Kulturë

“DokuFesti” i Prizrenit, mësim për Shkodrën

Edhe Prizreni edhe Shkodra shquhen për traditën, historinë dhe kulturën e tyre, kanë jo pak pika të përbashkëta e ngjashmëri përgjatë kohëve, janë qytetet simotra por synimet për ta fuqizuar shkëmbimin kulturor nuk ndalen. “DokuFesti” është shembull e prej tij synon të marrë përvoja edhe Shkodra

Udhëheqës të Bashkisë së Shkodrës, në kuadër të angazhimit të tyre për rritjen e bashkëpunimit kulturor me Prizrenin, të hënën kanë vizituar “DokuFestin”, ku edhe janë njoftuar në hollësi lidhur me organizimin e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër. Me këtë rast është theksuar rëndësia e ndarjes së përvojave të mira sikurse edhe gjetja e mënyrave të reja për rritjen e shkëmbimit kulturor mes dy qyteteve që veçohen për traditën, historinë dhe kulturën e tyre.

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari pas takimit ka vlerësuar se shkëmbimi kulturor midis Prizrenit e Shkodrës ekziston, por se duhet punë e dyanshme për shtimin e tij. Ka përkujtuar se Shkodra është qytet simotër për Prizrenin, me lidhje historike, por edhe me disa ngjashmëri, të cilat mund të shfrytëzohen në dobi të ndërsjellë. Ai ka shprehur gatishmërinë që përvojën në organizimin e “DokuFestit” ta ndajë me artistët në Shkodër, megjithëse konsideron se në qytetin shqiptar ka mjaft ngjarje kulturore interesante dhe të veçanta.

“Ngjarjet që ndodhin në Shkodër janë ngjarje interesante dhe mendoj se duhet të çmohen, të vlerësohen edhe të kultivohen, sepse Shkodra ngadalë është duke e fituar një identitet interesant sa u përket organizimeve kulturore, edhe pse jo ndoshta në përmasa çfarë është këtu në Prizren, por mund të zhvillohen, mund të rriten, mund të begatohen. Ne patjetër që jemi të gatshëm, kemi qenë të gatshëm dhe do të jemi të gatshëm për bashkëpunim në këtë formë edhe me partnerët tanë atje”, ka thënë Nurkollari.

Benet Beci, kryetar i Bashkisë së Shkodrës ka thënë se gjithnjë ka qenë i impresionuar me këtë festival, i cili ka arritur që ta lidhë në mënyrë unike Prizrenin me filmin. Ai ka shtuar se në takim ka mësuar hollësi lidhur me mënyrën e organizimit të tij, teksa janë shqyrtuar mundësitë për shtimin e bashkëpunimit mes komunitetit artistik të dyja qyteteve.

“Unë vij nga kuadri dhe një diskutim me kryetarin e bashkisë për të gjetur mënyrat e bashkëpunimit mes Prizrenit dhe Shkodrës, dhe shoh se eksperiencat më të mira të secilit është mirë që t’i dimë dhe t’i ndajmë me njëri tjetrin. Për mua është një aktivitet i jashtëzakonshëm për mënyrën se si është organizuar dhe mënyra se si po rritet si aktivitet. I kemi ftuar dhe organizatorët këtu për në Shkodër e sigurisht se do të vijmë edhe një ditë për të marrë pjesë në festival”, ka thënë Beci.

Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit ka theksuar se “DokuFesti” është krenaria e Prizrenit dhe se për këtë arsye, Komuna e përkrah në aspekte të ndryshme. Sipas tij, vizita me homologun nga Shkodra në këtë organizatë ka shërbyer për shqyrtimin e ideve të bashkëpunimit kulturor, që u sjellin dobi të dyja qyteteve kulturore.

“Edhe është kënaqësi kur kemi mysafirë të këtij rangu që kemi ku t’i sjellim. I falënderoj edhe zyrtarët e ‘DokuFestit’ për pritjen. Bëhet fjalë për një festival ndërkombëtar, i cili e promovon jo vetëm Prizrenin, por e promovon tërë Kosovën, edhe diskutimi rreth mënyrës se si ka lindur ideja me organizu një festival të tillë, si bëhet selektimi i filmave, çfarë rritje kemi çdo vit, janë tema shumë të rëndësishme edhe është një burim i përvojave dhe burim i ideve për diçka tjetër që eventualisht mund të organizohet në Shkodër. Jam i sigurt që edhe ne kur të shkojmë në Shkodër do të kemi mundësi të shohim diçka të tillë edhe krejt kjo shkon në funksion të hulumtimit të ideve të reja për jetën kulturore, për projektet e përbashkëta, për mënyrën se si mund të promovojmë më tutje qytetin, Shkodrën, bashkëpunimin dhe vlerat që ne i posedojmë”, ka thënë Totaj.

Vitin e shkuar, qyteti i Tiranës ka qenë sponsor zyrtar i “DokuFest”, me ç’rast kryebashkiaku Erion Veliaj kishte theksuar se për ta ka rëndësi që jeta kulturore gjallërojë gjithandej ku ka shqiptarë.

Edicioni i 22-të i “DokuFest” sivjet mbahet prej 4 deri më 12 gusht, në lokacionet e shpërndara në gjithë Qendrën historike të Prizrenit dhe në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve.