Për herë të parë në historinë e Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kineast nga Kosova u përfshi në garën zyrtare. Por filmi “Në kërkim të Venerës”, nën regji të Norika Sefës, vulosi edhe një sukses tjetër, u bë i pari që arriti edhe të shpërblehet në këtë festival
Rrëfimi që ka në fokus konfliktet midis gjeneratave në familjet e mëdha shqiptare përmes kundërvënies së Venerës ndaj normave shoqërore, ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam (IFFR). “Në kërkim të Venerës”, nën regji të Norika Sefës, është fitues i Çmimit speciale të jurisë për arritje të jashtëzakonshme artistike në kategorinë “Tiger Competition”. Ky film bëri që për herë të parë në historinë e Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kineast nga Kosova të përfshihet në garën zyrtare dhe të shpërblehet.
Edicioni i sivjetmë, i 50-ti me radhë i “Rotterdam International Film Festival”, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia është ndarë në dy pjesë. Fillimisht, në një format hibrid, që nisi më 1 shkurt dhe u përmbyll të dielën. E për pjesën tjetër, organizatorët synojnë ta mbajnë në formën tradicionale nga 2 deri më 6 qershor. Si festival i përvitshëm i filmit, IFFR-ja mbahet në fund të janarit në vende të ndryshme të qytetit të Rotterdamit në Holandë. Që prej themelimit të tij më 1972, ka pasur në fokus filmbërjen e pavarur dhe atë eksperimentale, duke vënë në pah talentet.
“Tiger Competition” e themeluar në vitin 1995 ka për qëllim zbulimin e talenteve të filmit dhe shpërblimin e tyre. Çmimin “Tiger”, kryesorin, e fitoi “Pebbles” i Vinothraj P.S. nga India. E dy çmimet speciale të jurisë u ndanë në mes të filmit kosovar dhe “I Comete – A Corsican Summer” të Pascal Tagnati nga Franca. Po ashtu, u shpërblye edhe filmi “Quo vadis, Aida?”, nën regji të Jasmila Zbaniqit, ku luan aktori shqiptar Alban Ukaj. Ky film mori “BankGiro Loterij Audience Award”, që u nda bazuar në vlerësimet e publikut.
Me fitimin e këtij çmimi, regjisorja Norika Sefa i solli për herë të parë Kosovës trofeun që ka formën e tigrit. Pranimi i trofeut u bë virtualisht përmes një bisede me regjisoren Sefa dhe me producentin Besnik Krapi. E gjithë ceremonia u mbajt në këtë format.
“Jam shumë e lumtur që kam pasur fatin të punoj me secilin që qëndron prapa këtij filmi. Të gjithë së bashku i kanë dhënë kuptim dhe më shumë nuanca kësaj përvoje”, ka thënë regjisorja, e cila ka treguar se filmi debutues i mori pesë vjet për ta realizuar. Për çmimin ka thënë se është një motiv për mënyrën sesi ajo punon.
Në anën tjetër, producenti Krapi ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në proces.
“I falënderoj aktoret dhe ekipin e mrekullueshëm, pa përjashtim. Falënderim të veçantë për Qendrën Kinematografike të Kosovës që ka besuar te ne, Agjencinë e Filmit të Maqedonisë së Veriut, dhe qytetarët e Kaçanikut për një pritje, përkushtim e ndihmë të pafund gjatë xhirimeve”, ka thënë Krapi me rastin e pranimit të Çmimit.
“Në kërkim të Venerës” portretizon me detaje sesi një vajzë moderne rritet në një rreth tradicional që në mënyrë strikte ndjek hierarkinë. Në filmin e saj debutues të metrazhit të gjatë, që zgjat 111 minuta, regjisorja Sefa përmes kamerës që luan rolin e një observuesi mundohet që të japë përgjigje sesi Venera mund të vendosë vetë për zgjedhjet e saj, kur në fakt nuk ka shumë për të zgjedhur. Sipas sinopsisit të Festivalit që jep detaje më shumë për filmin, tri gjeneratat jetojnë në të njëjtën shtëpi dhe është e vështirë për këdo që të ketë privatësi. Edhe jashtë mureve, në rrugë dhe në kafene situata nuk është më e mirë: fshati është i vogël dhe çdo herë veprimet e Venerës përcillen ose nga vëllai, nga nipi apo komshinjtë.
