Kulturë

DJ Regardi i Kosovës në skenat botërore: “Gjithçka mund të arrihet”

Rrallë e hiç shihet në intervista, por festat e Vitit të Ri e sjellin ekskluzivisht në Kohavision. Me një set prej mbi njëorësh, në orët e para të janarit, producenti e DJ i njohur, do ta elektrizojë atmosferën. Kjo është tjetër histori dhe duhet të dëgjohet dhe të përjetohet. E, rrëfimi i tij është histori e veçantë. Mbi të gjitha, shembull suksesi dhe i asaj se, siç e thotë vetë DJ Regardi, “gjithçka mund të arrihet”. Për shembull, mund të arrihen edhe “Brit Awards” në konkurrencë me perandori muzikore

Rasti i DJ Regardit është diçka si puna e Banksyt mistik, artistit fort të shquar të artit të rrugës, i panjohur si personazh. E natyrshme, në përmasa më të vogla sesa artisti veprat e të cilit arrijnë miliona euro në ankande, por edhe DJ Regard është i njohur në skenën botërore të muzikës, pakkush e di se quhet Dardan Aliu, edhe më pak se është shqiptar nga Kosova, se jeton në Ferizaj.

Rrallë e hiç shihet në intervista, por festat e Vitit të Ri e sjellin ekskluzivisht në Kohavision. Me një set prej mbi njëorësh, në orët e para të janarit, producenti e DJ i njohur, do ta elektrizojë atmosferën. Kjo është tjetër histori dhe duhet të dëgjohet dhe përjetohet.

E, rrëfimi i tij është histori e veçantë. Mbi të gjitha, shembull suksesi dhe i asaj se, siç e thotë vetë DJ Regard, “gjithçka mund të arrihet”. Për shembull, mund të arrihen edhe “Brit Awards” në konkurrencë me perandori muzikore, siç ngjau dy vjet më parë kur ishte nominuar për këngën më të mirë britanike për “Secrets” në bashkëpunim me artisten RAYE. Ishte edicioni kur Dua Lipa u shpall fituese e dyfishtë me “Future Nostalgia” dhe u shpall mbretëreshë e atij edicioni. Mbretëresha ishte edhe në konkurrencë në kategorinë ku u nominua edhe bashkëvendësi i saj. Qe e nominuar me “Physical”, nuk fitoi por mori dy trofe me peshë. Nuk fitoi as DJ sot 30-vjeçar, por kishte kohë që emri i tij zinte vend në top-lista të njohura, dhe jo vetëm.

“Punoni dhe ndiqni ëndrrat tuaja. Sepse gjithçka mund të arrihet me punë dhe vullnet”, ka thënë DJ Regard ekskluzivisht për KOHËN. Aliu është fjalëpakë. Më shumë sesa ai flet biografia e tij.

DJ Regard arriti të depërtojë në tregun ndërkombëtar në vitin 2019 me remixin e këngës së Jay Sean, “Ride It”, që shumë shpejt u bë sukses komercial anembanë botës. Versioni i tij i këngës numëron më shumë se 274 milionë klikime në platformën muzikore “YouTube”. “Ride It” po ashtu i dominoi top-listat muzikore në SHBA dhe mori miliona transmetime në “Spotify”. Kënga gjithashtu është dëgjuar shumë në Britani të Madhe, në radio të ndryshme muzikore si “BBC Radio 1”, “BBC Asian Network”, “Kiss FM” dhe “Hits Radio”. Ishte pozicionuar në vendin e parë në top-listat e Irlandës, e dyta në Britani të Madhe dhe e treta në Australi.

“Gjithmonë e kam ditur se do të arrij sukses me punën time, por nuk e kam menduar bash kështu siç kam ecur. Kam shumë vetëbesim, dhe sigurisht kjo më ka ndihmuar në rrugëtimin tim. Kurse inspirimin e gjej më së shumti tek DJ-të ndërkombëtarë”, ka thënë DJ Regard.

Ata që e dëgjojnë sot zhanrin e muzikës që lanson ai, zor të mos e kenë dëgjuar ndonjërin prej hiteve të tij. Krejt i thjeshtë është në një ditë dhjetori në Prishtinë, pakkush e njeh a e përshëndet në një qendër tregtare në periferi të kryeqytetit. Rrallë del në publik, ani pse emri i tij artistik ka të bëjë me “shikimin” a “ta shohësh”. Thotë se është inspiruar prej fjalës franceze “regarde”. Në Ferizaj ka rrethin e tij shoqëror aty jeton e krijon. Por gjeografia e perfomancave të tij shtrihet në krejt botën.

