Me një histori të bujshme që ruan kapitullin e zhvillimit të dikurshëm industrial të vendit, më pas të braktisjes, premtimeve dhe zotimeve të kahershme për ruajtjen e funksionalizimin e objektit të mbrojtur si monument, arti është ai që e gjallëron dhe kujton peshën e tij. “Diçka do t’ndodhë” nga Kreshnik Arifi në shikim të parë duket si dilemë, pastaj zbërthen edhe të kaluarën dhe të tashmen e objektit. “Pjesa që kam marrë për bazë për të krijuar punët është një tension aktual që ndodh në Tulltore. Ky tension vërehet edhe prej ndërtimeve që po bëhen afër Tulltores, pastaj është një plan prej Komunës së Prishtinës për të ardhmen e Tulltores”, ka thënë Arifi
Arti është forma e vetme që tash ish-Fabrikës së Tullave në Prishtinë i jep ngjyra e gjallëri, sado minimale. Është njëri prej stacioneve për ndërhyrjet e artistëve. Një lloj galerie publike e hapësirë alternative për të zbuluar narrativa nëpërmjet artit. Për vetë veprat, historia e kompleksit është frymëzim e bazë për ndërtimin e tyre. Edhe tri veprat audiovizuale “Diçka do t’ndodhë” të Kreshnik Arifit.
Rëndom arti çon vëmendjen te Tulltorja. Të enjten mbrëma aty tingulli ka qenë “lëndë e parë” e përpunimit në hapësirën që e “ndërtonte” gjithë vendin.
Hapja modeste i paraprin eksplorimit të tri veprave të Arifit. Vetëm kur i hidhet një sy gjithë objektit, bëhet e ditur arsyeja me vonesë e ngjarjes. Janë reflektorët me ngjyrë të kuqe që veshin muret e që duhej të ishin po aq të theksuar sa kanë qenë kur turma e vizitorëve i ka parë. Ajo është veç një prezantim a hyrje e veprave. Ka qenë prezente në gjithë rrugën që publikut i është dashur ta përshkojë deri aty ku është bërë ndërhyrja artistike.
Kur arrin aty, zbërthehet e kaluara dhe e tashmja e njërës prej hapësirave më të mëdha industriale në Prishtinë. E fundit vjen me instalacionin zanor me shirit. Në njërën prej hapësirave të ish-Tulltores merr formë peizazhi zanor aty ku është vendosur një regjistrues me shirit. Tingulli përsëritet duke reflektuar në pritjen e Tulltores së braktisur prej kohësh. Ndryshimet në zhvillimin e tingullit janë të lehta dhe mbase janë pasqyrë për artin që ndërvepron me objektin. Ajo që vjen e para në shprehje është tensioni jovizual që shpalos. Materiali zanor krijon narracion për objektin e mbrojtur si monument që po rrethohet në të gjitha anët me ndërtesa të larta.
“Strukturat e grimcave”, instalacioni me video prej rreth gjashtë minutash, sjell një peizazh statik bardhezi me copëza arkitekturore të ndërtuara prej pluhuri. Si pjesë strukturore të Tulltores që transformohet, por edhe faktorët e tjerë ndikojnë në ndryshimin e saj, si në strukturën e saj që ka pësuar ndryshime me ndërhyrjet e njeriut, por edhe ato që vijnë prej natyrës.
Përballë saj dhe si lloj dialogu vjen narracioni nga “Punëtor i bllokuar”. Intervista e autorit me ish-shefin e prodhimit në Tulltore, Emin Neziri, rrëfen funksionet e ndryshme të dikurshme të ndërtesës. Autori Arifi i sheh këto pjesë si fragmente të humbura të kësaj hapësire.
Ka thënë se në përgjithësi tensioni në Tulltore është baza e veprave.
