Rrëfimi për Bekim Fehmiun – që u nis nga Prizreni për t’u ndalur në Tiranë e më pas kapërceu edhe Atlantikun duke u shfaqur në SHBA – ka mbërritur edhe në Beograd. Vepra nën regji të Velmir Tertinit bazuar në skenarin e gazetarit Fahri Musliu, është shfaqur si projeksion special në edicionin e 17-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar “Belodsc”. Ka ndezur projektorin të enjten mbrëma, në ditën e dytë të festivalit njëjavor, në Muzeun e Kinotekës në “Rrugën e Kosovës”. Organizatorët e kanë cilësuar si premierë rajonale.
“Në 66 minuta, filmi ngjall rrëfimin jetësor të aktorit të madh, më të shquarit nga këto anë që bëri karrierë botërore, një rrëfim pa narracion ku për bekimin flasin 22 bashkëbisedues”, është përshkrimi që i bëhet dokumentarit “Bekim Fehmiu”.
Premiera në Kosovë e këtij rrëfimi filmik qe dhënë në Prizren, në tetorin e vitit të kaluar e një muaj më vonë u shfaq edhe në Prishtinë. Tirana ka qenë nikoqirja e parë e dokumentarit.
Historia e Bekim Fehmiut që nisi nga kalldrëmet e Prizrenit e deri te reflektorët e shesh-xhirimeve të Hollywoodit, në këtë dokumentar fillon me epilogun e trishtë të jetës së Fehmiut, pikërisht me vetëvrasjen e tij më 15 qershor të vitit 2010, skenë e regjistruar mjeshtërisht nga regjisori Tertini. E bashkëshortja Branka Petriq ndan në fillim të filmit gjësende personale të Bekimit, si kapelën që e kishte përdorur në filmin “Mbledhësit e puplave”, një libër shkollor të përdorur në shkollat italiane me figurën e Bekimit si Odiseu në kopertinë, çakmakun e Bekimit, filxhanin e tij me të cilin pinte kafenë, e parzmoren dhe armën që kishte përdorur në filmin “The Deserter” si një tentativë e saj për të rikujtuar figurativisht copëza të artistit. Në dokumentar, përveç krijimtarisë së tij të bujshme, paraqitet fëmijëria e tij përmes rrëfimit të vëllait të tij Arsimit, vizita e tij në Shqipëri, në qytetin që dikur dhe kishte jetuar, në Shkodër derisa përfundon me disa paraqitje të tija të vona në televizionin publik.
Kur u shfaq në kryeqytetin e Kosovës, prezente qe edhe e veja e aktorit të shquar, Branka Petriq, të cilën kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do ta dekoronte me “Mirënjohjen e Kryeqytetit”.
“U befasova nga shiu i madh mbrëmë në Prishtinë, por sot dielli doli dhe zbukuroi këtë ditë njëjtë si Bekimi”, do të thoshte Petriq.
Për ta vendosur një jetë dhe karrierë aq të frytshme si ajo e Bekim Fehmiut siç kishte rrëfyer regjisori nuk ishte punë e lehtë. Ideja kishte nisur nga një promovim libri në Gjakovë, në takimin me Fahri Musliun.
“Ne deshëm që xhirimet të nisin në fillim të vitit 2019, por mosfinancimi nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës na i shtyu ato, dhe kështu humbëm mundësinë që në film të kishim pjesë dhe nga Musa Ramadani”, kishte thënë ai, duke shtuar se pas punës pesëvjeçare të realizimit të filmit ndihej krenar dhe shumë i lumtur.
Skenaristi i dokumentarit, gazetari Fahri Musliu, njëherësh autor i monografisë për Bekim Fehmiun, njësoj si pas premierës në Prizren, edhe në Prishtinë kishte ripërsëritur se filmi është finalizuar pas katër vjetësh punë e sakrificë dhe pa përkrahjen institucionale në Kosovë. Sipas tij, ky dokumentar paraqitet për gjeneratat e reja si një minierë ari e Kosovës, për të parë dhe për të mësuar se si me punë të madhe dhe sakrificë arrihet suksesi botëror.
“Filmi nuk e prezanton Bekimin si figurë në totalin e plotë të tij, por vetëm në disa pjesë”, kishte thënë Musliu.
Festivali “Belodsc”, për premierën në Beograd, përmend edhe një detaj “interesant”, për dokumentarin si produksion i Shqipërisë.
“Është ‘interesant’ që Beogradi zyrtar (Qendra Kinematografike e Serbisë dhe Prishtina (Qendra Kinematografike (e Kosovës v.j.)) përkundër tentimeve të regjisorit, siç ka dëshmuar, nuk kanë marrë pjesë në financimin e filmit”, citon gazeta “Danas”.