi. Një porosi e ka edhe për vajzat. Ajo ka mbushur gjashtë dekada jetë dhe ka fituar pavarësinë ekonomike.
Fija e lidhjes së kujtimeve
Hana Zabeli e mban mend veten në moshën 6-vjeçare, kur i ka ndihmuar nënës së vet në punët e vegut.
“Më duket si sot koha kur isha 6-vjeçe, e nëna m’i jepte me i mbushë me fije të holla pambuku atyre që u thoshim kalema”, kujton Zabeli.
Dy prej këtyre kalemave të drunjtë ajo i ka ende dhe i ruan me shumë xhelozi. Kanë vlerë monumentale, si artefakte familjare. Një vizitë te shtëpia e fëmijërisë së saj do ta kthente kahun e jetës për Zabelin.
“Ideja më lindi kur shkova një ditë në shtëpi. Më mungonte ajo aroma që ka qenë më herët, nuk e ndijsha atë kërsimën e vekut që për mua ka qenë ushqim shpirtëror”, thotë Zabeli me mall. Dhe e vazhdon rrëfimin, me një dialog që thotë ta ketë pasur me vëllanë e saj të dytë.
“E pyeta, nëse mundem ta marr vekun e nënës Ajshe. Më tha: po motër, veç nëse e gjejmë diku. U ngrita dhe fillova ta kërkoj. E gjeta në një vend dhe u ula pranë tij e mendova. Thashë aty për aty se do t’ia nisi të punoj”, rrëfen Zabeli.
E krahas mendimit, do të niste punën për kompletimin e vegut shumëpjesësh.
“E pashë që mungonte drugëza, me të cilën bëhet endja e perit. Nuk u ndjeva mirë... Por erdhi vëllai i madh dhe më pa që po e mbledhja vekun. Më tha: a po i mungojka diçka? I thashë po dhe i tregova. Qeshi dhe më tha se e ka ai. U gëzova shumë më pas”, thotë ajo.
E pyetur për të krahasuar kohët, Zabeli ndjen dhimbje për vështirësitë që kanë hasur në të kaluarën nëna e saj dhe gratë e tjera të asaj kohe.
“Puna atëherë ka qenë shumë e vështirë. Është dashur që krahas kësaj pune të bëjnë edhe shumë punë të tjera. S’kanë pasur rrymë, dhe gjithçka ka qenë punë dore. Pastaj nuk kanë pasur zgjidhje të materialit si sot, me penj pambuku, gllaku, mëndafshi. Në atë kohë kanë punuar me fije të bishtit të kalit”, thotë ajo.
Ka kohë që ajo ka nisur prodhimin e veshjeve kombëtare, të qilimave e të punëve të tjera. Kishte qenë një ditë krejt e zakonshme kur ndjeu mall për vegun e së ëmës. Një pjesë e tij, që quhet drugëza, lidhet me mënyrën se si e ktheu në funksion vegun e së ëmës e bashkë me këtë vazhdoi traditën. “Drugëza” është emri i shoqatës së saj, që ka bashkuar 70 gra
Zabeli thotë se puna e vegut, hiq disa lehtësime të aty-këtushme, mbetet punë e vështirë edhe sot e kësaj dite. Prandaj ajo thotë se mund të ketë ndodhur që shumë pak gra kanë mbetur që e bëjnë këtë punë. Prapë me shkas, ajo flet për mënyrën se si bëhet puna me veg.
“Së pari bëhet endja e perit. E bën masën 10 metra gjatësi. Pastaj duhet endur perin sa do ta bësh gjerësinë, siç i themi ne deri në 500 fije”, thotë Zabeli, që pa u lëshuar në më shumë detaje shton se gjithë këtë vështirësi e bën me shumë kënaqësi. “E bëj me mall dhe nostalgji për nënën dhe gjyshet”, thotë ajo.
Pikënisja me dy veshje kombëtare e një qilim
Krejt kjo punë e merakut e nostalgjisë u kthye në biznes. Me dy veshje kombëtare dhe me një qilim, që e kishte marrë model nga një tjetër i punuar nga e ëma e saj, do të niste gjithçka. Një lokal jo fort i madh, në Skenderaj, do të ishte pikënisja.
“E mora me qira atë lokal dhe nisa të punoja. E pashë që interesimi ishte i madh, kisha shumë njerëz që vinin dhe më vizitonin, shumë njerëz që e donin dhe e vlerësonin këtë punë. Vinin edhe shumë vajza e gra që kishin nevoja të ndryshme. Për çdo ditë shtoheshin puna e interesimi”, thotë Zabeli.
