Kulturë

Drejtori i Institutit Arkeologjik përballë shkarkimit, inicion kallëzim penal ndaj ministrit Çeku

Kaherë ka pasur përplasje e akuza midis Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, por tash ato janë thelluar dhe koncentruar te dy protagonistë: drejtori i IAK-ut, Enver Rexha, dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. I pari e akuzon ministrin për presion, shantazh e përpjekje joligjore për ta shkarkuar. Rasti i tij ka përfunduar në Komision Disiplinor, që është bërë shkas që Rexha t’i drejtohet Prokurorisë. Të hënën ka deponuar kallëzim penal, ku ia numëron ministrit ato që ai, ndër të tjera, i quan edhe kërcënime

Instituti Arkeologjik i Kosovës në domenin e vet ka edhe gërmimin e lokaliteteve arkeologjike ku mund të haset në ndonjë teatër antik. Përderisa kjo nuk ka ndodhur, Instituti në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kanë nisur të “prodhojnë drama”. Protagonistë janë dy udhëheqës: ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha.

Historia e përplasjeve midis tyre nuk është e re. Por tash ka kulmuar me inicimin e ministrit Hajrulla Çeku që drejtori i IAK-ut, Enver Rexha, të shkojë në Komision Disiplinor dhe me kundërpërgjigjen e Rexhës me deponim të kallëzimit penal kundër ministrit Çeku në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Akuza për “presion dhe shantazh”

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në ditën e 28 të gushtit ka bërë kërkesës për procedim disiplinor ndaj drejtorit të IAK-ut, Enver Rexha. Ndërsa të hënën, më 4 shtator, Rexha ka deponuar kallëzim penal kundër ministrit Çeku në Prokurorinë Speciale të Kosovës. E akuzon ministrin Çeku për veprën penale “keqpërdorim të detyrës apo autoritet zyrtar, si dhe për cenim të të drejtave në marrëdhënien e punës”. Në kallëzim, Rexha ka shkruar se më 19 gusht të vitit të kaluar ishte ftuar në takim nga ministri Çeku, ku i është kërkuar “dorëheqja nga pozita e drejtorit të IAK-ut, pozitë kjo me mandat të përhershëm”. Më pas ka përshkruar edhe një tjetër takim. Atë të ditës së 12 të qershorit të sivjetmë. Në këtë takim me ministrin Çeku, pos Rexhajt ishin edhe arkeologët Shafi Gashi, Milot Berisha, Premtim Alaj, punonjës të tjerë të Institutit Arkeologjik dhe në anën tjetër ministri Çeku me bashkëpunëtorët e tij.

“Pas diskutimeve rreth arkeologjisë i njëjti (ministri Çeku v.j.) me nervozizëm na kërcënoi me shuarje të Institutit Arkeologjik të Kosovës, duke thënë: ‘Unë e pranoj dështimin në arkeologji, por do ta mbyll Institutin’ dhe në mënyrë demonstrative dhe pa u përshëndetur fare e lëshoi takimin, edhe pse ishim në zyrën e tij”, ka shkruar Rexha në kallëzim penal. Aty ka përshkruar edhe një situatë tjetër, ku, sipas tij, për të tretën herë i është kërkuar që të lirojë pozitën e drejtorit. Ka treguar se më 26 dhe 27 korrik është ftuar në takim nga zyrtarët e MKRS-së, Feim Hoxha asokohe zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm dhe zyrtarët Merita Augustini-Ndrecaj e Milot Mustafa.

“M’u ofrua mundësia e ndërrimit të pozitës, që i bie dorëheqje nga pozita që mbaj, gjë të cilën nuk e pranova, ku pas refuzimit u hartua një shkresë për procedim disiplinor ndaj meje”, ka shkruar Rexha. I ka quajtur përpjekje joligjore nga ministri Çeku se “me anë të presionit dhe shantazhit ka tentuar” ta largojë nga puna. “Në fund nuk pati sukses e nëpërmjet presionit përdori ushtrimin e ndikimit dhe filloi një proces disiplinor të paligjshëm kundër meje”, ka shkruar Rexha.

