Kulturë

Driton Selmani pyet për të ardhmen në jubileun e Muzeut të Artit në Graz

Institucioni i artit në Graz të Austrisë ka bashkuar artistë ndërkombëtarë për ekspozitën “The Other”, me të cilën shënon 20-vjetorin e themelimit. E Kosova aty përfaqësohet nga Driton Selmani. “Only Time Will Tell” mban titullin vepra e tij, e cila ndër të tjera, vjen si thirrje që të ndalen paragjykimet dhe t’i lihet kohës të nxjerrë në pah realitetin. Sfidon fushën e tensionit midis të folurës edhe të pathënave. “Mes së heshturës dhe të harruarës, mes individit dhe kolektivit”, ka thënë Selmani

Driton Selmani do t’i kthehet Austrisë. Në qershor në Vjenë, kishte arritur duke zbërthyer emergjenca të së tashmes. Ndërsa në fund të këtij muaji në Graz do të shtrojë pyetje për të ardhmen. Thënë shkurt: do të ftojë vizitorët e Muzeut të Artit për të njohur konceptin e tjetrit. Në këtë rast edhe do të japë një përgjigje.

“Only Time Will Tell” mban titullin vepra e tij. Është mbishkrim që thotë se “vetëm koha do të tregojë”. Ndërtesa e Muzeut buzë lumit Mur në qytetin mesjetar austriak do të jetë strehë e ekspozitës kolektive “The Other” me nëntitull “Re-Imagine the Future”. Do të jetë nikoqire e artistëve dhe grupeve si Selmani, Nika Autor, Kader Attia, Rossella Biscotti, “Black Quantum Futurism” Anetta Mona Chişa e Lucia Tkáčová, Jasmina Cibic, Lana Çmajçanin, Olafur Eliasson, “IRWIN” e të tjerë. Nën kurimin e sllovenes, Andreja Hribernik, ekspozita që do të qëndrojë e hapur prej 28 shtatorit deri më 18 shkurt do të shënojë 20-vjetorin e themelimit të institucionit.

Sipas sqarimeve të Muzeut, ekspozita trajton tema të identitetit, historisë, përkatësisë dhe përjashtimit, duke hapur kështu një gamë të gjerë këndvështrimesh me rreth 20 pozicione ndërkombëtare.

“Duket se kufiri, me gjithë paqartësinë dhe kompleksitetin e tij, sot nuk është më margjinal, por ka hyrë në qendër të ekzistencës sonë dhe është bërë një element thelbësor i heterogjenitetit bashkëkohor”, shkruhet në sqarimet e dhëna nga Muzeu. Sipas këtij institucioni, për më tepër, “përmes këtyre pyetjeve, ‘Tjetri’ përpiqet të sfidojë nocionet tradicionale të kufijve dhe gjithashtu të sugjerojë transformime të mundshme sociale dhe politike të së ardhmes”.

E Driton Selmani mund t’i flasë goxha kësaj teme. Veprën “Only Time Will Tell” për herë të parë e kishte paraqitur më 2019, në ekspozitën “The Double Wall of Silence” në galerinë “Škuc” në Lubjanë. E njëjta ishte prezantuar edhe në galerinë “Hestia” në Beograd. Por tash do të ngjitet më në veri të kontinentit evropian. E paraqitur si mbishkrim që ndriçon fort, vepra jep përkufizimin se “vetëm koha do të tregojë”. Në një formë ajo bën thirrje që edhe të ndalen paragjykimet dhe t’i lihet kohës të nxjerrë në pah realitetin.

Vetë Selmani ka thënë se vepra sfidon fushën e tensionit midis të folurës edhe të pathënave. “Mes së heshturës dhe të harruarës, mes individit dhe kolektivit”, ka sqaruar ai.

Ka treguar se për më tepër, ajo reflekton mbi nocionet tradicionale të formave të rrëfimit, “duke sfiduar dikotominë e asaj se: kush është folësi dhe kush është dëgjuesi?”

“Sa kohë – dhe heshtje – i duhet ‘të panjohurit’ (*nameless në anglisht) për t’u bërë folës dhe sa për dëgjuesin që të jetë në gjendje të dëgjojë plotësisht dëshminë e padëshiruar?”, ka treguar Selmani.

Ka thënë se vepra fton të kuptohet koncepti i “tjetrit”.

“Si një mënyrë për të guxuar të eksplorojmë ato marrëdhënie asimetrike që, nga njëra anë, ruajnë marrëdhënien shfrytëzuese dhe, nga ana tjetër, i drejtohen alternativave historike dhe bashkëkohore që mbështesin solidaritetin dhe miqësinë dhe mbështeten në ato”, ka thënë Selmani. Në këtë rast ka shtuar se vetë ekspozita ndalet në pozicionin paradoksal të “Tjetrit” si element përbërës, por edhe si përçarje.

“Kjo ndërprerje jo vetëm që shërben për të diferencuar, por është edhe një shtysë për ta menduar këtë ndryshim si një hapje për skenarë të mundshëm në të ardhmen”, ka përfunduar ai i përket veprës dhe ndërlidhjes së saj me temën që ka ekspozita.

Artisti kosovar i cili viteve të fundit është goxha i pranishëm në botën e artit bashkëkohor përtej kufijve të rajonit, e ka konsideruar si nder të madh pjesëmarrjen në një ekspozitë që shënon përvjetorin jubilar të Muzeut të Artit në Graz e po ashtu edhe sa u përket pjesëmarrësve të tjerë që prezantohen me veprat e tyre.

Paraprakisht në qershor, disa vepra të Selmanit qenë pritur në Vjenë nën kurimin e Hana Ostan Ožbolt e cila konstatonte për artistin se “ai është në gjendje të kapë çdo audiencë”. Me titull “Everything we do is really, really brilliant” në “Kahán Art Space Vienna”, Selmani kishte hapur ekspozitën më 7 qershor. Të parën në hapësirat gjermanofolëse.

Si një nga zërat më interesantë artistikë e poetikë nga rajoni i gjerë i Evropës Juglindore, e cilësonte kuratorja e lindur në Lubjanë. Ka qenë pikërisht kjo kuratore e cila në vitin 2019 kishte kuruar ekspozitën personale të Selmanit, “Places we Leave Behind” në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Sllovenisë në kryeqytetin slloven njashtu sikurse dhe ekspozitën kolektive “Double Eall of Silence” në “Škuc” dhe në “Hestia”. Veprat kishin të zënë vend në gjithsej pesë lokacione të Vjenës përfshirë rrugët “Währinger”, “Rotenkreuzgasse”, “Taborstraße 95”, në hyrje të “Nordwestbahnhof”, “Taborstraße” gü. Nr. 102-108 dhe Hellëagstraße, në nënkalimin hekurudhor. Ekspozita e Selmanit kishte në përbërje gjithsej shtatë vepra të reja përfshirë: “Three Times Yes”, “After Party” të cilat janë vazhdimësi e “Love letters” si dhe pesë qëndisje me gjilpërë në tekstil. Vepra tjetër e re ishte “Geister or Vice Versa”.