Pas një aksidenti trafiku, kur ishte 7 vjeç, jeta e Fahri Krasniqit më nuk do të ishte njësoj. Goditja që pësoi nga një veturë, do ta linte gjatë në pamundësi për të lëvizur. Tek në moshën 13-vjeçare do ta rimerrte veten. Jo vetëm se do të ngrihej në këmbë, por do të niste të interesohej edhe për punën e drurit. Dajat e tij ishin mjeshtër të drurit, e ai e shfrytëzonte kohën kur shkonte në vizitë te ata për “ta vjedhur zanatin”. Tash 39 vjeç, Fahri Krasniqi, që jeton në fshatin Grashticë të Prishtinës, vazhdon punën me gdhendjen e drurit. Duket se i ka kaluar vështirësitë. Ajo që bën është kryesisht gdhendje me dorë e gjërave të vogla, që i shet si suvenirë. Shumica kanë motive nga fshati. E tash e një kohë Krasniqi ka nxjerrë një produkt unik: unaza prej druri të dimensioneve të ndryshme.
Marrja e zanatit nga dajallarët
Një tavolinë jo fort e madhe është në njërin prej skajeve të një objekti që familja Krasniqi e shfrytëzon për shumë gjëra. Aty Fahriu ka krijuar punëtorinë e tij. Pajisjet i ka të sistemuara sipas rregullit të vet, ani pse disa nga veglat e tij të punës janë të shkapërderdhura. “Fëmijët po kanë qejf me punu diçka. Nuk ua prishi, le të punojnë, veç se nuk po m’i kthejnë gjërat në vende të veta. Po i habit loja”, thotë Krasniqi, që nis t’i risistemojë një nga një, pa shfaqur fare nervozizëm. E tek kur e konsideron të gatshme tavolinën e punës, rendit ballë për ballë karriget, për të nisur rrëfimin e tij. Kujtesa e kthen prapa, te aksidenti që i ndodhi atij. Me të e nis bisedën. “Qysh prej moshës 7-vjeçare jam me aftësi të kufizuara. E kam pasë një aksident. Mu shkollu nuk kam mujt, se deri në moshën 13-vjeçare nuk kam mund të ec”, thotë Krasniqi. “Gjëja që e kam pasë më së afërti këtu në katun ka qenë druri. Tu e mësu, ngadalëngadalë, dikur e pashë që po më shkon, e bëra si hobi”, thotë Krasniqi. I kthehet rrëfimit për vizitat e tij te dajallarët, që thotë se e kanë pasur profesion punën me dru. “Kur shkoja aty, isha kureshtar për gjithçka si bëhet. Më dukej shumë interesant. Një kohë veç i këqyrsha, e dikur ua vodha zanatin dhe fillova”, thotë Krasniqi me buzë në gaz. Kujton se ka qenë 13-vjeçar. “Atëherë nisa të punoja pak më shumë. Se kur më shkeli vetura si 7-vjeçar, një kohë nuk kam mundur të ec. Si 13 vjeç e kam marrë veten. Ja kam nis të ec dhe menjëherë kam fillu të punoj”, thotë Krasniqi, që dëshiron që t’i fshijë nga kujtesa vitet nga mosha 7 deri në 13-vjeçare. “Keq”, thotë shkurt ai, për t’u kthyer te diçka më pozitive. “Kur nisa të punoj, bëja lodra për fëmijët e lagjes, kryesisht kerre të ndryshme apo saja për të rrëshqitur në borë”, thotë Krasniqi. E derisa tregon për këtë pjesë, përmbushja nuk mund të mos vërehet në sytë e tij. Tutje tregon se një kohë ka bërë edhe punën e bariut, e krahas kësaj do të shfrytëzonte kohën e lirë për të punuar punëdore prej druri. “Grashtica e Epërme njihet edhe si vend i mullinjve. Unë i marojsha disa mullinj të vegjël që silleshin kur vinin në kontakt me ujin. Fëmijët të gjithë ishin kureshtarë me i pa, u dukej shumë interesant”, thotë Krasniqi. Një të tillë e ka bërë së fundi për fëmijët e tij e të familjes, derisa si atraksion është në rrjedhën e vogël të kroit në oborrin e tij. Një copë shtage, me katër lugë të paketimeve të qumështit pluhur të bebeve është vepra e tij. Lugët, të ngjitura për druri, janë vendosur të gjitha në një kah, në atë mënyrë që kur të preken nga uji të nisin lëvizjen.
