Jo pak kapituj zbardhin raportet shqiptaro-amerikane e rrugëtimin e kontributin e mërgatës shqiptare në Amerikë në lobimin për pavarësinë e Shqipërisë e të Kosovës. E kontribut të çmueshëm në këtë aspekt kanë gazeta “Dielli” dhe federata panshqiptare e Amerikës “Vatra”, që të premten, në ditën e pestë të edicionit të 19-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, kanë qenë kryefjalë të sesionit “Mërgata Shqiptare në Amerikë”
Historia e emigrantëve shqiptarë në Amerikë daton qysh prej shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, takimi i Fan Nolit me presidentin Woodrow Wilson shënon kthesë në raportet shqiptaro-amerikane, që nuk lëkunden tash e një shekull, përderisa një qe paralajmërim më 1992, që George H. W. Bush ia bëri Sllobodan Millosheviqit, vulosi qasjen e fuqisë më të madhe botërore edhe në raport me Kosovën.
Por janë edhe jo pak kapituj të tjerë që zbardhin raportet midis dy popujve sikurse edhe rrugëtimin e kontributin e mërgatës shqiptare në Amerikë në lobimin për pavarësinë e Shqipërisë e të Kosovës.
kontribut të çmueshëm në këtë aspekt kanë gazeta “Dielli” dhe federata panshqiptare e Amerikës “Vatra”, që të premten në ditën e pestë të edicionit të 19-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë” kanë qenë kryefjalë të sesionit “Mërgata Shqiptare në Amerikë”.
Salla e këndit amerikan të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ka qenë plot kur nëpërmjet lidhjes online kanë referuar Sokol Paja, editor i gazetës “Dielli”, organ i “Vatrës” dhe Elmi Berisha, kryetar i kësaj federate.
“’Dielli’ lindi në Boston prej shoqërisë atdhetare ‘Besa Besë’ më 15 shkurt të vitit 1909. Më 11 mars të vitit 1902, pasi shoqëritë shqiptare vendosën të bashkoheshin në ‘Vatër’, ‘Dielli’ u bë pjesë e federatës panshqiptare të Amerikës, ‘Vatra’ dhe nisi botimin për një revistë që dilte dy herë në javë”, ka shpjeguar Paja.
Për dallim nga kjo, Paja bëri të ditur se që nga nëntori i vitit 1914, “Dielli” nisi të botohej tri herë në javë, ndërsa një vit më pas, nëntor 1915, ajo u bë e përditshme nën drejtimin e Costa Cherkezit.
Gazeta “Dielli” kishte ardhur si nevojë shpirtërore e diasporës shqiptare në Amerikë, e cila pas mbylljes së dy gazetave të tjera, “Albania” dhe “Kombi”, kishte mbetur pa informacion për shtetin e tyre amë.
“Kronika e lindjes së ‘Diellit’ pasqyrohet në këtë formë: me mbylljen e gazetës ‘Kombi’ të Sotir Pecit në Boston më 10 janar të vitit 1909, që diktoi nevoja për të kërkuar të drejtat e kombit shqiptar të kohës. Ishte mbyllur edhe ‘Albania’ e Faik Konicës. Pa gazetën ‘Kombi’ emigrantët mbetën në shkretëtirë informative dhe shoqëria ‘Besa Besë’ mori vendimin për botimin e një gazete shqip në Amerike”, ka bërë të ditur Paja.
Fan Noli kishte qenë kumbara i kësaj gazete, ai i cili e kishte pagëzuar me emrin “Diell”.
“Ndërkohë emri i ‘Vatrës’ ka kumbarë Faik Konicën. Kjo është e dokumentuar në artikullin e ‘Diellit’ të botuar me rastin dhjetëvjetorit të ‘Vatrës’, në një numër special ku Konica dëshmon: ‘Për emrin, formën kanunore, rregulloren dhe shpirtin e ‘Vatrës’ jam unë përgjegjës”, ka thënë Paja.
Tash kjo gazetë, e cila vazhdon traditën e saj prej disa dekadash duke u publikuar një herë në muaj, kujdeset që shumicën e hapësirës mediatike t’ia kushtojë Kosovës dhe lobimit për të.
“Sot 70 për qind të hapësirës mediatike ia kushtojmë ngjarjeve të Kosovës dhe përpjekjeve për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe instancat e tjera evropiane, sidomos progresin e Kosovës për shtetformimin e kështu me radhë”, ka thënë Paja. Ka zbërthyer edhe arsyen për këtë.
“Misioni i ‘Diellit’, meqenëse Shqipërinë e kemi bërë, sot është që të kemi në fokus Kosovën, sepse akoma e quajmë një mision të papërfunduar. Në çdo moment ‘Dielli’ po lidh ura shumë të fuqishme me institutet në Kosovë, me profesorë, gazetarë, kështu që nga historia e kemi sjellë dhe e kemi aktualizuar ‘Diellin’ qoftë ngjarjet, qoftë në kontekstin e zhvillimeve të jashtëzakonshme në diasporën, por edhe në viset shqipfolëse”, ka përfunduar Paja në kumtesën “’Dielli’ i ‘Vatrës’, regjistri më i vjetër historik i mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Për rolin e rëndësishëm që “Vatra” dhe gazeta “Dielli” kanë pasur në integrimin dhe lobimin e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, në ShBA ka folur Elmi Berisha.
