“Reconcilation”, nën regji të Marija Zidarit, dokumentari për jetën në një pjesë të Shqipërisë e forcën e kanunit, ka triumfuar në “DokuFest”, duke marrë çmimin kryesor: atë për dokumentarin më të mirë ballkanik.
Brenda 82 minutave, tregohet konflikti në mes të dy familjeve shqiptare. Në vitin 2013, Gjyste Paplekaj është qëlluar dhe vrarë. Filmi mban peshën e dhimbjen e kësaj ngjarjeje dhe përpjekjen për ndërmjetësim, duke zbuluar në thellësi një konflikt gjeneratash që kulmoi me vdekjen e 18-vjeçares.
Ekzistojnë tri versione të incidentit që çuan në vdekjen e Gjystes. Njëra është se vajza u qëllua rastësisht kur babai i saj plagosi burrin që e vrau atë, ndërsa i plagosuri përfundoi duke shkrepur dy plumba në ajër të cilat përfunduan në trupin e Gjystes. Versioni i babait të vajzës është se ajo u përpoq ta mbronte atë si një heroinë. E fundit është se vajza po gjuante gurë, e nxitur nga babai i saj, dhe konflikti u përshkallëzua.
Rrëfimi thyen kufijtë e shqiptarëve. Shndërrohet në tregim universal për faljen, humbjen e vuajtjen. Por në këtë rast, specifike është se ka një kërkesë që familjet të pajtohen. Kështu që në film, babait të Gjyste Paplekajt do t’i duhet jo vetëm të falë, por edhe të pajtohet me familjen e vrasësit. Kjo është një kërkesë që vjen nga tradita e lashtë e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Zanafilla e nisjes së “Reconcilation” (Pajtimit) është e lidhur ngushtë me “DokuFestin”.
“Wow”, 20 vjet me “DokuFestin”
Në vitin 2013, regjisorja Marija Zidar, idenë për këtë dokumentar e kishte të shkruar vetëm në një copëz letre. Kishte biseduar me drejtorin artistik të Festivalit, Veton Nurkollarin, i cili e kishte vënë në kontakt me tre kinematografë. Zidar më pas kishte nisur bashkëpunimin me drejtorin e fotografisë Latif Hasolli. Tregimin se si nisi gjithçka e kishte potencuar regjisorja edhe kur doli në skenë për të pranuar çmimin.
“Jam shumë e lumtur të pranoj këtë çmim. Ky rajon ka rrëfime të rëndësishme dhe se sa të rëndësishme janë ato, është dëshmuar nga sukseset e kinematografisë kosovare në botë. Është filmi i parë në bashkëproduksion slloveno-kosovar. Është çmimi i parë që kemi marrë dhe Veton Nurkollari është personi me të cilin kam qëndruar më 2013 në Prizren. Isha këtu afër Lumit, kur kjo ishte vetëm ide në letër dhe të jem këtu kaq vjet më vonë e të marr këtë çmim nga audienca lokale, është e jashtëzakonshme. Faleminderit!”, ka thënë regjisorja që për shesh-xhirim kishte Malësinë e Madhe, në veri të Shkodrës.
Pjesa tjetër e ceremonisë shkoi shumë rrjedhshëm me regjisorët që dilnin në skenë për të pranuar çmimet apo që kishin nisur video-mesazhe në pamundësi për të qenë të pranishëm.
“Wow, 20 vjet, të rrenave, protestës, këmbënguljes, por edhe 20 vjet të dashurisë, së vërtetës e së ardhmes”, ishin fjalët e para të Hajat Toçillës, moderatore e ceremonisë përmbyllëse. Edicioni i sivjetmë nisi më 6 gusht e përfundoi mbrëmjen e së shtunës.
“Ky është një vit kur e kuptuam sa na ka munguar arti, e sa na kanë munguar njerëzit. Pas një viti që u mbyllëm, ramë e u pamë këtu në Prizren për ditëlindjen tonë të 20-të, ku shpresojmë që shumica nga ju patët rastin ta bëni një ‘Reset’, dhe arritët që ta shijoni një ‘Remix’, e me siguri keni pas rast edhe me ‘Re:ACT’”, ka thënë ajo. Ka shtuar se ky edicion jubilar dhe ky vit e ka një veçanti jo vetëm pse janë bërë 20 vjet të “DokuFestit”, por pasi është edhe viti që do të mbahet në mend si viti më i suksesshëm i kinematografisë së Kosovës në histori.
