Kulturë

Drama e Teatrit për udhëheqës artistik: ritestim e kontestim i procesit

Konkursi i pestë brenda tre vjetësh për udhëheqës artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka shënuar episodin e radhës. Këshilli Drejtues, duke zbatuar vendimin e Komisionit për Shqyrtim e Ankesave, ka mbajtur ritestimin. Por atij i janë përgjigjur vetëm dy prej pesë kandidatëve që vazhdojnë garën. Për organin e TKK-së, “procesi vazhdon” e disa prej kandidatëve kanë paralajmëruar ankesa

Ministrisë së Kulturës është duke i shkuar ters procesi për zgjedhjen e udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Edhe konkursi i pestë në tre vjet është duke u përcjellë me parregullsi, ankesa, përsëritje të proceseve vlerësuese e kontestim të krejt procedurës së rekrutimit.

Testi i parë me shkrim është anuluar shkaku i akuzave të vetë anëtares së Këshillit Drejtues. Gresa Pallaska kishte ngritur dyshime për rrjedhje paraprake të testit. E në ritestim kanë marrë pjesë veç dy kandidatë.

Historia e konkurseve për udhëheqës artistik të institucionit më të lartë të teatror është e vjetër. Por seria e konkursit të fundit është më “dramatikja”.

Më 26 tetor ishte mbajtur testi me shkrim. Regjisori Besim Ugzmajli ishte tërhequr nga gara paraprakisht. Në garë kishin mbetur regjisorët Sokol Plakolli, Donjeta Hyseni, Kushtrim Mehmeti, e Zana Hoxha bashkë me aktoren Arta Muçaj. Telashet kishin filluar menjëherë pas testimit. Sipas procesverbalit të asaj dite, anëtarja e Këshillit Drejtues të TKK-së, Gresa Pallaska, kishte shprehur dyshimet për parregullsi. Ishte bazuar në faktin se përgjigjet e kandidatit Kushtrim Mehmeti ishin të ngjashme me çelësin e testit dhe për këtë arsye Pallaska ishte tërhequr nga vlerësimi i testit me shkrim.

Pas kësaj zallamahie, regjisori Sokol Plakolli ishte ankuar në MKRS. Komisioni i Ankesave ka gjetur se në mungesë të një anëtari “Këshilli nuk ka pasur të drejtë ligjore të vazhdojë me vlerësimin e testeve me shkrim”. Sipas Komisionit të Ankesave, mungesa e një anëtari ndikon direkt në vlerësim, ngase shumica e pyetjeve vlerësohen me pikë të ndara nga secili anëtar. Në këtë rast Komisioni kishte vendosur që të mbahej ritestimi.

Të mërkurën e kësaj jave, në ritestim kanë shkuar veç regjisorët Sokol Plakolli dhe Kushtrim Mehmeti.

Regjisorja Zana Hoxha ka refuzuar të shkojë. Ajo ka thënë se ky ishte një vendim i marrë në bashkërendim me avokaten e saj, duke pasur parasysh procesin e testit fillestar dhe dyshimet për rrjedhjen e testit. E pyetur nëse do të bëjë ankesë, Hoxha ka thënë se do ta shfrytëzojë këtë mundësi.

“Po natyrisht, për krejt procesin”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër Këshilli Drejtues e ka ndërmend t’i vazhdojë procedurat.

“Këshilli Drejtues ka zbatuar vendimin e Komisionit për Shqyrtim e Ankesave dhe ka mbajtur ritestimin. Procesi po vazhdon”, ka thënë kryetarja e Këshillit Drejtues, Visare Aliu. Ajo nuk i ka komentuar pretendimet për rrjedhje të testit në testimin e parë të këtij konkursi. Anëtarë të këtij organi janë edhe Shkurtë Aliu, Majlinda Bregasi, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Vlora Meroci e Donika Gashi.

Si zëvendësues të udhëheqësit artistik në TKK kanë shërbyer disa veta për më shumë se tre vjet. Aktualisht zëvendësues është zyrtari i MKRS-së, Milot Mustafa.

