Kulturë

“Disfata e ushtrisë osmane” zbardh rrëfimin autentik të ushtarit në front

Ushtria osmane

Në origjinal titulli i librit është “Shkaqet e humbjes së ushtrisë osmane dhe shqiptarët”. Studiuesi e përkthyesi i librit, Shasivar Kabashi, (i pari nga e djathta) e ka gjetur në bibliotekën “Atatürk Kitaplığı” në Stamboll. Autori sipas tij, do të ndiente detyrim moral për të paraqitur versionin e tij të ngjarjeve në kundërshtim me narrativën zyrtare xhonturke, e cila akuzonte shqiptarët për dezertim

Ahmet Hamdi do të ishte komandant i artilerisë në frontin e Kumanovës. Rrëfimin e tij si dëshmitar i drejtpërdrejtë do ta zbardhte më 1913 në 47 faqe, libërth botuar fillimisht në Kajro, pasi Perandoria Osmane e asaj kohe s’linte që gjithsecili ta hapë gojën lehtë. Pas më shumë se një shekulli, vjen në shqip nga studiuesi Shasivar Kabashi. Sjell rrëfim autentik nga Lufta e Parë Ballkanike, e ndër të tjera, rrëzon edhe propagandën xhonturke për shqiptarët dezertorë që u fajësuan për disfatën e ushtrisë osmane

Me profesion ushtarak e edhe me hise në politikë, emri Ahmet Hamdi zor të jetë dëgjuar në kohët moderne në këto anë. Si pjesë e Perandorisë Osmane, në kohët më të vështira të saj, ai do të shërbente edhe në Gjakovë. Qe dëshmitar dhe epror ushtarak osman gjatë Luftës së Parë Ballkanike kur ushtritë serbe, malazeze, bullgare e greke ia mësynë t’ia japin goditjen përfundimtarëve osmanëve në Ballkan e shqiptarët pësuan.

Ahmet Hamdi do të ishte komandant i artilerisë në frontin e Kumanovës. Rrëfimin e tij si dëshmitar i drejtpërdrejtë do ta zbardhte më 1913 në 47 faqe, libërth botuar fillimisht në Kajro pasi Perandoria Osmane e asaj kohe s’linte që gjithsecili ta hapë gojën lehtë. Rrëfimi i tij është goxha interesant dhe paraqet burim të rëndësishëm sidomos për shqiptarët.

Pas më shumë se një shekulli vjen në shqip nga studiuesi Shasivar Kabashi. Në verën e vitit 2017 ai do të haste në këtë libër të shkruar në osmanisht, dhe nisi përkthimin.

Në promovimin e librit me titull “Disfata e ushtrisë osmane dhe shqiptarët” të pranishmit e kanë vlerësuar jo pak.

Profesori universitar, Nuri Bexheti, ka thënë se bëhet fjalë për një libër të vogël e modest, por të veçantë. Ka thënë se leximi i tij ia ka kujtuar rrëfimet e pleqve që i dëgjonte kur ishte rreth 10 vjeç. Ka thënë se bisedat e atyre pleqve janë shumë të ngjashme me rrëfimin e autorit.

“Disfata e ushtrisë osmane” i akuzon komandantët xhonturq për dezertim dhe si njerëz që më shumë u interesonte se ku do të hanin ndonjë drekë sesa të merreshin me luftën. Autori në libër merr nën mbrojtje shqiptarët dhe aty del në pah se shqiptarët ishin kundër një pushtuesi të ri

“Këtu hasim shprehje e terminologji të Frontit të Kumanovës dhe të lënë përshtypjen se ngjarja që e tregon autori dhe ajo e pleqve është thuajse identike. Një prej hallkave që nuk ka funksionuar tek ushtria osmane është regjimenti i artilerisë. Më kujtohet se pleqtë thoshin se gjylet e topit ishin mbushura me hi ose baruti ishte i lagur. Unë krijoja përshtypjen sikur ajo është legjendë. Duke lexuar librin po më del se rrëfimet e pleqve pjesëmarrës ma shfaqin një të vërtetë historike”, ka thënë ai.

Bexheti ka treguar se historiografia shqiptare nuk e ka trajtuar sa duhet periudhën e Luftës së Parë Ballkanike. Sipas tij, deri vonë historiografia shqiptare atë periudhe e ka trajtuar vetëm në raportet kryesore të diplomatëve të huaj dhe eventualisht të ndonjë gazetari të huaj që ka kaluar nëpër ato fronte dhe ka bërë ndonjë shkrim për gazetat e huaja.

“Një gjë e bukur që më ka bërë përshtypje është përshkrimi që i bën autori gjendjes politike në hapësirat shqiptare të asaj kohe”, ka thënë ai. Ka shtuar se reformatorët e rinj osmanë nuk e kuptonin se çfarë do të thotë arma për shqiptarin.

