“Unë marr tregime të të tjerëve, të cilat mundohem t’i bëj të miat. Dëgjoj nga njerëzit, nga intervistat. Sikur historia që ka shumë nivele, ashtu edhe veprat e mia kanë shumë pjesë”, ka thënë artisti izraelit Dor Zlekna Levy. Dëshmi për këtë është edhe ekspozita “Saltana”, e cila tash e tre muaj ka nisur t’i shpalosë pesë pjesët e saj në galerinë “Paper” në Prishtinë. Prej fundit të javës së kaluar është shfaqur pjesa e fundit dhe tek tash Dor Zlekna Levy ka ardhur në Kosovë
Para hyrjes në njërën nga dhomat e galerisë “Paper”, mbishkrimi paralajmëron ekspozitën “Saltana” si tërësi prej pesë pjesëve të artistit izraelit Dor Zlekha Levy. Dhoma prej xhami nga pjesa ballore ka të projektuara vargje këngësh në dy gjuhë. Po kështu është edhe interpretimi i këngëve që vështirë depërton përtej mureve, megjithatë dëgjohet. Është këngë dashurie e interpretuar në gjuhën arabe dhe hebraike.
Kënga interpretohet paralelisht sikur ndahet në dy pjesë të veçanta për nga përmbajtja, por gjejnë gjuhë të përbashkët. Në muret e hapësirës gjysmë të errët projektohet sipërfaqja e bardhë, e cila gradualisht mbushet me vargjet e këngës në dy gjuhë. Dy altoparlantë në dy skaje sjellin harmoninë e kontekstit të këngës.
E gjithë atmosfera është vetëm një nga pesë veprat audio-vizuale të artistit Dor Zlekha Levy. Veprat e tij kanë nisur të shpalosen aty që nga 22 gushti. E para e tij që ka jehuar në hapësirën e galerisë “Paper” ka qenë “Ayooni”, një vepër audio-vizuale ku jepen këngë popullore nga Izraeli. “Harb”, “NOON” e “The Tarab Prince” gërshetohen me ndërprerjen e vargjeve nga alarmet dhe me përfshirjen e fjalëve të ngjashme, si në rastin e veprës “UMK/OMEK” si nënkuptim i dy fjalëve nga dy gjuhë për “thellësinë”.
Dor Zlekha Levy ka ardhur në Kosovë tek tash, tre muaj pasi vepra e tij nisi rrugëtimin në vend. E pranon se i është dukur e pazakontë që të mos jetë prezent kaq kohë prejse u hap ekspozita.
Pesë pjesët e veprave i ka përmbledhur si të përcjella me muzikë në shpërfaqjen e kulturës hebraike e arabe.
“’The Tarab Prince’ prezanton një këngë hebraike dashurie. ‘NOON’ është tjetër vepër që ndërpritet nga alarmi i kodeve të kuqe. Vepra që është duke u shfaqur tash është vetëm një pjesë me zë. Është një këngë dashurie që e kam shkruar bashkë me një mik. Është shkruar në dy gjuhë: hebraike dhe arabe”, ka thënë për KOHËN artisti multidisiplinar nga Tel-Avivi, i specializuar në instalacione audio-vizuale, video-art dhe performanca.
Tingulli është element thelbësor në veprat e tij sikurse janë bashkëpunimet e vazhdueshme me muzikantë për procesin e punës në veprat e tij, që nga konceptimi deri te instalimi. Sikurse thuhet nga prezantimi për artistin, veprat e tij u bëjnë jehonë traditave të harruara, duke i eksploruar ato nëpërmjet këndvështrimit bashkëkohor. Edhe veprat e tij të fundit kanë të bëjnë me historinë dhe trashëgiminë kulturore të hebrenjve me origjinë nga vendet arabe. Sjellin në jetë zërat e përjashtuar nga diskursi kulturor izraelit.
Që nga e enjtja e javës së kaluar deri më 16 nëntor, vepra “UMK/OMEK” do të jetë e qasshme në galerinë “Paper” në Prishtinë si shpërfaqje e kulturës hebraike për publikun kosovar. Kënga e shkruar nga Dor Levy interpretohet nga këngëtarja e njohur në Izrael, Dema Kablan. Në interpretim është përfshirë edhe përgatitja para interpretimit prej një minute e gjysmë që jep përshtypjen e një liturgjie.
“Nëse dëgjon mirë, mund të dëgjosh procesin e punës me zërin. Për mua, muzika dhe zëri janë pjesë e hulumtimit. Kam prezantuar edhe pjesët ku përcillet muzika dhe kryesore është kënga. Të flasësh në përgjithësi, në terma të eksperiencës, kur bën lloje të tilla të veprave do të japësh diçka që nuk është domosdo e lidhur”, ka thënë Levy derisa ka dhënë shembullin kur kishte ekspozuar në hapësirë të errët në një muze dhe ku ka mundur të shohë reagimin e njerëzve, pa u parë nga ta.