Rrëfimet me qasje personale që u shndërruan në film
Juria e garës ballkanike në përbërje me: Ivan Ramljak, Norika Sefa dhe Marko Stojilkoviq që zgjodhën si fitues “Reconcilation” vendosën që trofe të marrë edhe filmi “Rampart” nën regji të serbit Marko Grba Singh. Ai mori çmimin “Best Balkan Newcomer” që u dedikohet autorëve të rinj nga rajoni. Dokumentari është realizuar me xhirime të marra nga arkivi i familjes. Gjurmët e së kaluarës sa janë idilike, aq edhe traumatike.
E dokumentari “Telenovela Greyscale In Color” nën regji të serbit Filip Martinoviq, që u rrit në Barcelonë, mori mirënjohje speciale në kuadër të Garës Ballkanike. Regjisori përshkruan një udhëtim personal në kërkim të rrënjëve të tij.
E veçanta në “DokuFest” është interesimi i publikut për filmat garues në kategorinë Kombëtare, që si zakonisht ishte i jashtëzakonshëm. Juria në përbërje me Enis Saraqin, Ruken Tekesh dhe Tom Grimshaw i zgjodhi më të mirët në këtë garë. Çmimin kryesor e mori “Një Fëmijë” nga Bekim Guri. Filmi trajton sterilitetin dhe mentalitetin në vend karshi kësaj dukurie, akuzat mbi gruan për paaftësinë për t’u bërë nënë dhe krenarinë e burrit që nuk pranon të bëjë kontrolle mjekësore.
“Ky çmim shkon për familjen time për djalin tim që ka qenë pikënisje, për gruan time dhe për babanë tim që nuk është më”, ka thënë Guri me lot në sy.
Mirënjohje speciale mori regjisorja Flaka Kokolli për filmin e saj “Mardhë”, animacionin që kap kapitullin e luftës së fundit në Kosovë. Çmimin e distribuimit, bashkëpunim i “DokuFestit” me “Rradiator Ip Sales”, e mori filmi “Vozitësi” në regjit të Valter Lucaj. Filmi që trajton trafikim e qenieve njerëzore dhe indiferencën e njerëzve karshi të keqes dhe reagimin e tyre vetëm kur preken vetë, mori edhe Çmimin e publikut.
Juria e Garës Kombëtare patën detyrën për të zgjedhur edhe filmin me të mirë të shkurtër. Shpërblyen “The Criminals” nga Serhat Karaaslan.
“Në një qytet të vogël në Anadoll, në mes të natës, një çift i ri Emre dhe Nazliu, po kërkojnë dhomë për të bërë dashuri. Ata refuzohen nga hotelet kur paraqiten, sepse nuk kanë certifikatë martese. Kur sapo mendojnë se e kanë gjetur një truk, situata u del nga duart”, është përshkrimi që “DokuFesti” ia bën filmit.
Përkushtimi i “DokuFestit” për ruajtjen e ambientit dhe zhvillimit të qëndrueshëm manifestohet në shumë forma. Një ndër to është edhe mbrojtja e mjedisit të cilit i dedikohet edhe kategoria “Green Dox”. Juria në përbërje Ahmet Gyrata, Brigjid O’Shej dhe Jeton Jagxhiu zgjodhën filmin “White On White” Nga Viera Çákanyvá si me të mirin. Është video-ditari i realizuar gjersa po qëndronte në stacionin polak në Antarktik.
“Gjersa po qëndroja atje, nuk e kam menduar se ky film i vogël personal do të arrinte një shtrirje kaq të gjerë, prandaj kjo do të thotë shumë për mua”, ka thënë regjisorja gjatë pranimit të çmimit.