“Me një përshkrim të vogël këtu se çfarë do të thotë arma për shqiptarin është bastisja e Beut të Dibrës”, ka thënë Bexheti. Sipas tij, me një shembull zbërthehet roli i shqiptarit në botën osmane. Arma për ata ishte gjithçka. “Ne sot e kësaj dite nuk kemi një histori ushtarake të detajizuar për situatën politike nga tetori 1912 dhe fundi i marsit 1913 kur toskët me fustanella detyrohen ta dorëzojnë qytetin më të mirë të Shqipërisë në jug, Janinën. Autori thotë se prezenca osmane në Rumeli nuk është sjellë mirë me shqiptarët në vitet e fundit. Autori e thotë se pa shqiptarët myslimanë, shteti osman do ta kishte braktisur Rumelinë 150 vjet më herët”, ka thënë ai. 

Sociologu Blerim Halili ka thënë se libri është karakteristik për disa arsye. Midis tyre se nuk është shkruar nga ndonjë studiues apo institucion, por është në vetën e parë nga një ushtarak që ka marrë pjesë drejpërdrejt në Betejën e Kumanovës dhe në beteja të tjera.

“Vlera e këtij libri është pikërisht aty pasi autori ndan qëndrimet e tij si në lidhje me zhvillimet politike ashtu edhe zhvillimet në vijën e frontit dhe fatin e shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike”, ka thënë ai. Sipas tij,  Rilindja Kombëtare e kishte futur idenë e lidhjes me etninë, gjuhën e vendin dhe me rastin e ikjes së Perandorisë shqiptarët qëndruan në trojet e tyre.

Historiani Agron Islami ka thënë se veprat e tilla në metodologjinë e historisë konsiderohen si burime të dorës së dytë që kanë nevojë të krahasohen me dokumentet e kohës ose me burime të njëjta të ndonjë tjetër autori që rrëfen.

“Për autorin nuk kemi shumë informacion. Nga këto të dhëna kuptojmë se në atë kohë ai nuk ishte aktiv në politikë. Ai kujton se më herët ishte pjesë aktive e Partisë për Liri dhe Bashkim. Kjo parti për një kohë kishte udhëhequr me Perandorinë”, ka thënë ai. Sipas tij, autori vjen nga korpusi i artilerisë dhe ishte pjesë e ushtrisë osmane gjatë tërheqjes së tyre nga trevat shqiptare.

Përkthyesi i veprës, njëherësh studiues i historisë në Stamboll, Shasivar Kabashi, ka thënë se kur filloi ta përkthejë veprën, ndihej i pafuqishëm për të shlyer një borxh moral ndaj një autori që kishte shkruar për gjyshërit e shqiptarëve të sotëm.

“Sot konsideroj se po shlyejmë një borxh moral ndaj një autori disident dhe po nderojmë edhe zërin e padëgjuar të gjyshërve tonë”, ka thënë ai. Sipas tij Stambolli është vend shumë i pasur me burime arkivore.

“Sfida e përkthimit ishte e madhe pasi siç e dini gjuha osmane është e shkruar me shkronja arabe dhe me kohë libri fizik edhe ka humbur ndonjë shkronjë. Vetë libri e ka një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Në rrethana të rënda politike e shoqërore kur ndodhej Perandoria, ishte e vështirë të thuhej se çfarë mendonte njeriu. Libri fillimisht është botuar më 1913 në Kajro”, ka thënë ai. Në origjinal titulli i librit është “Shkaqet e humbjes së ushtrisë osmane dhe shqiptarët”. Veprën studiuesi e ka gjetur në bibliotekën “Atatürk Kitaplığı” në Stamboll. Autori sipas përkthyesit, do të ndiente detyrim moral për të paraqitur versionin e tij të ngjarjeve në kundërshtim me narrativen zyrtare xhonturke e cila akuzonte shqiptarët për dezertim. Sipas autorit, këto akuza ishin pjesë e një strategjie propagandistike për të shfajësuar komandën osmane nga përgjegjësia për humbjet ushtarake. Libri i akuzon komandantët xhonturq për dezertim dhe si njerëz që më shumë u interesonte se ku do të hanin ndonjë drekë sesa të merreshin me luftën. Autori në libër merr nën mbrojtje shqiptarët dhe aty del në pah se shqiptarët ishin kundër një pushtuesi të ri. Vepra është një burim i rrallë në historiografinë osmane e edhe për atë ballkanike.

Libërthi paraqet një peizazh shumëdimensional të përvojës së autorit në trojet shqiptare në ditët kritike, kur pas pushtuesve osmanë, vinte pushtimi sllav.