Kulturë

Drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në Komision Disiplinor për “shkelje të rënda”

Ismet Hajrullahu, i cili mban pozitën e drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve prej vitit 2018, “akuzohet” për shkelje të rëndë të detyrave të punës. Ministria e Kulturës e ka dërguar atë në Komision Disiplinor, duke i renditur pesë arsye nëpërmjet të cilave pretendohet se Hajrullahu nuk i ka respektuar procedurat administrative në raport me përgjegjësinë që ka dhe ka rrezikuar asete të trashëgimisë kulturore si udhëheqës i institucionit që ka për detyrë t’i mbrojë ato

Drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Ismet Hajrullahu, do të përballet me Komisionin Disiplinor të Ministrisë së Kulturës.

Hajrullahu i cili mban këtë pozitë prej vitit 2018, “akuzohet” për shkelje të rëndë të detyrave të punës. Ministria e Kulturës e ka dërguar atë në Komision Disiplinor duke i renditur pesë arsye nëpërmjet të cilave pretendohet se Hajrullahu nuk i ka respektuar procedurat administrative në raport me përgjegjësinë që ka dhe ka rrezikuar asete të trashëgimisë kulturore si udhëheqës i institucionit që ka për detyrë t’i mbrojë këto asete.

Në bazë të shkresës të cilën e ka parë gazeta, në vitin 2021 IKMM-ja kishte pranuar një ankesë shkaku i refuzimit të një lënde, nëpërmjet së cilës kërkohej të miratohej projekti për ndërtimin e një objekti afaristo-banesor në Prizren. Komisioni i IKMM-së i trajton lëndët ku parashihen ndërhyrje që kanë të bëjë me perimetrin e aseteve të trashëgimisë kulturore. Në këtë rast ishte refuzuar lënda. Pala ishte ankuar në IKMM dhe ky institucion nuk e kishte dërguar ankesën në afatin 30-ditor te Komisioni i MKRS-së që bën shqyrtimin e ankesave të këtij lloji. Sipas shkresës, nëpërmjet së cilës drejtori Hajrullahu do të dalë para Komisionit Disiplinor, me mosveprimin e tij, ai ka rrezikuar dhe rrezikon ende veprat e trashëgimisë kulturore. Objekti banesor kishte vazhduar të ndërtohej pasi nuk kishte marrë përgjigje në ankesë.

Sipas shkresës së zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Bislim Bislimi, si rast i dytë për të cilin Hajrullahu duhet të përgjigjet ka të bëjë me një rast kur IKMM-ja duke tejkaluar kompetencat nëpërmjet një përgjigjeje i kishte hapur rrugë vendosjes së një antene në Kalanë e Veletinit. Vendosja e antenës nga ARKEP-i kishte nisur derisa në vendngjarje kishte dalë Instituti Arkeologjik i Kosovës. Ishte konstatuar se IKMM-ja kishte ndërhyrë në kompetencat e IAK-ut. Si rast i katërt është renditur mosfunksionimi i duhur i Komisionit për vlerësimin e projekteve restauruese në asetet e trashëgimisë kulturore. Ky komision vepron nën mandatin e IKMM-së. Sipas shkresës që ka parë KOHA, funksionimi i Komisionit nuk ishte i duhuri. Janë përmendur dy raste kur MKRS-ja ka konstatuar se janë miratuar projekte të cilat nuk i përmbushin kriteret ligjore. Shembull kanë marrë rastin e Hamamit të Prishtinës dhe atë të Çarshisë së Gjakovës.

Shkelja e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve nga ana e Komisionit është një tjetër “akuzë” më vete. Si shembull është marrë rasti i projektit për ndërhyrje emergjente në kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Më pas, arsye tjetër që Hajrullahu do të përgjigjet para Komisionit është refuzimi i tij për të zbatuar një udhëzim të eprorit të tij, zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Bislim Bislimi.

KOHA ka raportuar disa herë për problemet e funksionimit të IKMM-së sidomos në raport me respektimin e legjislacionit sa i përket trashëgimisë kulturore. Pos rasteve që zënë vend në shkresë, KOHA ka raportuar edhe për dymbëdhjetë eksponate që ky institucion ia ka dorëzuar Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike të Fakultetit Filozofik nën nëntor të vitit 2020. Një gjë e tillë ishte bërë pa e përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore ashtu sikurse edhe rregulloret. ishin eksponate të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës, të cilat kanë qëndruar në IKMM qysh nga periudha e para luftës së fundit në Kosovë.

Përderisa sipas zyrtarëve të IKMM-së nuk bëhet fjalë për shkelje ligjore, ndryshe konstatonin nga Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe nga Ministria e Kulturës. Kjo e fundit kishte paralajmëruar masa. Më pas ishte zhbërë huazimi për një ekspozitë pasi ishte konstatuar se nuk ishin përfillur përcaktimet ligjore.