Të vërtetat që përçohen me elegancë kinematografike
Nga tetë filma që garuan në kategorinë “Human Rights Dox”, juria e përbërë nga Nita Luci, Vouter Jansen dhe Ziad Kalthum e përzgjodhi filmin “Our Memory Belongs to Us” nga regjisori sirian, Rami Farah si me të mirin. Rreth 10 vjet pas fillimit të revolucionit sirian, tre aktivistë sirianë – Yadan, Odai dhe Rami – ribashkohen në një skenë teatri në Paris. Ata reflektojnë për udhëtimet e tyre personale, duke ringjallur kujtesën kolektive, dhe duke pyetur veten se çka ka mbetur nga shpresat dhe ëndrrat e tyre.
“Do të doja që të isha me ju, por fatkeqësisht ishte e pamundur për shkak të vizave, mirëpo fatmirësisht filmat mund të udhëtojnë edhe pa viza. Ne jetojmë në një botë plot me kufij dhe në mungesë të respektimit të drejtave të njeriut, prandaj ky çmim dhe ky festival kanë shumë rëndësi për mua”, ka thënë Rami Farah.
E në kategorinë “Truth Dox” nga tetë filma, juria e përbërë nga Kller Sajmon, Dea Gjinovci dhe Svetla Turnin shpallën fitues filmin “Writing With Fire” që sjell rrëfimin e daljes në pah të gazetës së vetme në Indi e udhëhequr nga gratë dali nga Rintu Thomas dhe Sushmit Ghosh.
“Është një çmim shumë me rendësi për ne dhe ua dedikojmë të gjithë atyre që besojnë në barazi, drejtësi dhe në atë se duhet thënë të vërtetën pa marrë parasysh rrethanat”, kanë thënë regjisorët në një video-mesazh. Në këtë kategori mirënjohje speciale iu nda “The Silence Of The Mole” nga Anais Taracena.
Ebby San, Gyrxhan Keltek dhe Mahdi Fleifel zgjodhën edhe dokumentarin më të mirë të shkurtër, “The Rifleman” nga Sierra Pettengill si dhe dokumentarin e gjatë më të mirë ndërkombëtar, “We” nga Alice Diop.
Sipas përshkrimit të “DokuFestit”, “The Rifleman” rrëmon thellë në origjinën e Asociacionit Kombëtar të Pushkatarëve (NRA) përmes pamjeve habitëse nga arkivi që përfshijnë dekada, duke zbuluar rrënjët e organizatës moderne në masat shtypëse kundër lëvizjes për të drejtat civile. Në anën tjetër, regjisorja franceze, Diop, na dërgon nëpër lagjet periferike të Parisit duke ballafaquar publikun me rrëfime e histori të ndryshme.
Këta ishin fituesit e “DokuFestit”, kurse filmi “Some Kind of Intimacy” në regji të Toby Bullit, është kandidati i Festivalit për çmimin “Bafta”. Festivali në vitin 2019 u përzgjodh si një nga festivalet që kualifikon filma për çmimin prestigjioz qe jepet nga Akademia Britanike e Filmit, Televizionit dhe Artit.
Drejt dekadës së tretë
Eroll Shporta, një nga themeluesit e Festivalit, ka thënë se kur mendon prapa në atë kohë, nuk do t’i kishte shkuar mendja që “DokuFesti” do të bëhej një Festival kaq i madh e i njohur. Ai ka thënë se gjithçka kishte nisur me dëshirën për të ndezur ekranin e “Kino Bahçes”.
“Me rëndësi tash, kur po shoh këtë rritje, e kur normal çdo rritje e ka një ndalje, pasi që nuk mundesh me shku çdoherë lart e më lart, është që kur të ndalet kjo rritje, të mos biem poshtë, por të rrimë aty pasi që gjithçka është ndërtuar me shumë dashuri e entuziazëm”, ka thënë ai. Ka shtuar se do t’u mbetet gjeneratave të ardhshme vazhdimi i “DokuFestit”.
“Shpresoj që unë të vij si plak, të shikoj filma pa stres”, ka thënë ai duke buzëqeshur. Ka shtuar se ka talente, ka njerëz, por sipas tij, të rinjve u mungon entuziazmi.
“Mendoj se pasi rinia ankohet se nuk kanë kushte, ndoshta ‘DokuFesti’ është një nga rrëfimet më të mira, pasi që ka filluar pa kurrfarë kushte”, ka thënë ai. Ka treguar se qëllimi është ta shfrytëzosh atë që e ke.