“Pjesa që kam marrë për bazë për të krijuar punët është një tension aktual që ndodh në Tulltore. Ky tension vërehet edhe prej ndërtimeve që po bëhen afër Tulltores, pastaj është një plan prej Komunës së Prishtinës për të ardhmen e Tulltores. Është objekt mjaft i vjetër dhe me kohë i ka ndryshimet si rrënime dhe intervenimet e shumta të natyrës. Për çdo stinë do të shohësh gjëra të ndryshme”, ka thënë Arifi.
Koncepti për “Diçka do t’ ndodhë” nis me një rrëfim që autori e kishte shkruar para se ta vizitonte Tulltoren. Kjo kishte ngjarë dy vjet më parë, para hapjes së bienales nomade evropiane “Manifesta 14” në Prishtinë.
“Gjithçka ka nisur prej një rrëfimi fiksion që e kam shkruar dhe me të ardhur këtu për së pari herë krejt ajo storie ka bashkëvepruar me hapësirat e Tulltores. Me punë kam aplikuar në edicionin e shtatë të ‘Heritage Space’ të cilët e kanë aprovuar projektin që ka zgjatur rreth një vit. Janë rreth katër muaj hulumtim ku jemi munduar të dimë se cila ka qenë historia e Tulltores, nëpër të cilat procese ka kaluar”, ka thënë Arifi, artist i fokusuar në eksplorimin e artit bashkëkohor përmes video-artit, zërit dhe përdorimit të hapësirës si potencial për ndërtimin e ideve.

Së fundmi, ai ka filluar të eksperimentojë me ndërhyrje në hapësira publike, duke reflektuar mbi dinamika shoqërore dhe duke inkurajuar dialog në mjediset urbane.
Ka thënë se e gjithë puna është produkt i hulumtimit paraprak të historisë së objektit.
“Jemi munduar të marrim fotografi, dokumentime, të njihemi më mirë me vendin dhe njëra prej sfidave kryesore ka qenë se çfarë teme të trajtoj prej Tulltores, pasi ka qenë shumë e gjerë. Ajo çfarë unë kam zgjedhur ka qenë thjesht funksioni i saj si një vend i cili mundëson të prodhhen vende të reja, si vend që ka nisur një jetë komplet të re në qytet”, ka thënë Kreshnik Arifi.
Projekti i tij është njëri nga përfituesit e “Heritage Space VII” bashkë me pesë projekte të tjera që janë zgjedhur për t’u mentoruar nga ky program i fondacionit “Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Kosova”. Ky edicion kishte fokusin në arkivimin e shkëputjeve, trashëgiminë e krizave dhe rrëfim e interpretim.
Regjisorja Kaltrina Krasniqi e ka mentoruar punën artistike të Arifit.
“Unë kam qenë prej fazës së parë të selektimit të projekteve. Projekti i Kreshnikut ka qenë shumë i pëlqyer prej jurisë profesionale e cila e ka bërë përzgjedhjen e projekteve të këtij edicioni. Neve na është dukur jashtëzakonisht interesante mënyra me të cilën Kreshniku ka vendosur të ndërveprojë në një hapësirë të cilën për vite të tëra konsiderohet si hapësirë e braktisur”, ka thënë Krasniqi.
Ka thënë se u ka interesuar të kuptojnë për historinë e godinës dhe se çfarë impakti ka pasur një objekt i kësaj natyre në ndërtimin e qyteteve të Kosovës.
“Na është dukur interesante se në çfarë mënyre po mundohet ta rrëfejë të kaluarën e kësaj godine të rëndësishme industriale të qytetit, por në të njëjtën kohë edhe mënyrën sesi ka vendosur të ndërveprojë me këtë hapësirë. Ka përdorur disa mediume që kanë qenë të reja për të. Pikësëpari me medium të zërit e mandej edhe me të tjera mediume vizuale me të cilat ka qenë më komod pasi janë mediume që i përdor në praktikën e tij si artist”, ka thënë regjisorja e hulumtuesja Krasniqi.
