Kulturë

Digjitalizimi – sfida e vazhdueshme e Bibliotekës Kombëtare

Në dhjetor të vitit 1944, pararendësja e Bibliotekës së sotme Kombëtare të Kosovës kishte veç një koleksion simbolik librash. Por, në përvjetorin e saj të 76-të të themelimit, me mbi dy milionë ekzemplarë sa posedon, institucioni më i madh bibliotekar në vend ka shënuar të mërkurën Ditën e Bibliotekës dhe Ditën Kombëtare të Vetëdijesimit për Biblioteka.

Në ceremoninë e bashkë-organizuar me Ministrinë e Kulturës, si dhe Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është bërë nënshkrimi i planit strategjik pesëvjeçar me anë të të cilit janë ravijëzuar synimet dhe plani i punës për BKK-në gjatë viteve në vazhdim.

Në fjalën e tij hyrëse, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, i është referuar historisë së këtij institucioni që kthehet pas në dhjetor të 1944-s në Prizren me një koleksion krejt të vogël të librave.

“Më pas nisi të bëjë jetën e saj herë e mbyllur, herë e hapur, herë në një objekt, herë në një tjetër, deri kur zuri vend në këtë objekt monumental të arkitekturës së Kosovës – tash ku posedon mbi dy milionë ekzemplarë në koleksionet e saj”, ka thënë Gajraku. “Ishte bibliotekë herë e pushtetit, herë e shtetit, herë multietnike, herë etnike, derisa u bë Bibliotekë Kombëtare e Republikës së Kosovës”.

Derisa ka vlerësuar se përpjekja për ta bërë Bibliotekën atë që duam është një luftë thuajse kurrë e fituar, Gajraku ka thënë se edhe në këtë vit të vështirë BKK-ja ka vazhduar projektin e saj për ta ruajtur trashëgiminë dorëshkrimore dhe për ta digjitalizuar atë.

“Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në domenin e punëve të sektorëve, gjatë një viti pune ka arritur të zhvillojë projekte të vlefshme e të nevojshme, sidomos për të mundësuar qasjen më të lehtë të përdoruesve përmes shërbimeve elektronike, të kërkuara në këtë kohë të vështirë për të gjithë për shkak të pandemisë”, ka thënë ai.

Për Gajrakun, një prej projekteve më inkurajuese të BKK-së është “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, i cili u nënshkrua të hënën nga ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

E kryetari i Këshillit drejtues të BKK-së, Osman Gashi, e ka quajtur këtë institucion si më relevantin dhe më të pashmangshmin kulturor e social në vend. Historia e BKK-së, ka vlerësuar ai, ka shumë dritëhije e probleme ndër vite.

“Atë e ka përcjellë fati i Kosovës dhe ka mbijetuar në mënyrë të tillë siç ka mbijetuar edhe vetë Kosova, me humbjet e fitoret e saj, me sfidat dhe arritjet”, ka thënë Gashi.

Duke folur për planin strategjik pesëvjeçar, përgatitjet për të cilin kishin filluar qysh prej muajit gusht, ai ka vlerësuar angazhimin e drejtorit të Bibliotekës Watzek në Kolegjin Luis dhe Clark në Portland të SHBA-së, Mark Dahl.

“Sado që ky dokument është gjithsesi administrativ dhe oficiel, Dahl i ka dhënë atij edhe ngjyresa tejet emocionale e dashamirëse që shkojnë përtej nevojave të angazhimit të një profesionisti”, ka thënë Gashi.

Me një fjalë përshëndetëse të transmetuar përmes videos, Dahl, pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka vlerësuar bashkëpunimin me ekipin e BKK-së.

“Gjatë gjithë kësaj kohe mësova shumë nga njerëzit, për natyrën e tyre bujare dhe plot fraza shqipe”, ka thënë Dahl teksa ka nënvizuar rëndësinë e dokumentimit të historisë më të re të Kosovës përmes mbledhjes së rrëfimeve gojore të njerëzve.

Me një fjalë të shkurtër iu është adresuar të pranishmëve edhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti. Ai, me këtë rast, ka përmendur projektin për shërbimet mbështetëse për rrjetin bibliotekar që parasheh modernizimin e bibliotekave të Ballkanit Perëndimor përmes zhvillimit të personelit dhe reformimit të shërbimeve bibliotekare.

