Grupi “Don't listen to your neighbors” e sheh si mision të vet ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore. Treshja, Adhurim Grezda, Dalvin Mamusha dhe Endrit Xërxa, këto ditë i janë përveshur punës për realizmin e albumit të tyre të dytë. Albumi është rezonim i së kaluarës muzikore nga perspektiva e së tashmes
Prishtinë, 22 janar – Treshja e grupit, “Don’t listen to your neighbors” apo në shqip “Mos i n’go kojshit”, së fundmi është “mbyllur” në studio. Anëtaret po merren me detajet e fundit të albumit të dytë. Për realizmin e tij nuk janë larguar nga gjeneza. Adhurim Grezda, Dalvin Mamusha dhe Endrit Xërxa vazhdojnë t’i mbesin besnik misionit për ruajtjen e promovimin e këngës popullore shqipe. Me projektin e ri sjellin 9 këngë e dy valle që i kanë mbledhur nga treva të ndryshme shqiptare. Ende nuk kanë vendosur për titullin e albumit, por konceptin e kanë të qartë. Për grupin, albumi është rezonim i së kaluarës muzikore nga perspektiva e së tashmes.
“Don’t listen...” u themelua në vitin 2015, në kështjellën franceze “Château de Promenois’, në lindje të Francës, 290 kilometra nga Parisi. Treshja kishte shkuar atje për një kurs dhjetëditor për teknikat e interpretimit të muzikës operistike. Adhurim Grezda në këndim dhe tambure, Dalvin Mamusha në violinë dhe Endrit Xërxa në kitarë, filluan që të interpretonin disa këngë tradicionale shqipe. Grezda tregon se nga atje u kthyen me misionin për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore.
“Aty kemi filluar me këngët e para shqipe popullore duke i marrë dhe duke i orkestruar, pastaj kemi nisur që t’i këndojmë dhe t’i prezantojmë para publikut. Kohën e lirë që e kishim ua kushtonim interpretimit të këngëve shqipe dhe të njëjtat më pas i shpërndanim nëpër rrjete sociale dhe i këndonim nëpër koncerte të ndryshme”, ka kujtuar ai.
Lidhja që krijuan edhe tash u shërben si bazë për realizmin e albumit të dytë. Për realizimin e tij u janë bashkuar edhe kolegë të tjerë muzikantë. Kanë bashkëpunuar me multiinstrumentistin Visar Kuçi, pianistin Fatjon Miftari, bateristin Ardian Bakalli dhe Ervis Qaushin në fizarmonikë. Greza ka treguar se për albumin e dytë kanë bërë një përzgjedhje të gjerë të repertorit të muzikës shqipe.
“Duke nisur nga muzika arbëreshe, shkodrane, ajo e Shqipërisë së Mesme e me radhë. Është biseduar me grupin që me i orkestru këngët dhe me i kthye në formacionin e duhur që me i shkru notat në mënyrë që edhe për instrumentistët e tjerë me qenë sa më e qartë që me bashkëpunu me ta”, ka thënë ai.

Përderisa u ka mbetur edhe pak punë në studion e inxhinierëve të zërit Tomor Kuçi e Dren Suldashit, grupi e ka të qartë se me cilën këngë do ta hapin albumin. Këngën arbëreshe, “O saman o trëndafili i çalës”, treshja e konsideron si përzgjedhje të përkryer.
“Këngët që janë kënduar, janë këngë që janë kënduar prej këngëtarëve të muzikës klasike ose prej zërave lirikë. Në atë kohë këngët janë realizuar me formacione dhe orkestër ose edhe piano e këndim. Në ato format që qysh është kompozuar dhe si është duke u servuar prej bendit, pra qysh ne e kemi menduar që mundet me qenë, është udhëtimi i asaj muzike prej asaj kohe në kohën e sodit, me këto gjetjet tona, pritshmëritë tona rreth muzikës shqipe”, ka thënë Grezda.
Tre muzikantët nga Gjakova që kanë edukim klasik muzikor gjejnë frymëzim në zhanre të ndryshme. Por nëpërmjet tyre muzikës shqipe i japin një tingëllimë unike.
Kitaristi Endrit Xërxa ka thënë se janë frymëzuar prej rrymave të ndryshme të muzikës duke nisur prej klasikes të cilën e kanë studiuar, pastaj muzikës orientale, flamengos, jazzit e të tjera.
Sipas Xërxës, riorkestrimi u jep mundësi këngëve të bukura shqipe që të ruajnë origjinalitetin duke mbetur të kapshme për të gjitha gjeneratat.
“Duke pasur parasysh që kemi këngë shumë të bukura, ne kemi menduar që duhet t’i riorkestrojmë këngët shqipe e të cilat janë shumë të bukura. Besojmë që edhe gjeneratat e reja kanë me i dashtë dhe kanë me i vlerësu shumë”, ka thënë ai.
Pandemia u bë shkak që të niste realizmi i këtij albumi. Violinisti Dalvin Mamusha ka thënë se koha e lirë u shërbeu që të fokusoheshin më shumë në muzikë.
“Kur nuk kishim mundësi që të lëviznim, i shfrytëzonim shtëpitë e shokëve që të punonim në mënyrë që të gjenim një gjuhë të përbashkët me anë të muzikës”, ka thënë ai. Sipas, tij albumi brenda vetes shpërfaq një pjekuri artistike të anëtarëve, por edhe të Adhurim Grezdës si këngëtar.
“Albumi i dytë e ka një risi, një ndryshim mund të them goxha të madh, duke filluar prej pjesëtarëve të bendit pasi që jemi në një formacion më ndryshe, muzika është më e gjerë nëse e themi në gjuhën popullorçe, por secili prej albumeve e ka lezetin e vet”, ka thënë ai.
Albumi parë i “Don't listen to your neighbors”, që kishte titullin e grupit, u lansua para gjashtë vjetësh. Përfshinte shtatë këngë me të cilat identifikohet tradita shqiptare në muzikë, si: “Pranvera filloi me ardhë”, “Shok mu bane” e “Lule, lule”. Perla të tilla nuk do të mungojnë as në albumin e dytë.