Thirrja për aplikim nga “DokuFesti” është hapur të hënën për filmat dokumentarë, filmat e shkurtër, animacionet dhe filmat eksperimentalë. “Ne jemi në kërkim të veprave të reja, të cilat eksplorojnë kufijtë, e sfidojnë publikun, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë”, kanë bërë të ditur organizatorët e këtij Festivali.
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka nisur përgatitjet për edicionin e radhës. Të hënën ka njoftuar se ka hapur thirrjen për aplikimin e filmave që do të shfaqen në kinematë e Prizrenit në verën e vitit 2023. Këtë herë organizatorët kanë pohuar se janë në kërkim të veprave të reja që sfidojnë, por edhe frymëzojnë në të njëjtën kohë.
“’DokuFest’ ka hapur thirrjen për aplikim për edicionin e 22-të të festivalit. Afati i fundit për aplikim është 28 shkurt 2023”, thuhet në njoftim. Aty sqarohet se thirrja për aplikim është e hapur për dokumentarë, filma të shkurtër, animacione dhe eksperimentalë.
“Ne jemi në kërkim të veprave të reja, të cilat eksplorojnë kufijtë, e sfidojnë publikun, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë”, kanë bërë të ditur organizatorët e këtij Festivali.
Në të njëjtën kohë janë dhënë udhëzime për filmbërësit, lidhur me procesin e aplikimit.
“Autorët mund të aplikojnë përmes platformave online ‘FilmFreeway’. Për të dorëzuar dhe për të qasur rregullat dhe rregulloret e plota të Festivalit, ju lutemi vizitoni faqen tonë të aplikimeve të Filmit ‘Freeway’”, thuhet në njoftim.
Në këtë faqe shpjegohet se aplikimi është i hapur për dokumentarët, filmat e shkurtër, animacionet dhe filmat eksperimentalë të realizuar pas janarit të vitit 2022. Kohëzgjatja e filmave të shkurtër është kufizuar deri në 30 minuta, përkatësisht 45 minuta për dokumentarët e shkurtër. Ndërkohë për dokumentarët e gjatë nuk ka kufizime në kohëzgjatje. Krahas kësaj, ofrohen edhe sqarime se si programi i Festivalit përbëhet prej programit garues dhe programeve speciale.
Aty nënvizohet se Gara e dokumentarëve të Ballkanit u dedikohet filmave nga shtetet e rajonit, derisa Gara ndërkombëtare e dokumentarëve përfshin dokumentarët e gjatë e të shkurtër nga e tërë bota, ndërkohë që përshkruhet edhe Gara e dokumentarëve për të drejtat e njeriut, Gara e dokumentarëve të mjedisit, “E vërteta” apo Gara e filmave që eksplorojnë fushën ndërmjet gazetarisë hulumtuese dhe dokumentimit, pastaj Gara e filmave të shkurtër dhe Gara e filmave kombëtarë, ku bëjnë pjesë dokumentarët, filmat e shkurtër, ata eksperimentalë dhe animacionet realizuara nga filmbërësit nga Kosova dhe Shqipëria, apo në kooproduksion me kompanitë nga Kosova.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”, është festivali më i madh i filmit në Kosovë. I vlerësuar si një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore dhe i votuar dy herë si “Top 25 Festivalet” më të bukura të filmit nga “Filmmakers Magazine”, çdo vit “DokuFesti” mbush kinematë rreth qendrës historike të Prizrenit me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filma nga e gjithë bota.
I themeluar në vitin 2002, me synimin për të rigjallëruar kinemanë dhe jetën kulturore në Prizren, “DokuFesti” u rrit dhe u zgjerua në ngjarjen më të madhe kulturore në vend dhe një nga festivalet më të mira të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropë. Prej vitit 2022, “DokuFesti” është përzgjedhur si një nga festivalet e filmit nominues për “Çmimet e Filmit Evropian” (European Film Awards) në dy kategori, film me metrazh të shkurtër dhe dokumentar nga Akademia Evropiane e Filmit.
Në edicionin e 21-të, të mbajtur në verën e shkuar, “DokuFesti” nëpërmjet filmave e këndvështrimeve të ndryshme kishte shpalosur dëshirën njerëzore për mbijetesë, pavarësisht krizave që mbizotërojnë në botë, duke shfaqur rrëfime audiovizuale në kinematë unike të qytetit të vjetër.
Përzgjedhja e sivjetme e krizave, sipas organizatorëve, ishte ndikuar në mënyrë të pandarë nga dy vjetët e shkuar të pandemisë, fillimi i luftës në Ukrainë, të shoqëruara me inflacionin, si dhe ngjarjet e tjera në botë. E zhvillimet në mbarë globin pritet të reflektohen edhe në programin e edicionit të 22-të të Festivalit, që planifikohet të mbahet nga 4 deri më 12 gusht 2023.