Interpretimi me intonacione kryesisht të larta e të gjata zhysin mendjen si udhëtim ndër tinguj. Po në hapësirën e “Paper” është biseduar me artistin izraelit për veprën “Sultana”. Vargjet e pjesës “UMK/OMEK” kanë depërtuar në gjithë hapësirën e kafenesë, të cilat i kanë shoqëruar të pranishmit, por edhe vetë autorin në shpjegimin e saj. Derisa ka folur për procesin e hulumtimit për veprën, artisti Levy ka thënë se praktika e tij e punës ka të bëjë me grumbullimin e historive të të tjerëve dhe jo një histori specifike.
“Unë marr tregime të të tjerëve të cilat mundohem t’i bëj të miat. Dëgjoj nga njerëzit, nga intervistat. Sikur historia që ka shumë nivele, ashtu edhe veprat e mia kanë shumë pjesë”, ka shpjeguar Levy në prezantimin që ka mbajtur të enjten.
Derisa ka dhënë një historik të shkurtër për galerinë, drejtori i saj Gazmend Ejupi ka përmendur se hapësirat e saj u kanë bërë vend veprave të artistëve vendorë e ndërkombëtarë. Vitin e ardhshëm do të ndryshojë koncepti i galerisë “Paper”.
“Kemi pasur vepra të artistëve vendorë në fillim të themelimit, pastaj kemi filluar të sjellim artistë ndërkombëtarë për një arsye. Donim të sillnim skenën e artit ndërkombëtar në Kosovë pa u ballafaquar me pritjet e gjata për viza. Do të mbyllemi në mars të 2023-tës dhe pastaj do ta kthejmë galerinë në galeri komerciale. Do të ketë disa mediume në të cilat fokusohemi, kryesore janë piktura dhe vizatimi”, ka thënë Ejupi.
Sipas tyre, galeria e rrethuar “nga Katedralja ’Nënë Tereza’, Xhamia e Mbretit, Kisha Ortodokse Serbe, Biblioteka Kombëtare dhe Universiteti i Prishtinës është lokacioni më i mirë për këtë vepër arti’. Pikë kryesore të ekspozitës e vlerësojnë shkëmbimin e njohurive kulturore dhe tregimin me medium bashkëkohor në botën e artit në Kosovë duke i konsideruar ato si të nevojshme.
Koordinatori i Galerisë, Vullnet Jakupi, e ka vlerësuar të rëndësishme ekspozitën për nga hulumtimi i artistit në këto punime artistike.
“’Paper Gallery’ si hapësirë ekspozuese ka vazhduar tërë kohën duke sjellë artistë ndërkombëtarë, mirëpo ajo që ne e dimë është që të rinjtë dhe komuniteti ynë nuk mundemi aq lirë të prekim punimet e artit jashtë barrierave të Kosovës, por është e mundur që ata t’i sjellin. Ajo që është e rëndësishme sidomos për këtë ekspozitë është faza e hulumtimit të artistit për punimet e tij, që janë me të vërtetë të fuqishme dhe e bëjnë të kenë përmbajtje tepër të veçantë”, i ka thënë ai KOHËS.
Ardhja e artistit në vendin ku frymon vepra e tij tash e tre muaj është mundësuar nga Ambasada e Izraelit në Kosovë. Veprat e tij nuk janë ekspozuar më parë në Kosovë derisa e enjtja ka qenë dita e parë e tij në kryeqytet. Kosovën si vend të ri e ka perceptuar si me shumë potencial ku mund të dizajnohen hapësira e kultura.
“Kjo është ndjenja që kam pranuar nga njerëzit që kam takuar këtu. Më kujton disa pjesë nga Izraeli, për këtë arsye mezi pres të eksploroj më shumë këtu”, është shprehur Dor Zlekha Levy.
Për veprat e tij i janë ndarë çmime të ndryshme, ndër to ai i Ministrisë së Kulturës në Izrael gjatë vitit 2017, dy çmime për “Artistin e Ri” dhe çmimi “Zoom”. Punimet e tij mbahen në koleksionin e Muzeut të Izraelit në Jerusalem dhe në koleksione private.
Ka hapur ekspozita personale në Muzeun e Artit të Tel-Avivit, galerinë “Hamidrasha” dhe “Braverman”. Ndërkohë ka marrë pjesë edhe në ekspozita të shumta grupore , ndër të tjera, në Muzeun e Izraelit, muzeun e artit “Petach Tikva”, “Kunsthalle Stavanger”, Muzeun e Artit Islamik në Jerusalem. Videot e tij janë shfaqur në festivale ndërkombëtare. Artisti po ashtu ka marrë pjesë në ngjarjet kryesore që kombinojnë performanca muzikore live dhe instalacione audiovizuale në Festivalin e Filmit në Jerusalem.