Fotografia e Arben Llapashticës nuk kornizohet vetëm tek estetika a dokumentimi. As nuk ndalet te fiksimi i momentit a ngjarjes. Mjeshtri i këtij arti nëpërmjet imazheve thur rrëfime, dialogon me personazhe dhe futet në dialogun e radhës kur ato ia prezanton publikut. Secila fotografi e tij ka histori prapa. E tillë është edhe ekspozita “Dostat e Janjevës”
Të enjten mbrëma dritat e Shtëpisë së Evropës në Kosovë kanë qëndruar të ndezura. Në këtë dritë publiku që e ka vizituar atë ka pasur mundësi të futej në botën e një qyteze të vogël në lindje të Kosovës. Fokus nuk janë veç ndërtesat. Fotografitë e Arben Llapashticës në këtë ekspozitë dialogojnë edhe me njerëzit. E veçmas ata që janë të lidhur me këtë vend. Nëpërmjet objektivit, Llapashtica përpiqet të përcjellë ngjyrat e përditshmërisë së tyre.
Fotografi Arben Llapashtica, i cili me këtë art merret tash e gati dy dekada, është gjithmonë në eksplorim të qyteteve dhe zonave më të thella të Kosovës, të cilat do t’i bëjë të ditura për vizitorët vendorë e të e huaj duke i plasuar ato në botën virtuale. Por, siç ka thënë ai, Janjeva për të është më e veçanta andaj edhe ekspozita e tij e hapur të enjten mbrëma ka të kornizuara shkrepjet e jetës atje.
Këtë ekspozitë me shkas e ka titulluar “Dostat e Janjevës”. Llapashtica me njerëzit që i takon dhe fotografon ka krijuar lidhje përtej fotografisë. Shtatë shokë i kishte fotografuar para dhjetë vjetësh afër një veture të vjetruar e jashtë funksionit. Më pas Llapashtica kishte rënë në kontakt me njërin prej personazheve që ia kishte shprehur mirënjohjen e kësaj fotografie. Meqë miqësia e shokëve kishte mbetur, ajo u zgjerua edhe me miqësinë me fotografinë. Kështu u realizua edhe fotografia e dytë në të njëjtin vend të Janjevës.
Po në Janjevë në vitin 2010, fotografi kishte shkrepur edhe tri portrete të vëllezërve Kryeziu, të cilët më pas e kishin parë fotografinë e tyre dhe takimi i radhës më Llapashticën rezultoi përsëri në një fotografi pas një dekade.
Sebastian Kryeziu është njëri prej këtyre personazheve të fotografisë, i cili shprehet i lumtur që është bërë pjesë e ekspozitës bashkë me vëllezërit.
“Arbeni na ka fotografuar në vendin dhe pozicionin e njëjtë, me të kemi vazhduar komunikimin dhe shoqërinë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj ekspozite. Ai është fotografi më i mirë për mendimin tim dhe ia shpërndaj vazhdimisht fotografitë”, ka thënë Kryeziu për KOHËN.

Duke qenë se Llapashtica është një prej vizitorëve të shpeshtë të Janjevës me shkrepjet e tij është shndërruar edhe në një prej promovuesve më të mëdhenj të kësaj qyteze, e cila para luftës ishte e banuar kryesisht me kroatë. Edhe sot njihet për diversitetin e ndërtesat e vjetra, por ku janë të ruajtura gjurmët e një arkitekture të veçantë.
“Janjeva është një vend që e frekuentoj shpesh dhe më pëlqejnë karakteristikat e shtëpive. E di që Janjeva është si vendbanim për shkak të minierave që ka pasur afër dhe para të 90-ave ka qenë kryesisht e banuar me kroatë, të cilët me gjasë për shkak të tensionit në vitet e ‘90 e kanë lëshuar vendin”, ka rrëfyer Llapshtica për KOHËN. Ai punon si kameraman në Kohavision, ku është edhe drejtor i fotografisë. Gjithashtu ka realizuar filma të shumtë dokumentarë si autor, kameraman dhe producent. Për më shumë, është shpërblyer me 20 çmime në gara të videos dhe fotografisë në Kosovë dhe Evropë. Si fotograf, ka hapur ekspozita personale dhe kolektive në Kosovë dhe vendet e tjera, ku më të fundit ishin në Belgjikë, Kroaci, Austri, Serbi, Itali dhe SHBA. Jo rrallë shkrepjet e tij janë përdorur nga ambasadat e vendeve të huaja për ta përcjellë imazhin e Kosovës. E ngritja e imazhit të Kosovës, sipas Llapashticës mund të bëhet edhe nga një qytezë e vogël që mund të shndërrohet në një atraksion të madh.
“Ka disa iniciativa edhe për t’i restauruar disa shtëpi dhe besoj që në të ardhmen do të jetë një atraksion turistik edhe për Kosovën por edhe për më tej”, ka rrëfyer Llapshtica për KOHËN. Llapashtica për shënimin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës me ftesë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York kishte prezantuar disa prej fotografive të tij, ku ishin shpalosur bukuritë e Kosovës duke ndërthurur arkitekturën, kulturën, ngjarjet, zanatet praktike, emocionet e festave të riteve në Kosovë.
Piktorja Teuta Ibriqaj kishte qenë një prej vizitoreve të kësaj ekspozite në New York që e kishte dërguar nëpërmjet imazheve në vendlindje. Tash nga Prishtina ajo nëpërmjet imazheve ka udhëtuar nëpër rrugicat e Janjevës.

“Po më pëlqen se si në këto fotografi i ka nxjerrë ngjyrat e gjalla të objekteve, hapësirën dhe harenë në atë qytezë të vogël dhe shumë moderne”, i ka thënë ajo KOHËS.
Përveçse me të rinjtë, Llapashtica kur shkon në Janjevë takohet edhe me të moshuarit. Prej tyre përpiqet të kuptojë më shumë për rrëfimet e kësaj qyteze dhe historinë prapa tyre. Një ecje nëpër rrugët e pjerrëta të Janjevës është një soditje në shtëpitë buzë rrënimit e hetohet se banorët kanë nevojë për mirëqenie. Megjithatë, atyre nuk u mungon buzëqeshja dhe kënaqësia e momentit buzë rrugicave. Kjo vërehet në shkrepjen e dy të moshuarve të cilët nuk jetojnë më. Edhe për deputeten Vlora Dumoshi, ish-ministre e kulturës, kjo ekspozitë ka qenë një depërtim në mënyrën e jetesës atje.
“Janjeva dihet që është qytet shumë specifik me një diversitet ku jetojnë njerëzit e diversiteteve të ndryshme dhe është një qendër që po i kthehet vëmendja edhe në trashëgiminë kulturore, andaj ecja nëpër këto fotografi e tregon edhe mënyrën e jetesës në Janjevë”, ka thënë Dumoshi për KOHËN. Ata që e përcjellin Llapashticën në rrjete sociale këto fotografi nuk i kanë të panjohura.
Mendim Rugova është një prej atyre që i ndjek të gjitha fotografitë e Llapashticës, por për t’i parë ato në letër thotë se është një ndjesi akoma më e veçantë.
“Është një ekspozitë shumë e qëlluar. Mua personalisht nuk më ka rënë të shkoj shumë në Janjevë, por mendoj që është një vend shumë piktoresk edhe për fotografi. Arbeni është një mjeshtër i fotografisë. Fotografitë e tij e përshkruajnë një kronikë të jetës në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Rugova për KOHËN.
Ekspozita “Dostat e Janjevës” do të qëndrojë e hapur për një muaj në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.