“Dështim në kryerjen e detyrave”

Kallëzimi penal ndaj ministrit Çeku ka ardhur vetëm një javë pasi udhëheqësi i MKRS-së ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj drejtorit Rexha dhe ka kërkuar që ai të pezullohet nga pozita deri në përfundim të procesit. Sipas shkresës së ministrit Çeku, nëpërmjet së cilës edhe është iniciuar procedura, kabineti ka pranuar raportime “për shkelje të detyrave dhe përgjegjësive, informata me pretendim e jomenaxhim të Institutit Arkeologjik të Kosovës”.

Ministri Çeku ka shkruar se si njohës i fushës së trashëgimisë kulturore kanë shqyrtuar dhe konsultuar shumë raporte e vlerësime në kuadër të trashëgimisë kulturore, qoftë brenda sistemit apo edhe nga qytetarë e institucione të tjera.

“Ne kemi hasur në parregullsi serioze në funksionimin dhe angazhimin e këtij institucioni në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive dhe në vënien në veprim të kapaciteteve të brendshme”, shkruhet në shkresën e ministrit Çeku. Ai si pikë të parë për procedurë disiplinore ndaj drejtorit Rexha ka renditur “mungesën e zbatimit efikas të detyrave në administrimin e plotë të IAK-ut dhe zbatimin e politikave programore të përcaktuara nga MKRS-ja”. Ka përmendur se plani i punës së IAK-ut për vitin 2022 nuk është aprovuar deri në gjysmën e dytë të vitit. Sipas tij, arsyet e vonesës, siç ka treguar Këshilli Drejtues, kanë qenë propozimet e dërguara me shkelje ligjore dhe parregullsi financiare.

“Instituti Arkeologjik i Kosovës ka dështuar të zbatojë aktivitet dhe projektet në bazë të planit vjetor për vitin 2022 duke dështuar në zbatimin e mandatit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore arkeologjike të Kosovës...”, shkruhet në shkresë.

Si pikë të dytë në këtë letër ka renditur atë se më 2021 dhe 2022, IAK-u ka plotësuar vetëm 7 dosje si propozime për mbrojtje të përhershme të monumenteve të cilat i ka dorëzuar në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Në pikën e tretë, ministri Çeku ka konstatuar se IAK-u ka dështuar në zbatimin e politikave për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike duke mos marrë masa për konservimin e lokaliteteve arkeologjike.

“Nëntë projekte me karakter të mirëmbajtjes dhe mënjanimit të rrezikut në asetet e trashëgimisë arkeologjike të aprovuara në kuadër të planit të punës nuk janë zbatuar fare duke shkaktuar seriozisht dëmtime të mëtejme të lokaliteteve, ku gjithë kjo fatkeqësisht rezulton në dëm të interesit publik”, shkruhet në inicimin e procedurës për Komision disiplinor.

Në pikën e radhës ka përmendur Raportin e vlerësimit të aseteve të trashëgimisë kulturore që e ka hartuar Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ku edhe disa lokalitete arkeologjike dalin të jenë të pamirëmbajtura.

Në pikën e pestë zë vend projekti “Arkeologia në rrethin e Pejës dhe të Istogut, Kosovë”. Sipas kësaj pike, IAK-u ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Michinganit pa pasur paraprakisht marrëveshje midis MKRS-së dhe këtij institucioni, gjë që, sipas procedurave shtetërore, do të duhej të ekzistonte pasi bëhet fjalë për bashkëpunim me palë të jashtme.

Çështja e Novobërdës

Pika e gjashtë është “Mungesa e ndërmarrjes së hapave ligjorë për sigurimin e gjendjes së Kalasë së Novobërdës dhe zbatimin e mandatit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore”. Ministri Çeku ka shkruar se gjatë zbatimit të projektit për rivitalizimin e lokalitetit arkeologjik në Kalanë e Novobërdës janë vërejtur parregullsi të zbatimit të punimeve konservuese e restauruese, po ashtu gërmime arkeologjike e nxjerrje dhe bartje e paautorizuar e gjetjeve nga vendi i origjinës. Bëhet fjalë për materialin arkeologjik që ishte bartur në Serbi nga grupi që punoi në konservimin e monumentit. Për këtë KOHA kishte raportuar në seri shkrimesh që prej marsit të vjetëm. Më pas Ministria e Kulturës e kishte konfirmuar rastin nëpërmjet Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.