“Këtu ndihem si në shtëpi, shumë mirë. Kaloj mirë gjithmonë. Këtu kam lindur dhe vazhdoj të jetoj, por performancat i bëj nëpër shtete të ndryshme të botës”, thotë DJ Regarde.

Pasi i arriti majat e suksesit globalisht, Regard i lansoi këngët e radhës si “Secrets”, “You”, “Desert Love”, “Good Vibes”, “Paradise”, “Hallucination”, “No Sleep” dhe të tjera.

Në fillim të vitit 2023, për ta shënuar lansimin e këngës “No Sleep”, Regard e organizoi një ndejë që zgjati plot 24 orë dhe ku performoi bashkë me 18 prej DJ-ve më të njohur të muzikës dance-elektronike.

Image
DJ Regard: “Gjithmonë e kam ditur se do të arrij sukses me punën time, por nuk e kam menduar bash kështu siç kam ecur”

“Mendova t’i mbledh disa DJ me të cilët kemi realizuar 24 orë performancë në Londër. Ka qenë një përvojë argëtuese dhe kemi kaluar vërtet mirë. Komentet nga publiku, po ashtu, kanë qenë shumë të mira, të gjithë janë kënaqur me muzikë të mirë, dhe për mua të bëj performanca të tilla është punë e lehtë”, ka thënë DJ i njohur.

Sukseset nuk i kanë munguar as në ceremoni të rëndësishme shpërblyese. Në vitin 2020 u nominua për çmimin “Los 40 Music Awards”, ku garoi në kategorinë “Artisti më i mirë ndërkombëtar i muzikës dance”, dhe “NRJ Music Awards” në kategorinë “DJ më i mirë i vitit”. Vetëm një vit më vonë pasuan sukseset e radhës, si nomini për “American Music Awards” e në “Brit Awards”, në kategoritë “Artisti më i mirë i zhanrit dance/elektronike” dhe “Kënga më e mirë e vitit” për hitin “Secrets”, ku trofeun e mori artisti britanik Harry Styles, me këngën “Watermelon Sugar”.

Më 2022 i mori dy nominime të tjera të rëndësishme, si “Billboard Music Awards”, ku garonte për çmimin “Kënga më e mirë dance/elektronike” dhe “iHeartRadio Music Awards”, ku garoi në dy kategori: “Artisti i vitit” dhe “Kënga më e mirë” në zhanrin e muzikës dance.

Një rol të madh në suksesin e Regardit sigurisht që e luajnë mediat sociale, si TikToku, përmes të cilave muzika e tij arriti të depërtojë te miliona dëgjues anembanë globit. Këto ditë një këngë jo vetëm që bëhet hit, por bëhet virale dhe shpesh është TikTok-u platforma përgjegjëse për ta bërë një melodi jashtëzakonisht të popullarizuar.

Regard në një intervistë për revistën “L’Officiel” kishte thënë se ndihet shumë krenar me suksesin e këngëve “Ride It” dhe “Secrets”, dhe është mahnitur me atë se si kanë shpërthyer në TikTok, ku të gjithë fansat janë treguar kreativë me videot e tyre, duke e shtyrë kështu që edhe vetë ai të krijojë më shumë përmbajtje për rrjetet sociale.

Muzika e tij, që tashmë dëgjohet dhe performohet në klubet më të njohura të natës gjithandej, ka bërë që DJ Regard të takojë adhurues të ndryshëm të këtij zhanri. Ai e kujtoi një prej performancave më të veçanta të vitit 2023.

“Ka qenë në Ibiza në një prej klubeve të natës më të veçanta dhe më të njohura në botë. Atë e frekuentojnë njerëz të ndryshëm, dhe është gjithmonë kënaqësi kur interpreton në një vend të tillë”, ka thënë ai.

Regard është i pranishëm edhe në skenat e festivaleve më me nam në botë. “Neversea Festival”, “BaltonSound Festival”, “Tomorrowland”, “SAGA Festival” janë disa prej fstivaleve ku pati rastin të performonte para qindra mijëra dëgjuesve.

Krahas performancave live, Regardi është duke punuar edhe në realizimin e projekteve të reja.

“Jam duke punuar në një EP me gjashtë muzika të reja, që do të lansohet gjatë vitit 2024”, ka thënë DJ shumë i kërkuar edhe për bashkëpunime. Disa prej artistëve më të njohur të muzikës botërore kanë realizuar këngë me të, të tillë si Troye Sivan, Tate McRae, Ella Henderson, “Years & Years”, Kwabs, RAYE dhe të tjerë. Është i hapur edhe për bashkëpunime me artistë vendorë, nëse do të përshtateshin në stilin e muzikës. Por momentalisht thotë se nuk ka diçka të re në këtë drejtim. Megjithatë, rruga e tij tashmë ka marrë kah – skenat botërore e top-listat gjithandej.