Sukses për “DokuFestin” është vetëm njëra anë e arritjes së këtij festivali që të nominojë për “European Film Awards” në dy kategori. Pak e kanë këtë privilegj, por ndikimi që parashihet të ketë një status i tillë shtrihet te kinematografia e Kosovës, dhe jo vetëm. “Janë vetëm 29 festivale nominuese, nga qindra e qindra sa janë aktive në Evropë, dhe vetë ky fakt i sjell edhe ‘DokuFestin’, edhe Kosovën në fokus të interesimit të një numri shumë më të madh sesa deri më tani. Prandaj ne presim që në një të ardhme të afërt Kosova të jetë jo vetëm vend ku shfaqen filma cilësorë, por edhe ku ata krijohen”, ka thënë për KOHËN Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit”
Nuk janë as 30 festivale në Kontinentin e Vjetër të cilët kanë të drejtë nominimi për “European Film Awards”. Një privilegj i tillë u jepet alamet festivaleve të dëshmuara e me traditë, por prej së enjtes në mesin e tyre është edhe festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.
Arritje e jashtëzakonshme, lajm i mrekullueshëm e kanë cilësuar organizatorët, por ndikimi që mund të ketë statusi i “DokuFestit” si nominues për atë që njihet si “Oscar” evropian, shkon përtej festivalit tek e shtrin ndikimin edhe te kinematografia e Kosovës.
“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se Akademia Evropiane e Filmit ka përzgjedhur ‘DokuFestin’ si një ndër festivalet e filmit nominues për Çmimet e Filmit Evropian dhe atë në dy kategori: të filmit të shkurtër dhe po ashtu të filmit dokumentar”, thuhet krejt në fillim të komunikatës për media të “DokuFestit”, ku, ndër të tjera, jepet edhe një historik i EFA-s, institucion me peshë në botën e filmit, i cili në dhjetorin e vjetëm në Berlin mbajti edicionin e 34-t të ceremonisë së ndarjes së çmimeve prestigjioze.
Procedura e përzgjedhjes dhe e nominimit të filmit të shkurtër organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit dhe Produksionit të Akademisë Evropiane të Filmit, në bashkëpunim me një sërë festivalesh filmi të krejt Evropës.
Siç ka rikujtuar “DokuFesti”, në secilin prej këtyre festivaleve një juri e pavarur prezanton një nga filmat e shkurtër evropianë në konkurrencë me një kandidaturë në kategorinë e filmave të shkurtër të Çmimeve të Filmit Evropian. Pasi të plotësohet lista e kandidatëve në shtator 2022, festivalet pjesëmarrëse do të nominojnë pesë filma të shkurtër nga kjo listë.
“’DokuFesti’ gjithashtu do të nominojë një dokumentar evropian tek një varg nominimesh, nga ku një komision i anëtarëve të Akademisë dhe ekspertëve të dokumentarit të përzgjedhur nga Bordi i Akademisë do të zgjedhë 12 filma dokumentarë për Çmimin e Filmit Dokumentar Evropian. Në fund të këtij procesi, anëtarët e Akademisë do të votojnë për fituesin”, janë procedurat që i ka shpjeguar stafi i “DokuFestit”, krahas lajmit për arritjen e radhës të këtij festivali, i cili sivjet vjen me edicionin e 21-të, prej 5 deri më 13 gusht në Prizren.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që bashkëpunimi ynë i pandërprerë me Akademinë Evropiane të Filmit ka sjellë edhe një mirënjohje tjetër për ‘DokuFestin’, si dhe për skenën e filmit të Kosovës. Të bëhesh një festival nominues për EFA në dy kategori është një arritje e mrekullueshme, dhe ne presim të kontribuojmë edhe më shumë në projektin madhështor të promovimit të kinemasë evropiane”, citohet të ketë thënë Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit”, njëherësh anëtar i “European Film Academy”.
Por në një bisedë të shkurtër për KOHËN, nja dy orë pas lajmit, Nurkollari ka zbërthyer më në hollësi ndikimin që ka kjo arritje jo vetëm për festivalin i cili kaherë e ka vënë Kosovën në hartën botërore të ngjarjeve kulturore.
“Me vetë faktin se ‘DokuFest’ bëhet festival nominues për çmimet EFA në dy kategori, është një ngritje e jashtëzakonshme, sidomos në reputacionin e vetë festivalit, por edhe të Kosovës, dhe natyrisht e rrit përgjegjësinë tonë dhe të ekipit seleksionues të Festivalit”, ka thënë Nurkollari.
Dobia kryesore me statusin e nominuesit, sipas Nurkollarit, do të jetë interesimi i shtuar nga ana e filmbërësve evropianë për “DokuFestin”, por edhe për vendin, “meqenëse kjo do ta bëjë Kosovën atraktive për ta”.
“Janë vetëm 29 festivale nominuese, nga qindra e qindra sa janë aktive në Evropë, dhe vetë ky fakt i sjell edhe ‘DokuFestin’, edhe Kosovën në fokus të interesimit të një numri shumë më të madh sesa deri më tani. Prandaj ne presim që në një të ardhme të afërt Kosova të jetë jo vetëm vend ku shfaqen filma cilësorë, por edhe ku ata krijohen”, ka thënë Nurkollari.