“Parregullsitë e konstatuara dëshmojnë dështimin e zbatimit të mandatit dhe të IAK-ut si institucion përgjegjës”, shkruhet në shkresë. Më pas dy pikat e fundit janë mungesa e prezantimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore arkeologjike nëpërmjet botimeve shkencore e informative dhe mungesa e reagimeve me kohë ndaj ankesave dhe kërkesave të paraqitura nga qytetarët dhe institucionet përkatëse. Në këtë rast përmend një ndërtim afër Kalasë së Prizrenit, por pa u specifikuar më shumë.

Pasi drejtori Rexha ka marrë këtë lëndë, ai i është drejtuar me një e-mail ministrit Çeku. Ka përmendur krejt takimet që kanë pasur, ashtu sikurse i ka sqaruar në kallëzimin penal. Në fund i ka thënë se pretendimet ndaj tij nuk qëndrojnë.

“Për fund, Ju njoftoj se, pas gjithë kësaj kohe të presionit, ‘kërcënimit – shantazhit’ të Juaj si më lart, për dorëheqjen time, që nuk u realizua, arritët të hartoni një shkresë për procedim disiplinor timin, ku pretendimet e Juaja, për rrethanat kauzale dhe ‘provat’ e paraqitura nuk qëndrojnë. Gjithë pretendimet e Juaja do të i argumentoj me prova – dokumentacion. Do të takohemi në procedurat ligjore të mëtejme”, ka përfunduar Rexha. Anëtarët e Komisionit që do ta “gjykojnë” janë Gjejlane Goxha, kryesuese, dhe anëtarët Taulant Balaj, Vesel Hoxha, Gentiana Kryeziu dhe Dafina Bacaliu.

KOHA pasditen e së hënës ka provuar që të marrë një koment nga ministri Çeku sa i përket kallëzimit penal të iniciuar ndaj tij, por ai nuk është përgjigjur.

“Pingpongu” institucional

Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës ka më shumë se pesë vjet që zhvillojnë një lloj “pingpongu”. IAK-u nuk i ka kushtet elementare për punë. Ka zero vetura për përdorim. Për çdo lëvizje i duhet të bëjë kërkesë në MKRS për të përdorur ndonjë veturë zyrtare. Kurse MKRS-ja ka dështuar disa herë që nëpërmjet tenderëve ta pajisë këtë institucion me mjete lëvizëse. Përtej kësaj, prej pjesës së dytë të vitit 2018, kur me kërkesë të Zyrës Kombëtare të Auditimit është bërë mbyllja e llogarive që institucionet vartëse të MKRS-së kanë pasur në banka komerciale, IAK-u është “paralizuar”. Nuk ia ka dalë që të zhvillojë veprimtarinë siç kanë bërë institucionet e tjera. Por telashet e këtij institucioni lidhen shumë edhe me MKRS-në. Vetëm në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti MKRS-ja i ka lënë pa rojë e punonjës për pesë muaj lokalitetet arkeologjike më reprezentative të Kosovës ku janë investuar miliona euro, përfshirë edhe parkun arkeologjik “Ulpiana”. Pos kësaj, mirëmbajtja e këtyre lokaliteteve, sidomos e Ulpianës – që sipas Rregullores është direkt nën menaxhimin e MKRS-së – është tejet periferike. Materialet shpenzuese blihen nga vetë punonjësit. Sa i përket “Ulpianës”, shteti për sivjet ende nuk ia ka paguar qiratë e pronarëve të tokave ku shtrihet lokaliteti. Pagesat bëhen nga MKRS-ja.