Qyteti romak i Pompeiit, jo larg Napolit të sotëm, është sikur makinë e kohës ku jeta ka mbetur në vend prej asaj dite të 24 tetorit të vitit 79.
Me namin e një miniere arkeologjike për pasuritë që zbulohen nën hirin vullkanik, Pompeii edhe sot i vjen njerëzimit me mesazhe, njohuri e të pathëna.
Kështu dokumentari “Pompei – një udhëtim në kohë”, me autore profesoreshen e italishtes Majlinda Bregasi, ka bashkëdyzuar informacione e përshtypje për qytetin që pësoi nga vullkani i Malit Vezuv.
Prodhim i Institutit “Pro Arte” dhe i mbështetur financiarisht nga ambasada italiane në Prishtinë, ky dokumentar është dhënë premierë të enjten paradite në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu-Rugova e ka përshkruar si interesant rikthimin e studentëve në sallë. Në fjalën e saj përshëndetëse, ajo ka falenderuar shtetin italian i cili, sipas saj, jep aq shumë përkrahje për studentët nga Kosova.
“Në Fakultetin e Filologjisë, ndër të tjerash, mësohet edhe gjuha, letërsia e kultura italiane që nga vitet ‘80”, ka thënë dekania Sejdiu-Rugova.
Duke folur për dokumentarin, ajo ka shtuar se brenda tij paraqitet një histori “sa e trishtë, po aq edhe madhështore”.
“Të kaplon mërzia e dhumbja kur sheh një qytet të mbuluar nga hiri vullkanik”.
Me një lidhje të drejtpërdrejtë është inkuadruar edhe njohësi i shquar i latinishtes, Luke Ranieri, i cili ka çmuar punën e bërë për dokumentarin.
“Pompei është vërtet magjepës e falë tij njihen kaq shumë detaje nga kultura e lashtë”, ka thënë ndër të tjerash Ranieri.
Pas shfaqjes së dokumentarit, profesori i arkeologjisë dhe historisë antike në Departamentin e Historisë dhe atë të Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, Arben Hajdari ka folur për vlerat që konstituon qyteti i mbuluar nga hiri vullkanik.
“Përmes Pompeit në arrijmë të depërtojmë edhe në skajet më të vogla të qytetit ku jetonin skllevër”, ka thënë ai.
Ndryshe, skenari i këtij filmi dokumentar është mbështetur në librin “Pompeii” të latinistes së njohur, Mary Beard.