“Është pritshmëria e të gjithëve që vajza të ruajë reputacionin e mirë të saj dhe të familjes. E gjithë kjo e bën të vështirë që Venera të ndjekë rrugën e saj. Ajo ngazëllehet kur e bën shoqe Dorinën, e cila tashmë ka të dashur. Të dy vajzat dalin dhe argëtohen, për aq sa babai i Venerës lejon. Një gjë është e sigurt: Ato nuk dëshirojnë që të përfundojnë si nënat e tyre. “Unë asnjëherë nuk i kam parë prindërit e mi duke u puthur”, thotë Venera, që janë disa detaje të sinopsisit. Përjetimi i një jete të re bën që Venera të revoltohet ndaj mendësisë patriarkale, duke kërkuar një përshtatje të domosdoshme.
Në një prononcim për KOHËN, me rastin e pranimit të çmimit, Sefa kishte thënë se filmi i saj ka target secilën moshë, pasi që trajton tri gjenerata brenda një familjeje.
“Besoj se ideja sesi jetohet në një familje të madhe është absurde për logjikën e botës së jashtme, ku familjet janë minimaliste”, kishte thënë ajo në intervistën e 23 dhjetorit të vitit të kaluar.
Regjisorja e re, po ashtu, pati treguar se njerëzve brenda Festivalit duhet t’u ketë bërë përshtypje jeta brenda një familjeje ku nuk ka privatësi e nuk kuptohen emocionet mes njëri-tjetrit.
“Pikërisht kjo logjika e traditës lë përshtypje, sepse temperamenti i një të riu bie në konflikt kur provon t’i thyejë rregullat”, kishe shtuar Sefa. E këto detaje duhet ta kenë bërë për vete edhe jurinë – e përbërë nga Lemohang Jeremiah Mosese, Orëa Nyrabia, Hala Elkoussy, Helena van der Meulen, Ilse Hughan, e cila e vlerësoi këtë projekt filmik.
Lajmin për shpërblimin e filmit “Në kërkim të Venerës”, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, e ka vlerësuar si historik për kinematografinë kosovare.
“Është historike për kinematografinë tonë. Arritje madhështore për regjisoren Norika Sefa dhe për gjithë ekipin. Vlerësim për një vepër shumë të bukur. Artistët tanë janë tregimi më i bukur i këtij vendi. Ky është fillimviti më i bukur për kinematografinë tonë”, ka thënë Zharku.
“Në kërkim të Venerës” – për të cilin QKK-ja ka ndarë 200 mijë euro – luajnë aktorët: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj e të tjerë.
Filmi debutues i Norika Sefës është vlerësuar lart edhe nga kritikët.
“Në debutimin e saj të ndjeshëm dhe delikat, Norika Sefa portretizon me hollësi karakterin e Venerës, një vajzë moderne që rritet në një mjedis tradicional, hierarkik. Por si mund t’i bëjë Venera zgjedhjet e saj në një situatë të tillë? Muzika e veçantë dhe kamera vëzhguese i shtojnë një ndjesi dokumentari kësaj historie intime”, është shkruar për filmin në editorialin e Festivalit të Roterdamit.
Në garë në kategorinë “Tiger Competition”, përveç filmit të Sefës, Pascal Tagnati dhe Vinothraj P.S., ishin edhe gjashtëmbëdhjetë filma të tjerë. “Agate mousse” i regjisorit Selim Mourad (Liban), “Bebia, à mon seul désir” i Juja Dobrachkous (Britani e Madhe/Gjeorgji), “Bipolar” i Queena Li (Kinë), “Black Medusa” i Youssef Chebbi (Tunizi), “The Edge of Daybreak” i Taiki Sakpisit (Tajlandë/Zvicër), “Feast” i Tim Leyendekker (Holandë), “Friends and Strangers” i James Vaughan (Australi), “Gritt” i Itonje Søimer Guttormsen (Norvegji), “Landscapes of Resistance” i Marta Popivoda (Serbi/Gjermani/Francë), “Liborio” i Nino Martínez Sosa (Republika Dominikane/Puerto Rico/Katar), “Madalena” i Madiano Marcheti (Brazil), “Mayday” i Karen Cinorre (ShBA), “Mighty Flash” i Ainhoa Rodríguez (Sanjë).
“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i prodhuar nga “Circle Production” me bashkëproducentë Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën. Filmi, gjithashtu, është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës dhe nga ajo e Kaçanikut.