Më herët në fund të vitit 2019, dy raporte në versione të ndryshme e për të njëjtin rast i kishin hapur rrugë shumëkatëshes afër monumenteve në Gjakovë. Për këtë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve brenda një dite ka shkruar dy raporte, ka ndërruar një anëtar të Komisionit dhe në fund ka marrë vendimin.

Për juristët, një dokument me numër të njëjtë protokolli s’mund të ketë dy përmbajtje. E për këtë është paralajmëruar edhe një kallëzim penal për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Ismet Hajrullahu, dhe arkitekti Avni Manaj kishin dhënë versione të ndryshme sa u përket dokumenteve që dalin të jenë të manipuluara, ku si pasojë e tyre tashmë ka përfunduar ndërtimi i objektit banesor nja 10 metra larg Mejtepit Ruzhdije e nja 30 metra larg Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë.

Në muajin prill të vitit 2019, IKMM-ja kishte refuzuar kërkesën për t’ia dhënë pëlqim kompanisë ndërtuese që të ngrejë objektin. Refuzimi ishte bërë me arsyetimin se ndërtesa potenciale gjendej brenda zonës së mbrojtur të Kullës, Mejtepit e monumentit tjetër, që është Shkolla e Muzikës. Por vendimi i drejtorit të IKMM-së, i datës 7 korrik 2019, ka bërë që ky institucion të heqë dorë nga mbrojtja e parcelës ku ka nisur ndërtesa. Më 7 tetor kompania “Ylli Pashtriku” sërish i kishte kërkuar IKMM-së pëlqim për të lejuar ndërtimin. E dy ditë më vonë drejtori i IKMM-së, Hajrullahu, nëpërmjet një shkrese i kishte thënë kompanisë së nuk ka nevojë të kërkojë pëlqim. Vendimi ishte marrë në bazë të rekomandimit të raportit të datës 7 gusht me numër protokolli 348. Gazeta e ka raportin, ku në vend të anëtarëve Avni Manaj nga IKMM-ja, Drita Lushtaku po nga ky institucion, Alban Kastrati po ashtu nga IKMM-ja, Osman Gojani, drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, dhe dy zyrtarët komunalë, Elida Bejtullahu e Arbër Jusufi, është nënshkruar drejtori Hajrullahu.

Por ekipit të “Kohës Ditore” e të KTV-së, IKMM-ja me qëllim të “legjitimimit” të procesit ia kishte prezantuar edhe një raport me numër të njëjtë protokolli e me datë të njëjtë. Ndryshe nga ai i pari – për të cilin gazeta ka raportuar se është i panënshkruar përderisa edhe tre nga gjashtë anëtarët e Komisionit me shkrim e kanë kundërshtuar atë – tash ka prezantuar raportin me nënshkrime, ku katër punonjës të IKMM-së nënshkruhen për heqjen dorë nga mbrojtja e parcelës ku ka nisur ndërtimi. Për ta bërë shumicën, del se një anëtar është ndërruar.

Drejtori Hajrullahu ka thënë se përveç njoftimit dhe kërkesës së sekretarit për procedim në Komision nuk di gjë tjetër.

“Nuk kam pranuar asnjë provë mbështetëse që është obligim ligjor konform Ligjit për zyrtar publik”, ka thënë Hajrullahu.

Ismet Hajrullahu kishte marrë detyrën e drejtorit në verën e vitit 2018. Paraprakisht një vit më herët nuk ia kishte dalë që si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës t’i fitonte votat për t’u zgjedhur kryetar i Komunës së Lipjanit.

Sipas biografisë, Ismet Hajrullahu u lind më 1964 në fshatin Banullë të Lipjanit.
Ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, Dega Histori–Gjeografi në Universitetin e Tiranës, si dhe ka mbaruar studimet pasuniversitare për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci. Më 1986 ishte arratisur në Shqipëri pas mbajtjes në burg nga ish-sistemi udhëheqës i Kosovës. Është themelues i PDK-së dhe kryetari i parë i PDK-së në Lipjan. Kishte shërbyer si këshilltar i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Drejtori i IKMM-së ka për detyrë të menaxhojë punën e përgjithshme të IKMM-së dhe stafin, e të propozojë politika për trashëgimi kulturore. Megjithëse në konkursin e MKRS-së nuk është cekur, drejtori i këtij institucioni emëron dhe shkarkon komisionin që është përgjegjës për lëshimin e pëlqimeve për ndërhyrje në monumente. Pos që merr vendime pas propozimeve të komisionit, drejtori ka të drejtë të ndërpresë punimet në rastet kur konsiderohet se ndërhyrjet nuk janë në përputhje me legjislacionin e trashëgimisë kulturore.