Veprat autentike
Ndonëse ka mësuar nga dajat, Fahri Krasniqi pjesën më të madhe të zanatit e ka zënë vetë. Edhe veprat e tij janë shpikje thuajse autentike. “Bëj shumë suvenire tradicionale në miniaturë. Sandëku i magjes, sita e fundi i bukës, sofra me shkama”, shprehet Krasniqi tek numëron disa nga punimet e tij. Përveç këtyre, nuk mund të mungojë as çiftelia, si instrumenti muzikor emblematik i kulturës shqiptare. Një mori çiftelish i ka në seri, e secila është e veçantë në mënyrën e vet. “Zakonisht për to e zgjedhi drurin e shelnjes, se është më i butë për t’i punuar, por edhe është shumë i hijshëm. Një shelnje e kuqe, që këtu te ne është më e rrallë, por megjithatë e gjej. Aty gjithçka është punëdore”, thotë Krasniqi. Në mesin e punimeve të tij janë edhe mjete pune fshati, të gjitha të replikuara në miniaturë. Ndërsa e veçantë është edhe një qerre, e cila është bërë fund e krye nga Krasniqi. “Dy muaj më janë dashur për ta bërë këtë qerre, sepse realisht nuk kam pasur ku ta shoh, vetëm si ma ka marrë mendja ose në bazë të përshkrimeve. E kam bërë në vitin 2011, atëherë nuk kam ditë për Youtube, e telefon të mençur nuk kam pasë. Nuk kisha mundësi me shku me këqyr dikun, kështu që e kam nxjerrë një model temin”, thotë me humor Krasniqi. Megjithatë, nuk e fsheh që ajo vepër e tij e bën që të ndihet mirë. “Një kohë e kam pasur në shitje. Qaq sa ma kanë pagu nuk kam dashur ta jap, se mendoj se ka vlerë më të madhe. Tash them mirë që s’e kam shit”, thotë ai. Por nuk është ndalur me kaq.
Unaza prej druri dhe bunari me 72 pjesë
“Para një kohe kam filluar të eksperimentoj edhe me një lloj të unazave të drunit. Me to ende nuk kam dalë në treg, edhe për shkak se sivjet nuk pat thuajse fare treg, puna e pandemisë. Veç kur më ka porositë dikush”, thotë Krasniqi. Ka bërë edhe atë që Krasniqi e quan “trungu i bunarit”, pjesa e sipërme me të gjitha elementet përcjellëse. “I ka 72 pjesë, deri në kovën prej druri. Është po ashtu e bërë në miniaturë”, thotë Krasniqi. Disa prej punimeve të tij ai i vendos edhe në tregjet e vogla që organizohen nëpër panaire të ndryshme. “Zakonisht punimet e mia që i punoj i qes nëpër panaire të ndryshme, sidomos kur të vijnë këta të diasporës. Se ata më shumë i dojnë këto gjëra, punën e dorës. Janë miniaturë, të vogla, e nuk u zënë shumë vend edhe me i marrë me vete në vendet ku jetojnë”, thotë ai. E sa u përket mjeteve të punës, Krasniqi thotë se ka të ndryshme, derisa gati se e ka kompletuar punëtorinë e tij. Por brisku, një prej atyre të vegjëlve që e mban në xhep, është mjeti kryesor për shumë prej punimeve të tij. “Të gjitha mundesh me i bo me brisk, nëse din me e përdorë. Është më mirë, se e ndien punën derisa je duke e bërë”, thotë ai. Më së shumti me këtë punë, Krasniqi kishte punuar në vitet 2013-2016, kur kishte dalë për të jetuar në Prishtinë, që është vetëm 10 kilometra larg nga shtëpia e tij në fshat. “Varesha pothuajse veç prej kësaj pune, dhe duhej domosdo me punu.
jam kthyer sërish në fshat kanë ndryshu gjërat. Pak punoj me këto, e pak më kopsht e me gjëra të tjera. Pak kohë të lirë kur kam punoj me këto”, thotë Krasniqi. Për të puna e drugdhendjes është një zeje e mirë. “Të bën me u ndi mirë, të relakson, vetë gdhendlat e drurit qysh dalin mua shumë më tërhjekin, dyqysh kënaqem duke punu me to”, thotë Krasniqi, që sa për ta përmendur thotë se “pluhuri i drurit është i dëmshëm”, por shpejt ngutet të shtojë se “kur e do këtë punë, nuk e ndien pluhurin”. “Kjo punë është njëfarë arti i vogël, nëse mund të them kështu”, thotë ai. Nuk ka diçka që nuk do t’ia mësynte ta bënte. “Jam këmbëngulës dhe nuk dorëzohem. Nuk ka diçka që them që s’mund ta bëj. Edhe pse me një dorë, nuk dorëzohem edhe e kryej”, thotë ai. Në të ardhmen jo fort të largët, Krasniqi e ka idenë që të krijojë një ekspozitë me gjërat që i bën. “Me pas prej secilës së paku nga një ekzemplar të ekpozuem, në mënyrë që kur kërkon dikush diçka, me provu me ia ba të njëjtën”, thotë ai. “Kam përfituar një grant nga Bashkimi Evropian përmes organizatës joqeveritare ‘Prishtina e Re’ dhe më pat ndihmuar shumë që të rris veprimtarinë. Te shoh në të ardhmen se çfarë do të ndodhë”, thotë ai. Ai thotë se pret që edhe Ministria e Kulturës ta përkrahë zejen e tij. “Drugdhendja, pos që është njëlloj arti, është edhe zanat në shuarje. Prandaj mendoj që Ministria e Kulturës duhet ta përkrahë”, thotë Krasniqi.
