Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, ka kohë që nuk është vetëm platformë e shfaqjes së filmave, vendtakim i kineastëve botërorë, por edhe promotor e përkrahës i madh edhe i atyre që ia mësyjnë botës së filmit. Në këtë frymë është edhe thirrja e radhës për atë që “DokuFesti” e promovon si valë e re e kineastëve të Kosovës
Me qëllim mbështetjen e filmbërësve të rinj të Kosovës, festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër, “DokuFest”, ka bërë thirrje për aplikime për grante. Njëzet mijë euro është shuma me të cilën mbështetet realizimi i dy filmave që pritet të përzgjidhen gjatë edicioni të sivjetmë të festivalit.
“Mbështetje për valën e re të filmbërësve të Kosovës” është një grant i “DokuFestit” që po nis ta krijojë traditën e vet, mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Kosovë. Përveç buxhetit, nëpërmjet këtij programi të përzgjedhurve do t’u sigurohet edhe një kamerë profesionale, si dhe mbështetje për produksion dhe distribuimin.
Përveç përkrahjes, programi ka si qëllime edhe “promovimin e narrativave lokale”, me ç’rast filmat do të dërgohen edhe nëpër festivale të tjera ndërkombëtare. Mundësinë për t’i paraqitur projektet e tyre përpara një jurie të zgjedhur profesionistësh do ta kenë gjithsej gjashtë filmbërës prej të cilëve do të përzgjidhen dy.
“Ne po kërkojmë aplikime deri në gjashtë ide filmash, që do të jenë në listën e ngushtë bazuar në propozimin dhe materialet mbështetëse vizuale të paraqitura. Projektet e përzgjedhura do të zhvillohen më tej me kontributin e profesionistëve të filmit. Gjashtë kineastë do të kenë mundësinë t’ia paraqesin projektet e tyre një paneli ekspertësh, të cilët do të përzgjedhin dy projekte filmike, që do të prodhohen deri në gusht 2024”, shkruhet në thirrjen e publikuar ne uebfaqen e “DokuFestit”.
Në synim kanë edhe ata kineastë që janë të aftë të zhvillojnë projektet e tyre edhe brenda një afati të caktuar kohor.
“Këto grante ofrojnë një mundësi alternative të financimit për realizimin e filmave në Kosovë, veçanërisht duke synuar kineastët të cilët mund të zhvillojnë dhe ofrojnë projektet e tyre brenda një afati kohor të caktuar. Individët e gatshëm për të bashkëpunuar me producentët e rinj përmes kompanive të regjistruara të prodhimit të filmit kanë të drejtë të aplikojnë”, shkruhet në njoftim
Linda Llulla, drejtoreshë artistike e “DokuFestit”, teksa ka thënë se vlera e grantit është 20 mijë euro, ka dhënë edhe detaje të tjera.
“Kjo është pjesë e programit që e sponsorizon Ambasada e Suedisë në Kosovë dhe kjo është thirrja e tretë e hapur dhe kemi dy grante për dy filmbërës të rinj në vlerë prej 10 mijë eurosh, pra gjithsej 20 mijë euro. Procesi dhe aplikimet kanë filluar, domethënë thirrja është e hapur dhe përzgjedhja do të bëhet në edicionin e 22-të të festivalit ‘Dokufest’ nga një juri profesionale me filmbërës nga Kosova, përfaqësues nga “Dokufesti”, një nga donatori dhe producentët”, ka bërë të ditur ajo.
Llula ka folur edhe për rëndësinë e këtij granti. Ka thënë se për shumë kineastë të rinj, ky do të jetë edhe shansi i parë, ku do të kenë mundësi ta tregojnë veten.
“U ndihmon shumë sepse në realizmin e projekteve të tyre fondet i kanë të limituara si nga sponsorët komercialë, ashtu edhe prej shteteve dhe ata duhet të afirmohen dhe për këtë duhet dikush t’u japë shansin e parë për ta treguar veten, kështu që është tepër domethënëse. Kur të jenë gati filmat e tyre, ne si producentë të filmave dhe distributorë do t’i dërgojmë filmat në festivale të ndryshme ku do të marrin pjesë, në gara apo programe të tjera”, ka thënë ajo.
Por kjo nuk është hera e parë që “DokuFest” jep këtë grand i cili është pjesë e një programi më të gjerë të njohur si “Avancimi i Shoqërisë Demokratike përmes përdorimit të Artit dhe Kulturës".
“Qe dy vjet ne e praktikojmë këtë. Dy projekte janë përfunduar. I pari e ka pasur premierën në ‘DokuFest’ dhe kemi aplikuar në disa festivale të ndryshme botërore. Filmi i dytë do ta ketë premierën sivjet në ‘DokuFest” dhe filmi i tretë dhe i katërt po shpresojmë që do të përfundojnë për edicionin e ardhshëm të ‘DokuFestit’”, ka thënë Llulla.
Edicioni i 22-të i “DokuFestit” do të organizohet prej 4 deri më 12 gusht.