Ish-Fabrika e Tullave është në një kompleks industrial afër qendrës së qytetit. Sipas shënimeve të “Autostradës” e ndërtuar “në vitin 1947, Fabrika përpunoi argjilë dhe lëndë të tjera të para për të prodhuar tulla që do të përfundonin duke formuar shumë ndërtesa në të gjithë Prishtinën, veçanërisht gjatë periudhës jugosllave”.
Objekti i saj është një strukturë e njihet menjëherë prej fasadës së saj në ngjyrë të kuqe të ndezur dhe prej dritareve të mëdha e katrore. Konsiderohet si hapësira më e rëndësishme post-industriale e Prishtinës. Ishte pjesë themelore e organizimit të infrastrukturës në Kosovë, e cila kishte prodhuar materiale të pastra nga të cilat më pas u ndërtuan një seri ndërtesash në Prishtinë. Pas ndërprerjes së saj si fabrikë, objekti i ishte lënë nën menaxhim Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Para disa vjetësh ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte propozuar që aty të zërë vend një muze i gjenocidit.
Kjo është ekspozita e parë e realizuar si pjesë e platformës “Heritage Space” e zbatuar nga “CHwB – Kosova”. Regjisorja Krasniqi ka bërë të ditur se në muajt në vijim do të shpalosen edhe veprat e të tjerëve artistë.
Ministria e Kulturës e kishte parë hapësirën si një prej tri ndërtesave publike potencialisht të favorshme për të zënë vend një institucion i muzeut të artit bashkëkohor. Në të njëjtin vit, në korrik të 2022-s, “Manifesta” kishte prekur hapësirën me art në edicionin ku koncept kishte kthimin e hapësirave të braktisura te qytetarët.
Një tjetër rrëfim artistik kishte ndërtuar “Autostrada Biennale” nga Prizreni me veprën “Kush flet nga pluhuri, kush sheh nga deltina” të artistes turke Hera Büyüktaşcıyan. “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” ishte tema e edicionit të katër që reflektonte në ndryshimet që ka pësuar, midis të tjerash, edhe imazhi i Tulltores dhe të tjera ndryshime potenciale që e presin.
Tash është pronë e Komunës së Prishtinës, e cila synon ta shndërrojë në “Art-Tek Tulltorja” si një pikë kulturore, qendër për kreativitet dhe inovacion me projektin e arkitektit izraelit Rafi Segal dhe ekipit të tij të përzgjedhur prezantuar në majin e sivjetmë. Tek investimet kapitale për vitin 2024 Komuna ka paraparë 4.5 milionë euro. Prej tyre, dy milionë për transformimin e ish-Tulltores, 400 mijë për “Kurrizin” dhe 100 për intervenime në institucionet vartëse të kulturës.
Sipas hulumtimit të “CHwB – Kosova” dhe Kreshnik Arifit, ish-Fabrika e Tullave ka sipërfaqe prej 4.5 hektarësh dhe se fillimisht ishte themeluar si punishte tullash e më pas më 1970 ishte shndërruar në fabrikë tullash e cila mori 9 vjet kohë për t’u ndërtuar.
“E pozicionuar në një pikë strategjike, me qasje të lehtë në të gjitha zonat e Kosovës, kjo fabrikë përpunonte qeramikë dhe lëndë të tjera të para, duke prodhuar tulla të cilat u përdorën për ndërtimin e një numër ndërtesash në Prishtinë. Megjithatë, pavarësisht burimeve të pasura natyrore, Fabrika u përball me probleme të shumta financiare dhe kaloi nëpër disa falimentime. Gjatë viteve ’90, përderisa Kosova po përjetonte dhunë sistematike, të gjitha kontratat e punëtorëve në Fabrikë u ndërprenë dhe prej atëherë iu vodhën pajisjet dhe u bënë disa ndryshime në funksionet dhe planet e saj”, shkruhet për Tulltoren në katalogun e “Diçka do t’ndodhë”.
Veprat kanë qenë të hapura vetëm për disa orë.