“Historia e emigrantëve shqiptarëve në Amerikë ka traditë dhe zakon që nga shekulli XIX dhe fillimi i shekullit XX. Fillimisht nga emigrimi i shqiptarëve nga Shqipëria, organizimi dhe veprimtaria e tyre atje pastaj, pas Luftës së Dytë Botërore emigrimi i shqiptarëve të Kosovës, të cilët së bashku me diasporën më të hershme shqiptare, në vetëm pak vjet do të organizohet dhe do të vendosë lidhje të forta me popullin dhe shtetin amerikan”, ka thënë Berisha. Ka referuar në temën “Roli i mërgatës shqiptaro-amerikane dhe lobimi në ShBA për çështjen e Kosovës”.
Përveç rolit të rëndësishëm që ShBA-ja pati në krijimin e shtetit shqiptar, Berisha ka theksuar rëndësinë e takimit të Nolit me presidentin e atëhershëm amerikan, Woodrow Wilson.
“Roli i ShBA-së në krijimin e shtetit shqiptar është më i rëndësishmi dhe edhe më vendimtari tashmë i dëshmuar në analet e historisë botërore. Miqësia e popullit tonë me kombin dhe shtetin amerikan ka traditë mbi 100 -vjeçare. Është tejet e rëndësishme takimi i imzot Fan Nolit me presidentin Willson që në analet dhe arkivat historike vlerësohet si një nga ngjarjet që pati ndikim të madh në shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar”, ka theksuar ai.
Sipas tij, përmes organizimeve politike e artikulimit të kërkesave, diaspora shqiptare ka luajtur rol kyç në realizimin e pavarësisë së Kosovës
“Organizimi politik, konsolidimi, artikulimi i kërkesave në koordinim me udhëheqjen e elitave shqiptare të Kosovës shënon një periudhë të ndritshme, efektive dhe me objektiva të qarta në realizimin e aspiratës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, ka thënë Berisha.
Diaspora e shqiptarëve në Amerikë, Kosovës i ka ndihmuar edhe financiarisht po edhe si pjesë aktive në luftën për çlirimin e saj.
Lidhur me marrëdhëniet midis shtetit të Kosovës dhe atij të ShBA-së ka folur edhe profesori në Fakultetit Filozofik, Atdhe Hetemi.
Kumtesa e tij është përqendruar në informacione rreth lidhjeve fillestare diplomatike midis SHBA-së dhe Kosovës, faktorëve kyç që luajtën rol në vendimin e SHBA-së për të ndërhyrje ushtarake në Kosovë, qëndrimin e ShBA-së për pavarësinë e Kosovës, zhvillimet e marrëdhënieve diplomatike pas pavarësisë, si dhe perspektivat dhe sfidat e tanishme.
Sipas Hetemit, lidhja e parë midis ShBA-së dhe Kosovës nisi në kohën e presidentit Willson, i cili kishte ndihmuar mbrojtjen e shtetit shqiptar.
“Lidhja fillestare ndërmjet shqiptarëve etnikë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë së Kosovës dhe SHBA-së u krijua nga mbrojtja e shqiptarëve prej presidentit Wilson, kur fuqitë e tjera të pasluftës u përfshinë në ndarjen e territoreve të tyre”, ka thënë ai.
Në këtë lidhje, sipas tij, një rol shumë të madh kishte luajtur Fan Noli, i cili e kishte takuar vetë Willsonin dhe njëkohësisht bashkë me të edhe federata panshqipatre.
“Noli iu lut presidentit Wilson që SHBA-ja të mbështesë pavarësinë e Shqipërisë. Ai theksoi: ‘Do ta përdor zërin tim në emër të Shqipërisë’. Edhe kjo është dëshmi se ‘Vatra’, organizata shqiptaro-amerikane, e themeluar nga Noli dhe Konica, është simbol i trashëgimisë së shqiptarëve në Amerikë, kontributdhënëse në formimin e dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe meritore për afirmimin e këtyre vendeve në SHBA”, ka theksuar ai.
Një shekull më vonë, një qëndrim i paharrueshëm për kosovarët, sipas Hetemit, do të mbetet ai i George H. W, Bush, i cili e paralajmëroi Serbinë se në rast të shpërthimi të luftës ShBA-ja do ta mbronte Kosovën.
“Ndërsa zhvilloheshin luftërat në Kroaci dhe Bosnjë, SHBA-ja u shqetësua për mundësinë që luftimet të përhapeshin edhe në Kosovë. Qëndrimi fillestar dhe i paharrueshëm i SHBA-së për Kosovën konsiderohet ‘paralajmërimi i Krishtlindjeve’ që presidenti George H. W. Bush e lëshoi më 25 dhjetor 1992, duke thënë në një letër drejtuar Millosheviqit se ‘në rast të konfliktit në Kosovë, SHBA-ja do ta përdorë forcën ushtarake kundër serbëve”.
Në kuadër të ditës së pestë të “Javës së bibliotekës në Kosovë” u prezantua edhe filmi dokumentar: “Underwater Dreams”, që shpalos historinë e emigrantëve meksikanë në ShBA.