“Ne e kemi shfrytëzuar atë kinema dhe aty kemi punuar me entuziazëm dhe me vullnet të mirë dhe tani këtë edicionin kemi pasur tetë kinema. Pra, ankohen për kushte dhe nuk janë falënderues ndaj asaj që kanë. Me e marrë atë që e ke me punu me dashuri dhe vullnet, pastaj edhe ajo rritet pasi që ne po t’i kishim pritur kushtet atëherë, kurrë nuk do ta kishin realizuar Festivalin”, ka thënë Shporta.
Regjisori Samir Karahoda, i cili ishte bashkuar ekipit të Festivalit që në edicionin e parë, fillimisht si anëtar jurie, ka thënë se nëse kthehemi prapa, shihet se festivalin e ka realizuar një grup miqsh – Eroll Shport, Aliriza Arënliu, Veton Nurkollari, Orhan Kerkez, Arijan Bekqel, Mahir Shehu, Burim Myftiu, Bahri Uka e Jeton Jagxhiu – kurse këtë edicion mbi 200 persona kanë qenë pjesë e tij.
“Kjo tregon më së miri që ‘DokuFesti’ po rritet. Përgjegjësitë, normalisht po rriten edhe më shumë dhe mendoj se kemi goxha shumë njerëz të rinj që kanë me arritë me e vazhdu ‘DokuFestin’ edhe për shumë vjet të tjerë me ide të reja dhe normalisht më primarja mbetet me e mbajtë atë që ai ka deri tani”, ka thënë Karahoda i cili që disa vjet është përzgjedhësi i programit të filmave të shkurtër dhe atij kombëtar.
Ka thënë se i bën të lumtur fakti se janë ndërkombëtarisht të njohur e të respektuar si për nga programi, ashtu edhe për nga forma.
“Njihemi si një nga festivalet me origjinale dhe unike që ekzistojmë, pasi që ka shumë gjëra autentike dhe jo të imituara dhe ndoshta jemi me fat që e realizojmë atë në Prizren, pasi që është një vend që i përshtatet shumë një organizimi të tillë”, ka thënë ai. Padyshim, veçanërisht kinemaja mbi lumë e dy të kalaja kanë magjinë e tyre.
Karahoda ka shtuar se janë munduar shumë që gjatë këtyre viteve ta mbajnë lart imazhin e “DokuFestit” duke mos iu nënshtruar askujt e duke qenë të pavarur. Këtë e ka theksuar edhe Shporta. Madje ka kujtuar rastin kur në edicionin e tretë juria e përbërë nga Sislej Zhafa, Igor Zupe, Albin Kurti, Anila Janaqi dhe Petrit Selimi kishin zgjedhur fitues të garës Ballkanike produksionin serb “Preety Dyane” nën regji të Boris Mitiq.
“Edhe atëherë ka pasur reagime, mirëpo ne çdoherë e kemi respektuar vendimin e jurisë dhe nuk kemi lejuar ndërhyrje”, ka thënë Shporta.
Pra, “Kino Bahçe” ishte bërë sebep për realizimin e Festivalit. 20 vjet pas, Ares Shporta, drejtor i saj, ka thënë se dekada e tretë ka me e gjetë Prizrenin, por edhe Kosovën në një kontekst tjetër të zhvillimit shoqëror edhe kulturor.
“Dhe kjo kërkon një riformim të misionit apo të pozicionit të vet, si një prej liderëve të skenës lokale apo akterëve kyçë të skenës, por edhe një institucionalizim dhe përforcim gjatë gjithë vitit, ku ka më pas kontribut të shtuar edhe në prodhim filmik, artistik e kulturor, qysh edhe ka nisur ndër vite e që ka me vazhdu me aktualizimin e temave kritike globale, siç ka bërë edhe më herët”, ka thënë ai.
Se si do të jetë e ardhmja, mbetet për t’u parë. Barra më e madhe bie mbi ekipin e Festivalit që tani është duke shijuar pushimin pas përmbylljes se një edicioni të suksesshëm para se t’ia nisë punës përsëri për dekadën e tretë. Por, një gjë është e sigurt: baza e fortë që është vënë.
