Kulturë

Dita Botërore e Artit kremtohet në Prizren me ekspozitë kolektive

Veprat e artistëve të ndryshëm nga trevat shqiptare gjatë fundjavës janë shpalosur në hapësirat e Muzeut Arkeologjik të rajonit të Prizrenit. Përmes kësaj ekspozite kolektive është shënuar Dita Botërore e Artit. Në këtë ngjarje kulturore të organizuar nga OJQ “The-Art” në bashkëpunim me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit ka pasur thirrje si për institucionet, ashtu edhe për publikun, për vlerësim më të madh ndaj artit dhe artistëve.

Endrita Purellku, piktore, bashkë me një grup artistësh nga Maqedonia e Veriut kanë marrë pjesë në këtë kremtim të artit. Ajo është paraqitur me pikturën “Melankolia”, që është pjesë e ciklit të saj artistik “Groteskë dhe dëshpërim”. Sipas saj, realizimi i ekspozitës kolektive në një monument të trashëgimisë kulturore ka qenë i qëlluar.

“Më vjen mirë që me rastin e Ditës së Artit, ne sot kemi ardhur dhe marrim pjesë në Prizren, dhe më vjen mirë që për herë të parë e vizitoj edhe Muzeun e Prizrenit. Dhe ndihem e lumtur madje që shoh përveç veprave edhe këtë gërshetim të së kaluarës tonë, pasi arti patjetër ka të bëjë edhe me kulturën, traditën....”, ka thënë Purellku.

Drenueta Berisha, drejtoreshë e OJQ-së “The-Art”, ka pohuar se Dita Botërore e Artit është shënuar me ekspozitën ku arti paraqitet në forma dhe teknika të ndryshme, ku krahas artistëve shqiptarë nga vendet e rajonit, hapësirë u është krijuar edhe punimeve të realizuara nga vajzat e reja, që në të ardhmen synojnë të merren me art.

"Gjithçka që na rrethon ka të bëjë me art. Ne kemi lansuar edhe një video, e cila tregon se si e përdorim artin në histori, në edukim, në psikologji, në muzikë, do të thotë çdo gjë që na rrethon ka të bëjë me artin, prandaj duhet ta festojmë, duhet ta vlerësojmë pak më shumë. Ndoshta kjo është edhe pak si thirrje, që edhe institucionet, edhe populli ynë ta vlerësojë më shumë artin, por edhe artistët”, ka deklaruar Berisha.

Sipas saj, edhe ndërlidhja e këtij aktiviteti me Muzeun Arkeologjik në Prizren ka qenë i natyrshëm.

gjitha këto punime të vjetra të arkeologjisë, gjetjet arkeologjike, shihet që janë të punuara shumë bukur dhe kanë brenda tyre art. Pse jo që një ekspozitë të organizohet në objekte të tilla dhe të tregojmë lidhshmërinë, mirëpo edhe historinë, e cila na ka përcjellë deri tash. Ka shumë simbole që në kohën ilire ndoshta i kanë përdorur në veshjet e tyre, ndoshta në mjetet e tyre të punës, të cilat i bartim përsëri në pikturë ose skulpturë ose çkado qoftë”, është shprehur ajo.

Ndërsa Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ka theksuar se në Ditën Botërore të Artit është realizuar një bashkëpunim me shoqërinë civile për t’i mundësuar publikut që të shijojë artin, por edhe trashëgiminë kulturore.

përpjekur që ti ofrojmë publikut prizrenas ekspozitën me shumë autorë të Kosovës, por edhe më gjerë, në ambientet e këndshme të Muzeut Rajonal Arkeologjik të Prizrenit, ku përpos veprave të shumta të artit kanë mundësi të shohin edhe ambientet dhe eksponatet e shumta të Muzeut Rajonal të Prizrenit, dhe kjo është një gërshetim i artit, kulturës dhe i të gjitha punëve që i bën QRTK-ja në Prizren edhe me shoqërinë civile me qëllim të promovimit të kulturës, traditës, artit dhe trashëgimisë kulturore të begatshme që ka qyteti i Prizrenit”, ka thënë Hoxha.

Dita Botërore e Artit, si një festë për promovimin e zhvillimit dhe përhapjes u shpall në sesionin e 40-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në vitin 2019. Kjo ditë kremtohet më 15 prill, me synimin për të përforcuar lidhjet midis krijimeve artistike dhe shoqërisë, për të inkurajuar ndërgjegjësimin më të madh për diversitetin e shprehjeve artistike, si dhe për të theksuar kontributin e artistëve në zhvillimin e qëndrueshëm. Dita Botërore e Artit, sipas OKB-së, është një kujtesë në kohë se arti mund t’i bashkojë dhe t’i lidhë njerëzit edhe në rrethanat më të vështira.