Sukseset e viteve të fundit të filmave të Kosovës – që rrëmbyen trofe në festivalet prestigjioze prej Sundance, Festivalit të Filmit në Toronto, e që u nominuan e u shfaqen në Cannes e Venecia – sipas Nurkollarit tashmë ia kanë hapur rrugën dhe kanë ndihmuar të ketë vëmendje të shtuar në arenën ndërkombëtare për kinemanë e Kosovës. Por ai mendon se ajo do të shtohet edhe më shumë nëse merret parasysh arritja e asaj që po quhet si “Vala e Re e Filmit Kosovar”.
“Por edhe të faktit se të qenit festival nominues për çmimin më të rëndësishëm në fushën e filmit në Evropë medoemos do të sjellë në Prizren dhe Kosovë në vitet në vijim interesim dhe profesionistë të shumtë të lëmit”, ka thënë ai.
Në fakt, “DokuFesti” e sukseset e filmit të Kosovës nuk janë të panjohur për “European Film Awards”.
Vitin e kaluar qe historik nominimi i “Pa vend”, nën regji të Samir Karahodës për Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Evropë.
“Ne vijmë nga një vend në zhvillim e sipër e konkurrojmë me vendet tepër të zhvilluara, prandaj pa marrë parasysh të gjitha, ne si ekip jemi krenarë për suksesin e filmit dhe për rrugëtimin e tij historik”, kishte thënë Karahoda mbrëmjen e 12 dhjetorit të vitit të kaluar, kur në ceremoninë në Berlin mori pjesë virtualisht.
“Pjesëmarrja në EFA për ne ishte një moment me të vërtetë historik, pasi që është hera e parë që një regjisor nga Kosova, një film 100 për qind nga Kosova të nominohet për një çmim kaq prestigjioz, siç është çmimi i Akademisë Evropiane të Filmit. Ne nuk e shohim këtë as si humbje, as si asgjë tjetër, por e shohim si një hap tjetër të suksesit të kinematografisë kosovare, në veçanti të filmit ‘Pa vend’”, kishte thënë po atë natë Eroll Bilibani, producent i filmit pjesëmarrës në tri prej pesë festivaleve më të mëdha në botë. Në Festivalin e Filmit në Cannes më 16 korrik do të jepej premierë botërore, e qe “festivali i festivaleve” që e nominoi për EFA, ndërkaq në shtator të atij viti mori çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cuts” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto për t’u kualifikuar për “Oscar”. Kur ekipi e konsideroi të mbyllur kapitullin me festivale të këtij niveli, në janarin e sivjetmë “Pa vend” mori çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër në prestigjiozin “Sundance Film Festival”.
E tash, për “DokuFestin” i cili tashmë s’është vetëm festival ku garojnë filma, por edhe ku prodhohen, me statusin e nominuesit hapen kapituj të rinj. Lajmi për EFA vjen fill pas atij se “DokuFesti” do të jetë partner i Festivalit të Filmit në Cannes. Si pjesë e “Cannes Docs”, do të jetë në “tregun e filmit” që është edhe tregu më i madh në botë i fushës së kinematografisë në festivalin që mban edicionin e 75-të prej 17 deri më 28 maj. Është aktori nga Kosova, Alban Ukaj, që sivjet rikthehet në Cannes pasi luan në “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, i cili është në garë për “Palmën e Artë”. Po ky aktor luan edhe në filmin boshnjak “Quo Vadis Aida?”, i cili qe fituesi kryesor në edicionin e vjetëm të Akademisë Evropiane të Filmit, duke rrëmbyer tri çmimet kryesore kur u shpall filmi më i mirë, mori çmim për regjinë më të mirë (Jasmila Zhbaniq) dhe atë për aktoren me të mirë (Jasna Gjuriçiq).
Themelimi i Akademisë Evropiane të Filmit ishte iniciativa e grupit më të mirë të kineastëve të Evropës, të mbledhur së bashku me rastin e ceremonisë së parë të Çmimit Evropian të Filmit, që u mbajt në nëntor të vitit 1988. Akademia Evropiane e Filmit u themelua përfundimisht në vitin 1989 si Shoqëria Evropiane e Kinemasë nga presidenti i parë Ingmar Bergman dhe nga 40 kineastë, me synim që të zhvillojnë interesat e industrisë evropiane të filmit. Wim Wenders (1996-2020) dhe Agnieszka Holland ndoqën hapat e Bergmanit si presidentë të Akademisë.
“Akademia Evropiane e Filmit kërkon të mbështesë dhe t’i bashkojë 4200 anëtarët e saj duke festuar dhe promovuar punën e tyre. Synimet e Akademisë janë ndarja e njohurisë dhe edukimi i audiencës të të gjitha moshave për kinemanë evropiane. Duke u pozicionuar si një organizatë udhëheqëse dhe duke mundësuar debatime thelbësore brenda industrisë, Akademia përpiqet të bashkojë të gjithë ata që e duan kinemanë evropiane, duke kulmuar çdo vit me Çmimet e Filmit Evropian”, rikujton “DokuFesti” në komunikatë. Çdo vit aktivitetet e ndryshme të Akademisë Evropiane të Filmit kulmojnë me ceremoninë e Çmimeve të Filmit Evropian. Në gjithsej 26 kategori - mes tyre Regjisori, Aktorja dhe Aktori i Filmit Evropian - nderojnë çdo vit arritjet më të mëdha në kinematografinë evropiane.
Edicioni i 35-të i “European Film Awards” të këtij viti do të mbahet në Reykjavík më 10 dhjetor.