Krahas zhvillimit të punës, Zabelit do t’i lindte ideja edhe për themelimin e një shoqate.
“E bëra për t’iu ofruar përkrahje edhe këtyre vajzave e grave që kishin nevojë. Siç e dimë, lufta la pasoja të mëdha, na shkatërroi fizikisht e shpirtërisht. Mendova që këto vajza e gra mund ta gjejnë veten sado pak, u kalon koha edhe me biseda të ndryshme që të mos mbesin gjithë kohën në mendime të vuajtjeve”, thotë Zabeli.
Pikërisht drugëza do të ishte emri që do të zgjidhte për ta pagëzuar shoqatën e saj. Aktualisht ajo i numëron 70 anëtare.
“Disa prej tyre janë të moshave të reja, vajza që nuk kanë mundur ta ndiqnin shkollimin e lartë, ose për shkak se kanë mbetur pa prindër, ose nuk e kanë askënd të punësuar në familje”, thotë Zabeli.
Pasi ka themeluar shoqatën, ka nisur të merrte disa grante të vogla, për zgjerimin e disa punëve dhe organizimin e ndonjë panairi. Megjithatë përkrahja financiare që ka marrë kryesisht nga institucionet shtetërore është e vogël. Me përkushtim të madh Hana Zabeli vazhdon t’i punojë veshjet e krahinës së Drenicës. Kur i shpjegon ndalet te jeleku. Thotë se në veshjen e Drenicës ai është më i rëndësishmi.
“Më e veçanta te veshjet e Drenicës është jeleku. Ai modeli i vjetër, siç ma ka tregu nëna, ka qenë përshkrim i rrugës së jetës. Është ngjyra e bardhë dhe e kafenjta që simbolizojnë jetën, ngjyra e verdhë, që simbolizon diellin dhe është ngjyra e zezë”, thotë Zabeli.
Jeleku, tregon ajo, është i punuar me mëndafsh të dredhur dhe i qëndisur me rruaza, me ngjyrat e lartpërmendura.
Zabeli thotë se edhe veshjet e meshkujve janë të punuara me veg.
“Së pari me penj të leshit që i prejmë dhe fillojmë t’i qepim me gajtana të zi. Edhe gajtanat janë prej mëndafshit të dredhur. Edhe këmisha e burrave është e punuar në vek. Së pari pëlhurën, e pastaj i bëjmë këto dekorimet e ndryshme”, thotë ajo, që kalon te këpucët e shoka.
“Opingat e meshkujve janë punuar nga lëkura e deleve apo ndonjë kafshe tjetër. Shoka është e punuar prej leshi dhe mund të ketë ngjyra të ndryshme”, thotë Zabeli. Zabeli, tash 60-vjeçare, vazhdon të jetë e kënaqur me punën që bëjnë, e me interesimin që po ngjallin produktet e tyre.
“Po mundohemi sadopak që mos ta lëmë të zhduket tradita jonë shekullore. Fatmirësisht ka edhe gra të tjera që po punojnë këtë punë në mënyrë të shkëlqyeshme dhe po e ruajnë me po këtë xhelozi këtë traditë”, thotë ajo.
Por e pohon se ka edhe një anë të errët, që atë e brengos goxha.
“Për fat të keq ka shumë njerëz që imitojnë, nuk e kuptojnë se çka simbolizon, vetëm e shohin një veshje kombëtare me flamur dhe ia vendosin mbrapa një shqiponjë. Kjo mua më brengos shumë”, thotë Zabeli. “Mendoj se ky është cenim i traditave tona”, shton më tej ajo.
Megjithëkëtë, ajo vetë nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Kur pyetet se cili është plani i saj, ajo thotë se është që të ruajë traditën dhe të rrisë kapacitetin e punës. Ajo nuk ka ndonjë anëtar të familjes të cilit mendon t’ia lërë zanatin. Thotë se kanë gjetur veten në punë të tjera, por i vjen mirë që ka aq shumë gra anëtare të shoqatës që e duan këtë punë e profesion.
Si një grua shqiptare, 60-vjeçare, ajo i jep të drejtë vetes për të bërë një porosi për gratë e vajzat e reja, e një tjetër për shqiptarët në përgjithësi.
“U them, kudo që janë, le t’i ruajnë me shumë xhelozi traditat tona shqiptare se kanë vlerë të madhe”, thotë Zabeli. “Vajzave e grave u them: lejeni telefonin, mos e humbni gjithë ditën me të e të prisni vetëm rrogën e bashkëshortit a babasë, e bëhuni e zoja e vetes”.