Si pasojë e zjarreve në Los Angeles, dy muze janë djegur deri në themel. Shumë institucione të tjera në qytet mbetën të mbyllura që nga mbrëmja e së mërkurës, përkundër përpjekjeve për sigurinë e tyre nga stafet e institucioneve përkatëse.
Zjarret e shumëfishta vazhdojnë ku dy prej tyre konsiderohen si fatkeqësitë më shkatërruese të regjistruara ndonjëherë në historinë e Los Angelesit. Dëmi është shumë i madh: zyrtarët kanë thënë se 16 persona kanë vdekur nga zjarri si dhe 27 mijë hektarë tokë janë djegur.
Zjarret në lagjet “Pacific Palisades” dhe “Eaton” ishin dy më të mëdhenjtë dhe një i ri shpërtheu në “Hollywood Hills” të mërkurën mbrëma.
Për shkak të zjarreve, artistët kanë humbur shtëpitë e tyre dhe muzetë e galeritë kanë shtyrë ekspozitat.
Gjithashtu të paktën dy muze janë djegur. Të mërkurën mbrëma, mediat kanë raportuar se “Bunny Museum”, një institucion i njohur për koleksionin e tij prej 50 mijë eksponatesh ishte shkatërruar plotësisht. Steve Lubanski, bashkëpronar i Muzeut, ka vlerësuar se kanë humbur 40 vjet punë me vlerë.
“Muzeu ishte ndërtesa e fundit që u dogj në këtë pjesë, pasi Steve e mbylli me guxim ndërtesën gjatë gjithë natës, por kur ndërtesa ngjitur u rrëzua, zjarri u përhap në muze”, ka njoftuar Muzeu.
I themeluar në vitin 1998, muzeu ka fituar reputacion kulti, duke u paraqitur disa herë në Librin e Rekordeve Botërore “Guinness”. Marsin e kaluar, “SFGate” shpalli Muzeun si “një nga vendet më të çuditshme dhe më të egra në Kaliforni”.
Një fermë që strehonte një muze në “Beverly Hills” kushtuar aktorit Will Rogers gjithashtu humbi nga flakët. “Familja Rogers është e shkatërruar nga humbja e fermës në Kaliforni dhe humbja dërrmuese e komunitetit. Zemrat tona shkojnë për të gjithë ata [fqinjë] që kanë humbur shtëpitë e tyre”, ka thënë në një deklaratë për Shoqatën e Muzeve stërmbesa e Rogers, Jennifer Rogers-Etcheverry.
Lajme më të mira mund të gjenden në disa nga institucionet më të mëdha të artit të qytetit. Zjarri i “Pacific Palisades” arriti në “Getty Villa” të martën mbrëma, por muzeu u kursye pasi flakët digjnin vetëm pemë dhe bimësi në kampusin e institucionit. U bë e ditur se ujitja dhe ndërtimi me dy mure të muzeut siguruan që “Villa Getty” të ishte e sigurt.
“Getty Villa”, së bashku me muzeun simotër, “Getty Center”, janë ende të mbyllura, së bashku me muzetë që variojnë nga Muzeu i Artit Bashkëkohor në Los Angeles deri te Muzeu i Artit i Qarkut të Los Angeles. /ArtNews
Për shkak të zjarreve, artistët kanë humbur shtëpitë e tyre dhe muzetë e galeritë kanë shtyrë ekspozitat. Gjithashtu të paktën dy muze janë djegur