Kulturë

“DokuFest” gati për gjeneratën e dhjetë të “Future is here”

Për 19 ditë, aq sa ishte e hapur thirrja, mbi 150 nxënës nga shkolla të ndryshme nga e gjithë Kosova kanë aplikuar. Tani ekipi i “DokuFestiti” i ka hyrë punës për të bërë përzgjedhjen për edicionin që pritet të mbahet në Prizren nga 3 deri më 9 janar të vitit 2022.

Deri në 20 nxënës të shkollave të mesme do të kenë mundësi që të jenë pjesë e edicionit të 10-të të programit “Future is here”. Ata do të realizojnë 6 projekte filmike. Dy projekte do të jenë vazhdimësi e atyre të edicioneve të kaluara dhe do të bazohen në videot dhe fotografitë personale të dy regjisorëve, ndërsa konceptet për katër të tjerët do të krijohen në këtë edicion.

Ngjarja do të mbahet në formatin hibrid me aktivitete dhe ligjërata me prani fizike të shoqëruara edhe me ligjërata e masterklasa virtuale me profesionistë ndërkombëtarë të filmit. Të gjithë pjesëmarrësit do të mësojnë procesin e rrëfimtarisë vizuale nëpërmjet pajisjeve që u ofrohen dhe ndihmës profesionale. E filmat që do të realizohen do të shfaqen në edicionin e 21-të të festivalit ndërkombëtar për filma dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, që pritet të mbahet nga 5 deri më 13 gusht.

Deri tani gjeneratat e mëparshme kanë krijuar më shumë se 50 filma që shtjellojnë tema të ndryshme personale dhe sociale pikërisht përmes kësaj shkolle të filmit.

Malbora Krajku, drejtuese e programit, ka thënë se sivjet nga studentët e kampit dimëror presin që të shkojnë me ide unike për të krijuar filmin e tyre dokumentar, meqenëse edhe qëllimi i kësaj shkolle është që të fuqizojë zërin e të rinjve dhe t’u japim hapësirë që mendimet dhe bindjet e tyre t’i shprehin nëpërmjet gjuhës së filmit.

“Shkolla e filmit zgjat një javë, mirëpo si proces në tërësi zgjat rreth një muaj, ku nëpërmjet punëtorive dhe ligjëratave i inspirojmë dhe e nxisim shpirtin artistik të regjisorëve të rinj. Duke e parë fuqinë e filmit, sidomos suksesin e filmit kosovar këtë vit, po mundohemi që nëpërmjet shkollës të fuqizojmë ato fusha të filmit që kanë më pak mundësi institucionale e që janë montazhi, dizajni i zërit dhe postproduksioni”, ka thënë ajo.

Ka treguar se ligjëruese kryesore do të jetë regjisorja Blerta Zeqiri, ndërsa anëtarë të tjerë të ekipit të ligjëruesve – që deri tani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen - janë: Dea Gjinovci, Samir Karahoda, Antoneta Kastrati, Pellum Ballata, Leart Rama, Edona Vatoci dhe Veton Nurkollari.

Filmat që realizohen gjatë këtij programi janë prodhim i shkollës së filmave dokumentar “DokuLab”, që është një program që zhvillohet nga “DokuFest” dhe ka për qëllim nxitjen e kreativitetit dhe mendimit kritik te të rinjtë.

Ka kohë që “DokuFest” ka tejkaluar kufirin e të qenit përgjegjës vetëm për realizimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër. Inkurajimi i tregimtarëve të rinj për të vizualizuar rrëfimet e tyre janë veç një anë e tij, shkëmbimi kulturor një tjetër.

Eroll Bilibani, drejtues i “DokuLabit”, ka treguar se që nga fillimi ëndërr e tyre ishte që përmes programeve të vogla të zbulojnë talentë të rinj, të krijojnë edhe kapacitete vendore në industrinë e filmit, me fokus të veçantë në prodhimin e filmave dokumentarë kreativë.

“Gjatë kësaj dekade ne kemi arritur ta ndiejmë potencialin krijues te të rinjtë dhe vazhdimisht kemi insistuar në programe të tilla”, ka thënë ai. Kjo nuk ishte e lehtë. Bilibani ka thënë se filmi asokohe, për shumicën e donatorëve dhe të institucioneve, është parë më shumë si një luks apo si një hobi sesa një potencial me të cilin mund të zhvillohet diplomaci kulturore për promovimin e shtetit të ri, me një potencial të jashtëzakonshëm kulturor. E për “DokuFestin” ka thënë se ishte hyrja në një rrugëtim që ua kaploi zemrat dhe i ballafaqoi me një numër tepër të madh të talentëve dhe të krijuesve që i frymëzuan dhe siguruan që janë në rrugën e duhur.

“DokuFest” vazhdon të organizojë projekte të ndryshme edukative që nxisin kreativitet tek të rinjtë, çdoherë, me synim që ato të jenë një hapësirë ku lejohet liria e shprehjes dhe eksperimentimit me kinemanë.

Departamenti edukativ i “DokuFestit”, “DokuLab” menaxhon Qendrën e Produksionit të Filmit për të Rinj dhe fuqizon mësimdhënësit në përdorimin e mjeteve audiovizuale në procesin mësimor dhe ndërlidhjen e tyre me metodat tradicionale e që adresojnë çështjet komplekse, zhvillojnë mendimin kritik dhe promovojnë zhvillimin shoqëror tek të rinjtë.