Ideja fillestare kishte qenë që në një ekspozitë të bëheshin bashkë tri artiste që veç profesionit ndajnë dhe miqësinë me njëra-tjetrën. Tri artistet, edhe pse krejt të veçanta në shprehje, i përgjigjen në unison temës, interpretojnë fuqinë frymëzuese të diellit.
Në kryeqytet, aty ku zhurma e përditshmërisë së jetëve kryqëzohet fort dhe shpesh dielli është i padukshëm shkaku i urbanizimit të egër, prej të martës në mbi 30 vepra arti natyra vjen në tablo. Është si një festë ngjyrash e perspektivash e tri mendjeve që shkrihen nën një temë, diellin, si trup qiellor e njëkohësisht të qenësishëm për nga rëndësia. Në galerinë “Qahili” të karakterizuar nga muret e dyshemeja e bardhë nëpërmjet ekspozitës “Diell” ngjyrat shndërrohen në një lojë perspektivash. Ekspozita e kuruar nga Nita Qahili udhëzon vizitorët që vëmendjen ta drejtojnë te një narrativë e vetme, por e interpretuar nga tri penele të ndryshme. Ai i Bardha Buzës, Merita Myderrizi-Malokut dhe Vjosa Bujari-Maliqit. Po sa hyhet në Galeri, në të djathtë qëndron i shkruar koncepti kuratorial. Në të, ndër të tjera, për ekspozitën “Diell” thuhet se është: “Një odise e kuruar që feston diellin si një inspirim ndriçues, një mrekulli shkencore dhe një ikonë kulturore […] ekspozita frymëzon mrekulli, kuriozitet dhe një ndjenjë të rinovuar të kujdesit të trashëgimisë sonë diellore”. Bashkimi i tri artisteve ishte ideuar nga kuratorja Nita Qahili, njëherësh menaxhere e Galerisë.
“Qëllimi ka qenë se si t’i lidhin këto tri botë të ndryshme të artisteve, ta bëjmë këtë lidhje duke i prezantuar punët e tyre, njëkohësisht duke krijuar njëfarë harmonie, e cila lidhet me stinën e verës, laramanin e ngjyrave, përkthimin në lavdinë e diellit”, ka thënë kuratorja Nita Qahili.
E tërë ekspozita prezantohet si një stimul estetik ngjyrash e formash nga figurat abstrakte e deri te peizazhet që për referencë kanë imagjinatën. Në fillim vëmendja komandohet nga veprat e Vjosa Bujari-Maliqit, të cilat shfaqen si kompozicione në vaj dhe akrilik. Ndryshe nga veprat e dy artisteve të tjera, fokusin e kanë te figurat. Në këtë rast ato abstraktet që imitojnë gurët. Vizioni i saj artistik qartësohet dhe më tej me të zbuluar dhe lojën që ajo e bën me lëvizjet e ndryshme me ngjyrën e zezë në forma rrethore. Mund të interpretohen edhe si rrugëtim që kryen bota rreth diellit, qendrës së ekspozitës.
Puna e saj nis nga një trajtim i ndier që ajo ia bën diellit, si trup qiellor i veshur me fuqi frymëzuese. Për të puna në pikturë është një proces eksperimental i vazhdueshëm, pa epilog të qartë. Kuptimin e merr sipas këndit të vështrimit.
“Personalisht e adhuroj diellin, të gjitha këto piktura i përgjigjen atij disi. Unë personalisht e kam adaptu temën dhe më flejti menjëherë. Pastaj unë gjithmonë eksperimentoj dhe mundohem me gjetë diçka që më pëlqen, sikur tash, dielli. Momentalisht jam e fokusuar te përdorimi i vajit dhe akrilikut si teknika, po punoj shumë me to”, është shprehur artistja.
Veprimtarinë e saj si piktore Vjosa Bujari-Maliqi e zhvillon në një atelie bashkë me artisten Merita Myderrizi-Maloku. Pavarësisht këtij fakti, në art ato qëndrojnë krejtësisht kundërthënëse me njëra-tjetrën. Ruajnë me besnikëri origjinalitetin, pa u ndikuar nga njëra- tjetra.
Tablotë e Merita Myderrizi-Malokut shkëlqejnë me një elegancë qetësuese, e cila trajton ndërveprimin e dritës dhe hijes sipas dritës së diellit. Tek ajo shfaqen dhe peizazhet të cilat nuk ngjasojnë me referenca të reales. Janë krejtësisht prodhim i mendjes krijuese të saj. Përveç shtresave të bojërave të vajit e akrilikut, në pikurat e saja inkuadron edhe teknikat e kombinuara. U jep atyre teksturë e dimension me rërë dhe fasadë.

Tema “Diell” e ekspozitës atë e kishte inspiruar që të prezantohej me piktura të cilat simbolikën e çojnë edhe në narrativa të mëdha.
“Jam munduar që përmes punëve të mia në këtë ekspozitë të paraqes atë dritën që shfaqet pas çdo errësire, njëjtë edhe me fatet e popullit tonë, motivi i tyre qëndron këtu”, është shprehur artistja në një prononcim për KOHËN.
Artistja Bardha Buza zgjodhi që emri i saj në ekspozitë të zinte vend përmes këndvështrimit të saj mbi natyrën dhe diellin si frymëzuese tipike.
Tablotë e saj i karakterizojnë ngjyrat e pasura të cilat paraqiten si një bashkëbisedim i tonaliteteve të së katërtës që shkojnë deri tek versioni i murrmët, ndërkaq e verdha dhe e arta nuk mungojnë. Lulet janë qendra e dielli dikton pamjen e tyre teksa ajo luan me dritëhijet në një paraqitje impresioniste larg tradicionales.
“Jam shumë e lumtur që ne të tria jemi bërë bashkë dhe kemi arritur me i prezantu këto vepra të cilat bashkë po ndriçojnë, sipas meje. Unë vendosa që në këtë ekspozitë të prezantohem me një cikël, të cilin e kam punuar gjatë periudhës së pandemisë”, ka thënë Buza.
Përgjatë navigimit nëpër hapësirat e galerisë, të dendura nga miq e dashamirë të treshes së artisteve kuptohet se ekspozita, përveç trajtimit që i bënë diellit si fuqi, ofron mundësi edhe për një meditim mbi temat universale dhe kërkimin e vazhdueshëm të natyrës njerëzore për dritën, atë pas errësirës, pas vështirësive. Ajo kësaj përpjekjeje i përgjigjet nga pozicioni individual e kolektiv, potencon rolin e shprehjes artistike dhe një cikli të përjetshëm të krijimit.
Përtej mbizotërimit të tij estetik, ekspozita inkurajon në një të reflektim mbi marrëdhënien e vizitorit me dritën dhe errësirën, në mënyrë metaforike dhe shpirtërore.
Bashkëpunimi i tri artisteve u vlerësua dhe nga të pranishmit. Për artisten Fitore Berisha, eksperienca shumë dekadash e tri artisteve në ekspozitën “Diell” përkthehet në punët e tyre si një nivel i lartë i veprimtarisë, evoluon në një shkëlqim që shndërrohet në kualitet.
“Më pëlqen shumë që bashkëpunimi i tyre nuk ka ndikuar që këto ta kopjojnë njëra-tjetrën. Ndodh shpesh që njerëzit me imitu njëri-tjetrin, por kur e ke individualitetin tënd si artist, atëherë e tregon stilin tënd, krijimtarinë tënde pa problem”, ka thënë Berisha. Ekspozita bashkon frymën krijuese të tri artisteve, të cilat pikëtakim kanë diellin.