“Ky projekt, ndër të tjerash, parasheh edhe organizimin e kësaj dite për një dekadë në mënyrë që të avokohet për rëndësinë e shërbimeve bibliotekare dhe të librit në vendin tonë”, ka thënë Sahiti.

Kurse ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka vlerësuar se në këtë 76-vjetor kujtohen të gjithë brezat që sakrifikuan për këtë bibliotekë.

Duke folur për pandeminë që, sipas saj, ndërpreu kontaktin mes librit dhe lexuesit, ministrja e Kulturës ka thënë se kjo situatë e vuri në pah nevojën për sigurimin e qasjes në materiale të digjitalizuara.

“BKK-ja tashmë ka filluar me digjitalizimin, por asaj i duhej edhe pajisje mbështetëse për ta kryer me sa më shumë efikasitet këtë proces, si dhe për sigurimin e një platforme të domosdoshme për lansime digjitale”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Në fund të ceremonisë, BKK-ja ia ka ndarë Ilmi Krasniqit çmimin “Punëtor i vitit”.

{gallery}

 


Rrëfimi për Çettën në fotografi e materiale dokumentare

 

Image

Folegjenda: Pos shënimit të përvjetorit të themelimit, Biblioteka Kombëtare ka hapur edhe ekspozitën me libra e artikuj “Anton Çetta: 100 - vjetori i lindjes”, si dhe ekspozitën me fotografi “Anton Çetta: 30-vjetori i pajtimit të gjaqeve”

Në sfondin e kësaj ceremonie, BKK-ja ka shënuar edhe 100-vjetorin e lindjes së studiuesit dhe mbledhësit të folklorit shqiptar, Anton Çetta. Kështu në katin e dytë të këtij institucioni është hapur ekspozita me libra e artikuj “Anton Çetta: 100-vjetori i lindjes”, si dhe ekspozita e fotografisë: “Anton Çetta: 30-vjetori i pajtimit të gjaqeve”.

Në çdo vend i dashur dhe i mirëpritur, “plaku i urtë”, siç njihej Çetta asokohe, kishte marrë misionin për t’i pajtuar familjet e hasmëruara në Kosovë. Herë i ulur këmbëkryq e herë duke biseduar me njerëz, dhjetëra fotografi, të marra nga koleksioni privat i aktivistit Sali Cacaj, kanë kronikuar një nga ngjarjet që paraprinë rezistencën e viteve ’90 në Kosovë.

Profesori i fotografisë, Fahredin Spahija, ka thënë se të gjitha këto fotografi ia rikthejnë nostalgjinë për vitet ’90, kur kishte filluar pajtimi i gjaqeve.

“Kjo ekspozitë ka vlera dokumentare, duke pasur për bazë fotografitë, që shënojnë një periudhë të caktuar historike”, ka thënë Spahija për KOHËN.

Pjesë e ekspozitës ishin edhe ekzemplarë të veprave të shumta të Çettës, që ruhen në koleksionet e BKK-së, artikuj studimorë e vepra të përkthyera.

Me këtë rast, BKK-ja ka botuar edhe katalogun “Anton Çetta në 100-vjetorin e lindjes”, që dokumenton punën e tij prej mesit të viteve ‘50 deri në vdekje. Përpos informacionit për tekste monografike e tematike, katalogu përmban edhe kontribute të tjera të Çettës në fushën e etnografisë, folkloristikës, filologjisë, kritikës letrare, letërsisë, përkthimit, si dhe nga veprimtaria e pajtimit.

Ndryshe, po të mërkurën Ministria e Kulturës ka hapur konkursin për çmimin vjetor “Anton Çetta”. Sipas konkursit që do të jetë i hapur deri më 24 dhjetor, ky çmim u jepet personaliteteve të shquara dhe profesionistëve të dalluar, të cilët me angazhimin e tyre kane pasur ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e trashëgimisë shpirtërore, si dhe kanë nxitur të arriturat në mbledhjen, dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e folklorit. “Laureatë të këtij çmimi mund të jenë profesionistët, studiuesit dhe hulumtuesit në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore, shtetas të Republikës së Kosovës dhe shtetas të vendeve të tjera”, shkruhet në konkursin për Çmimin që u themelua me vendim të Qeverisë në fund të tetorit të këtij viti.