Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka miratuar projektligjin i cili propozon shpalljen e 2 marsit 1444 festë zyrtare. Është data kur u themelua Besëlidhja e Lezhës. Deputeti Eduart Ndreca është propozuesi dhe ka thënë se Besëlidhja që çmohet të jetë pika e nisjes së krijimit të shtetit shqiptar, të shpallet ditë feste zyrtare.
“Me kthimin e 2 marsit 1444, që përkon me Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, ne jo vetëm vlerësojmë figurën më madhështore të historisë së kombit tonë, Gjergj Kastrioti, por dhe periudhën më të lavdishme të historisë kombëtare dhe brenda kësaj periudhe datën më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, dita ku princat u mblodhën nën drejtimin e Gjergjit të madh dhe vendosën piketat më të rëndësishme që i duhen një kombi në rrezik asgjësimi për të shpëtuar veten dhe vlerat që ai trashëgon”, citohet të ketë thënë ai.
Deputeti Ndreca ka thënë se ky propozim do t’i shtojë me tepër rëndësi forcimit të identitetit kombëtar, gjithashtu do të nxisë dhe studiuesit e fushës së historisë shqiptare dhe të huaj për të vijuar me hulumtime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje të epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Anëtarët kryesorë të Besëlidhjes ishin: Arianitët, Balshajt, Muzakajt, Spanët, Zahariajt dhe Gjurashët. Barleti e quan generalis concilium ose universum concilium (Këshilli i Përgjithshëm). Termi “Besëlidhja e Lezhës” u farkëtua nga historianët më pas.