Me panelin e diskutimit në temën “Pse drama?!”, ka nisur dita e dytë e “Polipit” në të cilin autorët Zhelko Ivanoviq nga Mali i Zi, Sasha Iliq nga Serbia dhe Eli Krasniqi nga Kosova me shembuj konkretë kanë dëshmuar nevojën për t’u shprehur edhe nëpërmjet dramës në pamundësi për ta thënë atë në prozë a poezi. Njëri prej konstatimeve ka qenë se drama është një hap para për depërtim te publiku
Tri drama kanë qenë tema e diskutimit të shtunën kur ka nisur programi i ditës së dytë të festivalit “Polip”. “Pse drama?!” ka bërë bashkë autorë nga Kosova, Serbia e Mali i Zi.
Zhelko Ivanoviq nga Mali i Zi, Sasha Iliq nga Serbia dhe Eli Krasniqi nga Kosova, në panelin e udhëhequr nga kroatja Alida Bremer, kanë treguar procesin e zhvillimit të produkteve për teatër dhe sfidat që i kanë përcjellë. Secili prej tyre ka shkruar nga një dramë që, midis tjerash, vjen si një lloj zbulimi i një territori të ri sa i përket përfshirjes në një tjetër fushë siç është arti skenik.
Në teatrin “Oda” fillimisht ka qenë drama “Mbreti i çmendur” nga Zheljko Ivanoviq që është prezantuar nëpërmjet leximeve skenike. Aktorët Kosovare Krasniqi, Gentrit Shala dhe Yzeir Meha me regjisorin Gëzim Hasani kanë projektuar idenë e lojës së shfaqjes teatrore nëpërmjet interpretimit të tekstit.
Drama e Ivanoviqit flet për një mbret që arratiset pasi rrëzohet nga pushteti. Nëpërmjet personazheve tregohet se si çmenduria që i rrethon ka depërtuar në çdo cep të shoqërisë. Kuptohet se largimi i mbretit të çmendur nuk rezulton me eliminimin e çmendurisë dhe se pasojat e saj ndihen për një kohë të gjatë.
Autori malazias që është gazetar, producent e aktivist, ka thënë se ngjarjet në shfaqje janë pasqyrim i tri dekadave të tranzicionit tragjik nëpër të cilin kanë kaluar shtetet e Ballkanit.
“Në klinikën për shëndetin mendor ku ka pacientë të rregullt, vjen një pacient special, ku të gjithë e dallojnë. Është ish-presidenti i shtetit që dy ditë më parë ka humbur zgjedhjet. Tani mbështetësit e tij po e çojnë në klinikë derisa të gjendet zgjidhje më e mirë dhe aty ndodh kjo përballja e viktimave me krijuesit e tranzicionit. Kur kjo kryhet, ai bëhet fitues i asaj përballje e të tjerët janë humbës”, ka thënë Ivanoviq.
Për të, më afër krijimit është zhvillimi sesa tregimi që është dominues në romane. Ka bërë të ditur se teksti dramatik flet për kohën e padrejtësive, të vrasjeve. Aty flasin viktimat. Ka thënë se sfida ka qenë në personazhin të cilin ka qenë në dilemë nëse do ta definonte si president apo si profesor.
“Citycide” nga Eli Krasniqi ka qenë drama që u kushtohet kujtimeve dhe dhimbjes së humbjes. Kështu e ka prezantuar edhe autorja në panelin “Pse drama?!”
“Trajton një karakter që shkon në një restorant që shërben ciamis (lloj bime) dhe atyre u takon një karakter tjetër fiktiv, por ideja e krejt dramës është të tregojë që dhimbja ka nevojë për dëshmi. Arsyeja pse njeriu e krijon karakterin tjetër fiktiv është për shkak se dhimbja sado që tregohet nuk është e mjaftueshme. Dhimbja e së kaluarës dhe kujtimet për qytetin e humbur kërkojnë një pranim. Së pari dëshmia, mandej pranimi”, ka thënë Krasniqi, poete e prozatore, e që e ka provuar veten si dramaturge në dramën e parë - “Citycide”.
Shkrimtarja e përkthyesja kroate Alida Bremer ka thënë se ka parë potencial të madh te Krasniqi për të zhvilluar dramë dhe se “Citycide” ka shumë kontraste përbrenda.
“Kanë potenciale të mëdha dhe tek Eli më është dukur interesante sesi gjithçka duket elegante ndërsa aty është edhe vdekja. Madje në shfaqje është e rezervuar edhe pjesa se si do të varrosen. Kjo situatë borgjeze te njerëzit sjell trauma shumë të thella e që kanë ardhur për arsyeje të ndryshme. Kjo përbën kontrast”, ka thënë Bremen para se ta pyes autoren e dramës se cili ka qenë motivi kryesor dhe si ka ardhur ideja deri në ato skena.
Krasniqi ka thënë se arsyeja ka qenë indiferenca ndaj jetës tek industritë e argëtimit. Ka theksuar edhe vështirësitë në zhvillimin e dramës.
“Teza e fundit për Fojerbahun – Ditari i Dimitrije Tucoviqit”, nga Sasha Iliq përshkruhet si dramë që flet për daljen në pah të rrymave të ndryshme oportuniste brenda marksizmit origjinal. Drama përcjell udhëtimin e Tucoviq si luftëtar politik. Në lexim skenik nga aktorët flitet për parandalim të luftës, mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, për luftë për të drejtat e grave, liri të fjalës dhe jo vetëm.
Alida Bremer ka thënë se autori ka treguar në parathënie sesi “këtë tekst e ka porositur një regjisor teatri, i cili i kishte thënë ta gjuajë atë në kosh plehrash”.
Autori i dramës, Iliq, ka thënë se teatri ka pozitë të rëndësishme për publikun për nga temat që përcjell te ai.
“Teatri mund të bëjë shumë dhe të plasojë ca tema në publik. Kjo për mua ka qenë interesante dhe mendoj se një rrëfim, tregim, roman, poezi satirike, çfarëdo tjetër, nuk e ka atë fuqi performuese dhe pranimi që mund të aktivizojë shoqërinë. Plasimi i atyre ideve që i përfaqëson Dimitrije Tucoviq rreth Kosovës, emancipimi, ndarja, tregime antiklerike, këto nuk mund të plasohen ndryshe nëpërmjet letërsisë apo ndonjë forme të saj”, ka thënë Iliq që është edhe bashkëthemelues i festivalit “Polip”.
Ai ka thënë se Kosova ka qenë temë e shumë autorëve serbë dhe vazhdon të mbetet.
“Tema, marrëdhënia karshi Kosovës nga elitat e autorëve serbë është aktuale edhe sot e kësaj dite dhe kurrë nuk është larguar nga repertori. Dhe unë do ta pranoj këtë, sepse më ka interesuar edhe më parë se çfarë ka shkruar Tucoviqi. Dhe pse? Mendoj se teatri ofron mundësinë e komunikimit autentik me audiencën. Përvoja e shkrimit të prozës është e tillë që nëse shkruani roman dhe ai lavdërohet, megjithatë, publiku mund ta bllokojë pranimin e asaj pjese dhe të bëhet njëlloj përmbysjeje”, ka thënë Iliq.