Kushtrim Sheremeti, i cili është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës në shkurt të këtij viti, kurse në shtator kur ishte hapur konkursi për udhëheqës artistik, kishte thënë se është shumë e rëndësishme që TKK-ja ta ketë edhe udhëheqësin artistik.

“Për mua është shumë e rëndësishme që të kem një koleg në TKK si udhëheqës artistik në mënyrë që të ndërtojmë një planifikim afatgjatë të punës artistike në Teatër”, kishte thënë ai.

Historia e mbetjes së institucionit pa udhëheqës artistik nis qysh në qershor të vitit 2019, kur regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar në këtë pozitë. Asokohe nëpërmjet një konkursi në këtë pozitë qe zgjedhur regjisori Fatos Berisha. Nuk e kishte pranuar detyrën për disa muaj e më pas kishte njoftuar se nuk do ta pranonte fare.

Në konkursin e hapur në nëntor të vitit të kaluar, i treti me radhë, kishin konkurruar katër kandidatë. Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Albana Muja-Deliu e Agush Mulliqi ia kishin mësyrë kësaj pozite. Aktorja Muçaj doli se nuk e kishte diplomën e nostrifikuar. Ajo ka studiuar në Shqipëri. E Mulliqi nuk e plotësonte kushtin e përvojës së punës. Kërkohen pesë vjet përvojë pune pas diplomimit. Konkursi qe anuluar.

Më pas, në konkursin e shkurtit të këtij viti, Sokol Plakolli, Arta Muçaj, Erson Zymberi, Saranda Elshani, Elhame Kutllovci e Dea Venhari-Dragaj ishin në konkurrencë për udhëheqës artistik të TKK-së. Sipas verifikimit që ka bërë MKRS-ja, Venhari-Dragaj nuk i plotësonte kushtet për ta vazhduar procesin pasi nuk ka dëshmuar se u përgjigjet krejt kritereve të konkursit.

Në fund të procesit vetëm regjisori Erson Zymberi ishte kualifikuar për të shkuar në intervistë. Paraprakisht për një mandat kishte shërbyer si drejtor i përgjithshëm i Teatrit të Gjilanit. Por në ditën e intervistës, më 23 prill, Zymberi nuk kishte shkuar. Me arsyetimin se është tërhequr “për arsye personale”, ai kishte hequr dorë nga gara për pozitën e udhëheqësit artistik të TKK-së. Është rizgjedhur drejtor i Teatrit të Gjilanit.

Atë proces e kishte nxjerrë me telashe edhe MKRS-ja. Sokol Plakolli kishte bërë ankesë se nuk i janë vlerësuar drejt përgjigjet që kishte dhënë në testin me shkrim. Komisioni i Ankesave në MKKS kishte vlerësuar se Plakolli në disa raste kishte të drejtë. Prej atëherë Plakolli në baza ditore qëndron para Qeverisë në një lloj proteste kundër ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, e Këshillit Drejtues të TKK-së. Zëshëm kërkon nga kryeministri Albin Kurti që ta marrë situatën në dorë.

Udhëheqësi artistik propozon politikat artistike të TKK-së, bën propozimin e repertorit, udhëheq punën kreative të ansamblit rezident, bën recension për veprat skenike, është përgjegjës për realizimin e repertorit e përcakton regjisorët.

TKK-ja kishte qëndruar dy vjet pa drejtor të përgjithshëm e ishte përcjellë me një sagë konkursesh deri në shkurt të këtij viti, kur aktori Kushtrim Sheremeti u zgjodh në këtë pozitë. Por TKK-ja nuk është i vetmi institucion qendror i kulturës që i mungojnë udhëheqësit.

Qysh prej gushtit të vitit 2020, Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu.

Në dhjetor të vitit 2021, Arben Zharku qe shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës pas një procesi të gjatë me pezullime e kthime.

Kurse prej 17 korrikut ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” është pa drejtor. Shefqet Gjocajt i kishte përfunduar mandati i dytë. Megjithëse ishte hapur konkursi, ai ishte anuluar gjatë procesit pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte shkarkuar përbërjen e Këshillit Drejtues të “Shotës”.