Aktori i shumë roleve ikonike, Donald Sutherland, karriera e të cilit datonte gjashtë dekada më parë dhe përfshinte role në filma të suksesshëm si “Don’t Look Now”, “M*A*S*H” dhe “The Hunger Games”, ka vdekur në moshën 88-vjeçare. Zëdhënësit e aktorit e konfirmuan që ai vdiq në Miami, pas një sëmundjeje të gjatë. Edhe djali i tij aktor, Kiefer Sutherland, e ndau lajmin e hidhur me ndjekësit në platformën X.
“Me zemër të rënduar ju informoj se babai im, Donald Sutherland, ka vdekur. Personalisht mendoj se ai ishte një nga aktorët më të rëndësishëm në historinë e filmit. Asnjëherë nuk pati frikë nga ndonjë rol, qoftë ai i mirë, i keq apo ndonjë personazh i shëmtuar. Ai e adhuronte punën dhe gjatë gjithë jetës e bëri atë që e donte. Njeriu nuk mund të kërkojë më shumë se kaq. Një jetë e jetuar bukur dhe sipas dëshirës”, shkroi aktori dhe muzikanti 57- vjeçar.
Një aktor shumë i angazhuar, i cili ka luajtur në më shumë se 190 filma dhe seriale televizive, Sutherland kishte një personalitet jo të zakonshëm por që shërbeu shkëlqyeshëm në disa filma klasikë të viteve ‘70, dhe gradualisht në vitet e fundit të karrierës u shndërrua në një veteran të industrisë. Nuk pranoi ndonjë shpërblim të madh kinematografik për rolet e tij filmike dhe asnjëherë nuk u nominua për “Oscar”, por i fitoi dy shpërblime, “Globi i Artë” në kategorinë “Aktori më i mirë në rol dytësor”, për rolet në filmat “Citizen X” dhe “Path to War”. Në vitin 2017 e mori një çmim special “Oscar”, që e nderonte karrierën e tij.
I lindur në Kanada, në vitin 1935, Sutherland studioi për inxhinieri dhe dramë në Universitetin e Torontos. Më 1957 vendosi të transferohej në Londër për t’u bërë pjesë e një klase të aktrimit në Akademinë e Muzikës dhe Artit Dramatik në Londër (Lamda). Pas një sërë rolesh të vogla në seriale televizive britanike, duke përfshirë projektet “Man of the World”, “The Saint and The Avengers”, dhe në filma horror të tillë si “Fanatic” dhe “Dr Terror’s House of Horrors”, Sutherland u angazhua me rol në filmin aksion “The Dirty Dozen”, ku e portretizoi një pjesëtar të një grupi të burgosurish të trajnuar për një mision të rrezikshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Filmi “The Dirty Dozen” ishte hit në arkat filmike botërore dhe pas tij aktori u angazhua në dy filma të tjerë me tematikë lufte: komedia “M*A*S*H”, në të cilën Sutherland e portretizonte kirurgun që thyente rregullat, Hawkeye Pierce, dhe filmi, “Kelly’s Heroes”, ku e luajti një komandant tanku të çmendur që i bashkohet grabitjes së bankës nga kryepersonazhi i portretizuar nga aktori Clint Eastwood. Ndërsa punonte për këtë film, që u xhirua në vitin 1968, Sutherland tha se “kishte vdekur për disa sekonda” si rezultat i meningjitit.
Me kalimin e viteve puna e Sutherlandit u bë më radikale. Ai luajti rolin kryesor në filmin “Klute” krahas yllit Jane Fonda. Dyshja u ribashkua në ekran të madh disa vjet më vonë në dokumentarin kundër luftës së Vietnamit, “FTA”. Në vitin 2017, disa dokumente të deklasifikuara zbuluan se Sutherland, një aktivist i zëshëm kundër luftës, ishte në “listën e vëzhgimit” të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë ndërmjet viteve 1971 dhe 1973.
Teksa po e arrinte statutin e aktorit protagonist në Hollywood, Sutherland filloi të angazhohej në role të ndryshme nga njëri-tjetri. Në vitin 1973 luajti krahas Julie Christiet në filmin horror “Don’t Look Now”, që u përfol shumë nga publiku dhe kritikët për shkak të një skene të famshme seksuale mes dy aktorëve. Më pas u angazhua në projektin e Federico Fellinit, “Casanova”, e portretizoi vrasësin fashist Attila Melanchini në filmin e Bernardo Bertoluccit, “1900”, dhe luajti krahas aktorit Michael Caine në trilerin “The Eagle Has Landed”. Po ashtu e ka portretizuar profesorin sharmant në komedinë “National Lampoon’s Animal House”, dhe shkëlqeu me performancën e tij në horrorin fantastiko-shkencor, “Invasion of the Body Snatchers”. Në vitin 1980 e udhëhoqi kastën e shkëlqyer të filmit debutues regjisorial të Robert Redfordit, “Ordinary People”, pasi Gene Hackman ishte tërhequr nga roli.
Gjatë viteve ’80 dhe ’90, Sutherland u angazhua me rol në projekte të tilla si “Six Degrees of Separation”, “JFK” dhe “Buffy the Vampire Slayer”. Gjithashtu ka pasur role të spikatura në filma si “A Time to Kill” – ku luajti krahas djalit të tij Kiefer Sutherland – “Space Cowboys” dhe “Pride & Prejudice”. Në vitin 2012, roli i personazhit negativ President Snow në hitin e arkave filmike, “The Hunger Games”, e bëri të famshëm te një gjeneratë e re e filmdashësve. Gjithashtu ka luajtur në horrorin e Stephen Kingut, “Mr Harrigan’s Phone” dhe në trilerin e vitit 2022, “Moonfall”. Së fundmi ai e pati një rol përsëritës në serialin televiziv “Lawmen: Bass Reeves”.
Më 2017, Sutherland e pranoi një shpërblim nderues “Oscar”, ani pse shquhej si një prej aktorëve më të mirë të gjeneratës së tij që nuk u nominua kurrë për çmim akademik.
Në nëntor të këtij viti do të publikohet post mortem libri i tij me kujtime me titull “Made Up, But Still True”. Libri ofron një rrëfim të pacensuruar të jetës së tij që është thellësisht depërtues, emocional dhe shpesh i shoqëruar me momente qesharake.
Regjisori Edgar Wright ishte ndër personat e parë që e nderoi kujtimin e tij përmes një postimi online, me ç’rast deklaroi: “Pusho i qetë i madhi Donald Sutherland! Gjithmonë një prej aktorëve të preferuar të publikut që kishte prezencë të jashtëzakonshme në ekran të madh”. Tutje e përshkroi atë si “një person qesharak, fjalëpakë, por edhe aktor intensiv dhe dramatik në kaq shumë filma të paharrueshëm”.
Donald Sutherland gjatë jetës së tij u martua tri herë: me Lois Hardwickun nga viti 1959 deri më 1966, po atë vit u martua me gruan e dytë, Shirley Douglasin, nga e cila u shkurorëzua katër vjet më vonë dhe në vitin 1972 u martua për herën e tretë me Francine Racetten.